Nuk ka stola të thyer, por vetëm sharje në kor

redaktor

Duket se nuk ka më interes nga ana e tifozërisë bardheblu për të cenuar ambientin e stadiumit të Korçës. Kjo pasi edhe dje, fansat e Tiranës u treguan korrektë në shkallët e stadiumit “Skënderbeu” për sa i përket shmangies së rrëmujave me stolat.

Një histori që në sezonet e shkuara ka qenë e përsëritur, por në këtë kampionat, për të dytën herë radhazi, tifozët e Tiranës kanë shmangur problemet.

Ndërkohë që mungesa e thyerjes së stolave mund të quhet tashmë një risi, sharjet në kor dhe ofendimet pafund, kanë qenë pjesë e takimit të djeshëm në stadiumin juglindor.

Të dyja tifozëritë, ato të Skënderbeut dhe Tiranës nuk i kanë kursyer ofendimet mes tyre nga tribuna në tribunë.

MBËRRITJA– Por, si mbërritën në Korçë tifozët nga kryeqyteti!? Uniforma të shumta policore, por edhe forca të FNSH-së kishin mbërritur disa orë përpara startit të takimit në stadium dhe padyshim që duhen falënderuar pasi kishin marrë masat e duhura në mënyrë që të mos ndodhte asnjë incident.

Tifozët e Tiranës mbërrijnë në juglindje rreth orës 16:30, ndërkohë që janë ndaluar të pesë autobusët me tifozë në hyrje të Korçës dhe ishin rrethuar nga ana e policisë.

Në orën 17:10 kanë mbërritur dy autobusët e parë të cilët në tribunën E kanë zbarkuar tifozët dhe pasi janë shpërndarë edhe biletat kanë filluar futjen në stadium. Kontrolli ka qenë shumë i rreptë.

Gjithsesi me një numër të konsiderueshëm prej vetëm 300 tifozësh janë administruar më së miri nga uniformat blu. Gjatë gjithë takimit tifozët e Tiranës, ashtu si edhe ata të Skënderbeut nuk kanë reshtur së mbështeturi ekipin e tyre, por që gjithsesi mbështetja ka qenë edhe me sharje në kor, ku gjyqtarit Koçi iu desh disa herë të ndalonte lojën.

Në fund të takimit tifozët miq pasi janë përshëndetur me lojtarët e Tiranës, nuk janë lejuar të dalin nga stadiumi duke qëndruar edhe 30 minuta të tjera pas përfundimit të ndeshjes, deri në momentin që ambientet rreth stadiumit janë siguruar duke mos qenë asnjë tifoz i Skënderbeut.

Më pas, të pesë autobusët kanë mbërritur në afërsi të stadiumit dhe pasi kanë hipur të gjithë, tifozët e Tiranës janë nisur drejt kryeqytetit të shoqëruar me mjete të shumta policore deri në Pogradec, madje edhe nga FNSH-ja.

Gjithsesi, takimi përfundoi pa asnjë incident.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *