Denoncimet e bëra kohët e fundit në emisionet investivigative , si dhe disa veprime skandaloze të gjykatave tona, ku psh është martuar me zor një 60 vjeçare për t’i marrë pronat e është shpallur motër akuzuesja e një të akuzuari tjetër, apo një punonjësi tjetër në të zezë i është mbuluar aksidenti me vdekje, thjesht pse sipërmarrësi nuk e ka siguruar etj, tregon se Reforma në drejtësi jo vetëm që duhet bërë e plotë, por duhet të fshijë nga faqja e dheut gjyqtarë të tillë që janë kthyer në monstra të korrupsionit. Sepse, sado që ta bëjë punën si duhet e të arrestojë policia, sado që të ngrejë aktakuza me fakte e prova prokuroria, përsëri është gjykata ajo që do t’i vërë vulën e fundit. Dhe kjo në shumicën e rasteve bëhet jo sipas ligjit, por si t’i teket gjyqtarit. Dhe më absurdja është se gjykatësi sipas ligjeve tona nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për vendimet e dhëna, edhe sikur i akuzuari të ketë vrarë njerëz të pafajshëm.
“Një çështje që është mbyllur me vendim gjykate, -më thoshte një avokat, – s’ka burrë shteti e birë nëne që ta hapi më!” Nuk ka skandal më të madh dhe nxitje më të justifikuar për vetëgjyqësi.
Në 5 vjetorin e vrasjeve të 21 Janarit kryeministri Rama deklaroi hapur se 21 janarin nuk do ta tradhtojë kurrë dhe se një opozitë që ka zënë për fyti gjykatën shpejt do të japë llogari! Edi Rama nuk është as gjykatësi e as prokurori, por kryeministri i vendit që krijon shtratin e hapësirat e nevojshme legjislative për reforma të gjithanshme e në radhë të parë të Drejtësisë, që është frymëmarrja e një demokracie të vërtetë. Por a do të arrihet vallë të mposhtet kështjella e korruptuar e drejtësisë? Krye-e-keqja e këtij vendi, Sali Berisha, futi të keqen e madhe në këtë shtet, duke ngritur një sistem drejtësie të korruptuar, të qepur me një mijë gjilpëra prej tij, që në shumicën e rasteve është vënë totalisht në shërbim dhe mbyllje të çdo paudhësie të ish kryeministrit shkatërrimtar. Të gjithë ngrenë shqetësimin e madh të kësaj kohe që jetojmë: Pse nuk “e dënon Edi Rama Sali Berishën”, të mbushur deri në fyt me pisllëqe!? Nuk është aq e lehtë të ndëshkohet ky keqbërës i madh nga gjykatat që ka ngritur vetë me dorën dhe mendjen e tij të djallëzuar. Mendoni sikur Berisha në gjendjen që e kemi sot drejtësinë, të shkojë para një trupe të tillë gjykatësish dhe të çertifikojë me një formë apo tjetër alibitë dhe pafajësitë e tij, a ka pastaj shtet e kryeministër, mazhorancë e hetuesi që ta mbajë më vrullin e një krimineli të kthyer në i pafajshëm!? Madje në model të virtytit? Dhe a nuk kemi plot shembuj, ku deputetë e politikanë të korruptuar e kanë hedhur lumin e korrupsionit me vendime “të ligjshme” gjykate!
Prandaj sido që të jetë, të pastrohet një herë drejtësia nga ata gjykatës dhe prokurorë që deri tani i kanë konsoliduar rrugën e krimit dhe të korrupsionit Sali Berishës, si për djegien e Shqipërisë në vitin ‘97, për grushtin e shtetit në vitin ‘98, për Gërdecin e për 21 janarin, e pastaj të shohim sa i sinqertë, sa trim dhe sa patriot është kryeekeqja e vendit tonë.
Për të realizuar një jetëgjatësi në pushtet, Sali Berisha arriti t’u vinte një bazë ligjore gjithë aventurave të tij antishtet dhe aktivitetit të tij banditesk politik. Ai praktikoi kursin 6 mujor të Plepave në emër të “pastrimit” të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që i kishin shërbyer gjoja regjimit komunist!”. Por në fakt në emër të pastrimit të sistemit gjyqësor komunistët, komunisti i konvertuar në demokrat, Sali Berisha, largoi nga drejtësia njerëzit e ndershëm, konseguentët besnikë të ligjit, gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë, që ndoshta kishin gjykuar politikisht të detyruar, por ama as që ia dinin emrin korrupsionit. Vërtet atëhere gjykimet e hetimet bëheshin me urdhër të partisë shtet, por ama askush nuk dilte kundër atij sistemi, dhe vetë Sali Berisha ishte një sekretar besnik e i zellshëm i Partisë së Punës, dhe nëse duhet akuzuar kush sot gjyqtar apo prokuror sepse i ka shërbyer komunizmit, më parë duhet drejtuar gishti drejt Berishës, që ka përfituar edhe privilegje të Bllokut të udhëheqjes. Atëhere vërtet gjykatat dhe prokuroritë zbatonin politikën e partisë, por ama gabime të tilla trashanike e vendime absurde të katëgorive të tilla, ku i vdekuri bëhet i gjallë apo i gjalli i vdekur, nuk ndodhnin as në ëndërr të gjyqtarëve.
Gjyqtarët dhe prokurorët e plepave, sapo zaptuan karriget e sistemit të Drejtësisë, filluan gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë të Berishës, për t’i hapur rrugë të lirë një regjimi bajraktarist me moton “përça e sundo”. Mjaft gjyqtarë, komunistë të bindur e prokurorë servilë që e kthyen pllakën e ndërruan kalin e pushtetit komunist, arritën të kapin majat e gjyqësorit. Dhe Berisha për t’u bindur për karakterin e tyre të dobët dhe sahanlëpirjen në të gjitha sofrat, i vinte ato në provë për të ngrënë koka njerëzish të ndershëm e të pabindur. Ish gjyqtarët më të rreptë komunistë, që kishin zbatuar me rigorozitetin më të madh vijën e partisë e kishin qenë servilë të bindur të Sekretarëve të Parë të PP, e kthyen pllakën dhe u bënë demokratët më fanatikë, shërbëtorët më të bindur dhe puthadorës të pështirë të regjimit të Berishës.
Do të sillja këtu një shembull nga zgjedhjet lokale të tetorit 1996. Pas dy humbjeve të thella në zgjedhjet e korrikut 1992 për pushtetin lokal dhe Referendumin për Projektkushtetutën në vitin 1994, Berisha u turr egërsisht të pastronte nga kundërshtarët politikë fushën e betejës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të zhvilloheshin në 26 maj. Gjuetinë e shtrigave ndaj çdo kundërshtari, Sali Berisha e përdori që në fillimet e karierës së tij, por e thelloi sidomos në zgjedhjet qendrore të 26 majit. Luftën më të madhe veglat e Berishës e përqëndruan në ato zona që ishin bastione të socialistëve, dhe kjo luftë arrinte deri në eliminim fizik. Kështu u rrethua me polici kryetari i Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi e u detyrua të jepte dorëheqje Prokurori i Përgjithshëm Maks Haxhia, u rrah barbarisht më vonë Edi Rama e Ndre Legisi, u detyrua të merrte arratinë kryetari i PD Selami dhe u dogj redaksia e gazetës “Koha jonë”. Dhe të gjitha këto Berisha i mbyllte me vendime gjykate e “merrte” dekorata në emër të luftës kundër komunizmit. Një nga ata që u rrezikova të eliminohesha fizikisht isha edhe unë, atëhere kryetar i komunës Funar. Njerëzit e Berishës më ngritën akuzë pas akuze, se gjoja isha komunist dhe u sorollata nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit deri kur mora pafajësinë në sajë të korrektesës dhe këmbënguljes sime. Dhe më e çuditshmja: Gjyqin e kurdisur ndaj meje e që më akuzonte se mbaja qëndrim komunist në problemet ndaj popullit e drejtonte gjyqtarja e cila kishte qenë sekretarja e partisë së punës në gjykatë! Pra një ish komuniste sekretare partie për 25 vjet me radhë, që i kishte prerë shpata si Berisha sa herë kishte dashur e si kishte dashur sipas urdhërave të sekretarit të parë, më dënonte mua si komunist që nuk kisha qenë asnjë ditë komunist!
Edhe kur mora pafajësi me vendim të prerë të Kolegjit Penal të Gjykatës së Kasacionit, Berisha nuk u ndal në furinë e tij hakmarrëse. Nuk harroj kurrë fjalët që më tha atëhere i dërguari i Tiranës, direkt nga Berisha, Njazi Kosovrasti: “Je i shkarkuar nga detyra e kryetarit të komunës. E çfarë vendime gjykatash na tregon ti. E ku pyet doktor Berisha për gjykata. A e di ti se edhe mund të zhdukim fare!” Ja ky ishte e ka mbetur “politikani” i madh Berisha, i dekoruar për merita demokracie nga presidenti Nishani. Dhe kështu si puna ime, u shkarkuan pa asnjë lloj motivacioni, mjaft kryetar komunash e bashkishë dhe Berisha “i fitoi” 95% zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit dhe ato lokalet të 10 tetorit 1996. Dhe pasi i përdori si mish për top mjaft nga kjo kategori gjyqtarësh e prokurorësh komunistë, pasi i shtrydhi mirë e mirë për të konsoliduar pozitat e tij në pushtet, Sali Berisha filloi fshesën e pastrimit në sistemin e drejtësisë, duke sjellë në krye të tij juristët shtatanikë të plepave. Këta “juristë të emergjencës”, duke zënë vende kyçe në sistemin e drejtësisë, me mbështetjen e presidentit Sali që kishte shtënë në dorë të gjitha pushtetet, mblodhën rreth vetes njerëzit më të korruptuar e të pandershëm, mjafton të ishin në shërbim të pushtetit dhe oborrit të Berishës. Kështu Berisha i ndihmonte ata të kapnin majat e strukturave të drejtësisë, dhe ata nga ana tjetër e ndihmonin Berishën të legalizonte ligjërisht e të çertifikonte juridikisht kapjen e të gjitha pushteteve dhe kështu arritëm këtu në këtë gjendje alarmante ku jemi sot. Tani sistemi i drejtësisë është i akaparuar nga njerëzit e Berishës. Edhe shumica e tyre që mbaruan shkollën e Magjistraturës, janë njerëzit e tij. Dhe është krijuar një piramidë, nga baza deri në majë e korruptuar totalisht dhe ndonjë zë i ndershëm që mundohet të dëgjohet, mbytet shpejt me kërcënimin për jetën e familjen. Janë këto arsyet që Berishën nuk është e lehtë ta dënosh.

Te pergezoj zoti Sherja per vertetesine e kesaj analize. Nuk denohet krimineli nga bashkefajtoret e vet. E vetmja shprese eshte reforma e plote, e thelle dhe e vertete ne drejtesi, qe do arrij ta pastroj te gjithe sistemin aktual te saj nga vrasesit e drejtesise dhe ringritjen e tij me prokurore e gjyqtare te rinj te edukuar jasht te pamolepsur nga aktuali.
Nje sinoptike e shkelqyer e bandes mafioze e kriminele
berishizmit…!! Bravooooo !!