“Aktivistë të shoqërisë civile përleshen me policinë për të mbrojtur pemët e parkut të Tiranës”. Në pamje të parë, tituj të tillë me aromë prej “Gezi parku” që mund të shfaqen në media, të vendit apo të huaja, do ngjallnin simpatinë e audiencës për protestuesit dhe antipatinë, më e pakta, për “ata që presin pemët”.
Por ngjarjet e djeshme në parkun e Liqenit Artificial në kryeqytet kanë një sfond jo kaq semplist.
E thjeshtë në këtë histori është vetëm dënimi i rasteve të dhunës së policisë, që në disa momente ishte e panevojshme dhe siç tregoi reagimi i ministrit të Brendshëm, e dënueshme.
Do ndërtohet një “park brenda parkut”, për fëmijë të të gjithë grupmoshave. Këtë thotë bashkia e Tiranës. Do betonizohet parku, thonë protestuesit, dhe më shumë se ata, thotë opozita e PD-së, nxitëse dhe protagoniste kryesore në këtë protestë, e cila ‘mori flakë’ me aktin e prerjes së disa pemëve për të zbatuar projektin, në fund të të cilit sipas bashkisë do mbillen edhe më shumë pemë.
Kë të besojmë në këtë përplasje?
Ajo që duhet të shqyrtojmë me qetësi, është cv-ja e benzinë-hedhëses.
Një protestë e nxitur nga dy dhëndurrët e familjes Berisha, njëri politik dhe tjetri familjar, për mbrojtjen e mjedisit, do ishte e barazvlefshme me një protestë të shoqatës së kasapëve kundër therrjes së kafshëve. Vetëm pak dhjetra metra larg prej ngjarjes së djeshme, poshtë digës së liqenit, janë ende hapur gropat e super-pallateve me lejen e Lulzim Bashës, atij që i premtoi Tiranës tramin.
Lulishtari Basha, planin e gjelbërimit në kryeqytet e kishte menduar jo duke mbjellë pemë, por duke gjelbëruar me vazo tarracat e pallateve.
Ndërsa dhëndrri Malltezi aq merak e kishte ruajtjen e mjedisit, sa nën “logon” e BB-së plaçkiti dhe masakroi trojet e bregdetit të jugut. Pa folur për vjehrrin e të dyve, që dha liçenca hidrocentralesh edhe për currila uji, ndërsa situatën mjedisore në vend, më e pakta, e çoi në pikën që moratoriumet për gjuetinë dhe prerjen e pyjeve të jetë urgjente, të domosdoshme dhe afatgjata.
“Epidemia” e kopjimit të protestës është sëmundje e vjetër në PD. Një herë “do jua bëjmë si në Ukrainë”, pastaj “si në Gjeorgji”, e kështu me rradhë.
Kjo e fundit, protesta mjedisore, është rekord akoma dhe për Partinë Demokratike. Duhet të jesh në pikë të hallit si opozitë, që pasi ke rrafshuar e masakruar një republikë, me pyje e gëmusha, lumenj e dete, të kesh kurajon të ulërasësh për 10 pemë.
Ne dimë atë që dinë të gjithë: Në parkun e liqenit do përshtatet një mjedis lojrash për fëmijët. Nëse protestuesit e shoqatave mjedisore dinë diçka më tepër, le t’ua thonë të gjithëve.
Dhe të protestojnë edhe më fort. Por të mos e ndotin reagimin e tyre me dhëndurrë e baxhanakë të partisë, sepse kjo lloj ndotjeje është e rrezikshme, jo vetëm për mjedisin….

Te dhjefsha shoqerine civile,ku ishte shoqeria civile kur dha lulzim basha lejet per pallatet tek diga e liqenit apo kishin frike se mos hanin ndonje koqe plumbi,dhe ngaqe kjo qeveri eshte tolerante bejne te gjithe gangsterin,ne nje vend qe ska sindikata dhe protestohet gjithnje ne emer te partive,skandaloze te protestoje partia qe e ka shkaterruar kete vend,,vaj medet shqiperi hapu dheeeeeeeeee.