Shperberja e hapësirës europiane të lëvizjes së lirë e njohur si hapësira Shengen mund t’i kushtojë Bashkimit Evropian deri në 1.4 trilion euro gjatë dekadës së ardhshme, sipas një studimi të botuar të hënën nga fondacioni gjerman Bertelsmann. Studimi vlerëson se në rastin më të keq, rikthimi i kontrolleve kufitare në BE do të rriste çmimet e importit me 3%. Shpenzimet për ekonominë e parë të bllokut, Gjermaninë, mund të arrijnë deri në 235 miliardë euro mes 2016 -2025, dhe për Francën mund të arrijnë 244 miliardë.
Me një rritje minimale e çmimeve të importit prej 1%, studimi tregon se shpërbërja e Shengenit do t’i kushtonte BE-së pothuajse 470 miliardë euro në dekadën e ardhshme. Kostoja do të arrinte 1.4 trilion euro, ose pothuajse 10% e PBB-së vjetore të bllokut të 28 vendeve të BE-së në skenarin më të vështirë. “Nëse në Europë rivendosen kontrollet kufitare, rritjes së dobët ekonomike do t’i shtohej një presion shtesë”, theksoi presidenti i Bertelsmann, Aart De Geus. Zona Shengen është themeluar mbi 30 vjet më parë dhe aktualisht ka 26 anëtarë, 22 prej të cilëve i përkasin BE-së.
Por sistemi pa pasaporta ka qenë nën presion gjatë vitit të fundit për shkak të krizës më të keqe të refugjatëve që Europa ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Në mënyrë që të frenohet fluksi i emigrantëve dhe shtetet të sigurohen se kush hyn në territorin e tyre, disa vende brenda Shengenit rivendosën kontrollet kufitare.
Kjo ka shtuar frikën se i gjithë sistemi do shpërbëhet. Përveç një hap pas shkatërrues nga ana simbolike për integrimin evropian, shpërbërja e Shengenit gjithashtu do të rriste kohën e transportimit të mallrave në Evropë, duke rritur koston e tyre për bizneset dhe konsumatorët.
Studimi i Bertelsmann i realizuar nga Prognos AG, vlerëson se kostoja minimale për Gjermaninë dhe Francën është 77 miliardë dhe 80,5 miliardë euro respektivisht deri në vitin 2025. Fundi i Shengenit gjithashtu do të rriste shpenzimet për vendet jashtë zonës, me një peshë të kombinuar për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën gjatë dekadës së ardhshme nga 91 miliardë deri në 280 miliardë euro, sipas studimit. /DITA
