Siç edhe pritej, lideri konservator Kamerun arriti nënshkrimin e marrëveshjes së kërkuar me Bashkimin Evropian. Marrëveshje që u konsiderua prej tij si një sukses dhe një arritje politike e rëndësishme, ndaj interesave specifikë të Britanisë së Madhe në Union. Tek lexon marrëveshjen, është më se e qartë se ka një ekuilibër mes palëve. Por, konstatohet gjithashtu nëpërmjet gjuhës së sofistikuar që përdoret në hartimin e dokumenteve juridikë edhe një lloj shpjegimi “elegant” i Unionit mbi disa prej kërkesave britanike, duke ekspozuar karakterin e tyre paksa të papërshtatshëm.
Pra, e thënë shqip, një lloj shpjegimi mbi kërkesat e “çuditshme” britanike.
Kjo pasi Londra, të paktën në disa prej kërkesave të saj, në disa fusha ku ajo nuk është e përfshirë duke zgjedhur opsionin e të qëndruarit jashtë, kërkonte që kjo mospërfshirje të figuronte në forma të qarta juridike në traktatet e Unionit. Ndërkohë që Britania e Madhe nuk ka asnjë pengesë juridike, për të mos u përfshirë në politika të caktuara të Unionit, apo në një thellim të mëtejshëm të tij, siç edhe është aplikuar deri më tani prej saj, pasi hapësira ligjore ekziston.
Dhe në këtë grup kërkesash të “çuditshme” bënin pjesë si kërkesa për të pasur një deklaratë të BE-së, që të theksonte se Britania e Madhe nuk do të përfshihet në asnjë projekt të një shteti federal evropian, pra kërkesa për fshirje të shprehjes “Union gjithnjë e më i ngushtë”, apo kërkesa për të figuruar qartësisht e shkruar se, Euro nuk është monedha zyrtare e Unionit, ndërkohë që Britania ka zgjedhur opsionin për të mos u përfshirë, po ashtu si edhe shtete të tjera. E njëjta situatë edhe për fuqinë e vendosjes së vetos, apo të një “kartoni të kuq” që do t‘i lejonte vendeve të tjera, jo pjesë e Eurozonës, të bashkohen për të bllokuar vendime apo legjislacione të ndryshme që ndërmarrin vendet e Eurozonës. Pra, mospërfshirje në zonën Euro, qëndrim jashtë saj, por njëkohësisht fuqi për të kontrolluar vendimet, që Eurozona merr!
Në tërësi marrëveshja ka një ekuilibrim mes asaj çka Londra kërkon, por nga ana tjetër dhe asaj çka Unioni synon të ruajë, pasi edhe në lidhje me kërkesat e mësipërme, është krijuar një hapësirë shpjeguese dhe konfirmuese për rolin e Britanisë së Madhe në Union.
Gjithsesi, vihet re se Marrëveshja ka një logjikë “akomodimi” për të dy palët, ku nga njëra anë duket sikur Unioni ka rënë dakord për të futur këto ndryshime së shpejti në traktate (pa specifikuar një datë konkrete !) dhe nga ana tjetër Britania e Madhe duket sikur nuk refuzohet duke marrë premtimin se këto ndryshime, që parashikon marrëveshja do të përfshihen në rishikimin e radhës së traktateve. Premtim për rishikim, por pa datë?! Pra, është gjetur një kompromis bazuar në një “premtim”, që siç dihet nuk mund të mbart fuqi detyruese ligjore. Por, për momentin është një zgjidhje optimale, që i pozicionon në mënyrë të favorshme të dy palët.
BE kundër përfshirjes në fushatë
Ndonëse palët në Britaninë e Madhe tashmë janë pozicionuar në dy kampe, pro dhe kundër qëndrimit të Britanisë së Madhe në Union, Bashkimi Evropian duket se nuk do të përfshihet në një fushatë pro qëndrimit. Të paktën kështu u deklarua nga zëdhënësi i Komisionit evropian këtë të hënë (22.02). Duket se po favorizohet ideja se, po të propagandohet qëndrimi i Britanisë në Union tek votuesit mund të shkaktohet një efekt i kundërt. Të paktën kjo u vërtetua së fundmi, kur kreu i KE-së Junker doli me një fjalim të qartë ku ftoi qytetarët e Greqisë të votonin PO në referendumin për aplikimin e masave shtrënguese në paketën e ofruar nga tavolina e negocimeve.
Ndonëse nuk mund të ketë një angazhim të dukshëm dhe mediatik, ndikimi pritet të ushtrojë influencën e tij dhe nëpërmjet kanaleve të tjerë të komunikimit. Kjo, pasi për Unionin është e paimagjinueshme një dalje e Britanisë nga BE. Aq e paimagjinueshme është sa, nuk pranohet as të hartohet një plan B, pra një skenar rezervë në rast se referendumi vendos për dalje nga BE. Për Komisionin, ky është opsioni më i padëshiruar që as nuk mund të mendohet, por as të reflektohet në këtë drejtim. Aq më tepër në këtë kohë krizash.
Por, kampet pro dhe kundër tashmë janë pozicionuar në Britani. Teksa thirrjet direkte nga liderët apo institucionet e BE-së, janë konfirmuar edhe nga studime të Parlamentit Evropian, se mund të kenë efekte negative të konsiderueshme, të tjera influenca politike dhe diplomatike, gjykohen se mund të kenë një rol shumë të rëndësishëm, duke ndikuar në vendimmarrjen e qytetarëve britanikë. Ndër to veçohen, roli i Berlinit dhe fuqia argumentuese e kancelares Merkel, që penetron dhe ka influencë tek qytetarët britanikë. Thirrjet diplomatike që mund të vijnë nga SHBA. Pa përjashtuar këtu edhe thirrjet që mund të vijnë nga Kanadaja, Australia, Zelanda e Re. Edhe politika e Irlandës vlerësohet të jetë një zë i rëndësishëm, që ndikon tek qytetarët britanikë. Vendet nordike dhe zëri i Holandës dëgjohet gjithashtu në opinionin publik. Pa anashkaluar edhe thirrjet, që mund të vijnë nga komuniteti i bizneseve, që kanë investuar në Britani, si nga kontinenti evropian, por edhe jashtë tij.
I rëndësishëm konsiderohet edhe fakti që referendumi, pra periudha që i afrohet votimit (23 qershor) të mos përkasë me ndonjë krizë të fortë evropiane, si flukse të larta refugjatësh, sulme terroriste, apo edhe ndonjë krizë e përsëritur greke, etj. Pasi kjo mund të rrisë shanset e një përkeqësimi në votën kundër. Referendumi vlerësohet se nuk përbën një çështje të një natyre ekzistenciale për Britaninë e Madhe. Edhe pse aktorë të ndryshëm do të luajnë me argumente të fortë, duke parashikuar nga të dy kampet skenarë gati apokaliptik. I vetmi opsion, që po merr vëmendje gjithnjë e më të lartë, duke u vlerësuar si një risk real, është që Britania e Madhe të dalë aksidentalisht nga Unioni.
Nëse votohet për daljen nga Unioni, çfarë pritet të ndodhë ?
Nëse britanikët tërhiqen, sigurisht që ky është një vendim tërësisht i njëanshëm, i marrë lirisht dhe që nuk mund të kundërshtohet nga aktorë të tjerë, përfshirë edhe BE-në.
Nëse britanikët do të votojë për dalje nga Unioni, kjo dalje sigurisht që nuk do të jetë një dalje tërësore. Një lloj dakordësie do të çojë në interesin e përbashkët për të institucionalizuar në forma të tjera marrëdhëniet me Unionin, ndoshta nën modelin zviceran apo norvegjez. Ndoshta mund të marrë formën e një marrëveshje tërheqje, por me opsione, apo fusha të lira angazhimi, ndoshta Britania mund t’i bashkohet komuniteteve të tjera si, ai i EFTA, (Norvegji, Islandë, Lihtenshtajni) që bëjnë pjesë në hapësirën ekonomike evropiane të Unionit, apo komunitetit të AELE ku bën pjesë edhe Zvicra, duke krijuar forma të reja bashkëpunimi me Unionin. Opsionet janë të shumtë, por njëkohësisht nuk ka një qartësi konkrete. Parashikimi është i vështirë, pasi në thelb askush nuk dëshiron ta mendojë këtë shkëputje të Britanisë së Madhe nga Unioni.
I vetmi opsion që duket se është tërësisht i qartë, është nëse referendumi do të favorizojë qëndrimin në BE, pasi britanikët nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse të vazhdojnë negocimin e pozicionit të tyre krejtësisht unik dhe të veçantë në Union.
Shkrime të tjera:
Britania e Madhe drejt “divorcit me Gjykatën e Strasburgut
