Është zhvilluar sot aktiviteti për të rinjtë që janë trajnuar dhe shumë shpejt do të nisen drejt Gjermanisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadori gjerman në vendin tonë Helmut Hoffman dhe ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi.
Gjatë fjalës së mbajtur Hoffman tha se ka plot mundësi ligjore për t’u punësuar në Gjermani, duke shtuar se shteti gjerman ka ofruar shumë lehtësira për vendet e Ballkanit Perëndimorë.
“Kemi mbështetur një projekt të arsimit profesional. Jemi duke ndihmuar me konsulencë arsimin profesional.
Shumë prej jush e dinë se Gjermania ka krijuar lehtësira në tregun e punës për vendet e Ballkanit perëndimorë, përfshirë edhe Shqipërinë. Ka një mundësi ligjore për t’u punësuar në Gjermani.
Unë nuk jam i fushës, por në momentin kur shoh kaq shumë përfaqësues gjermanë, kuptoj sa i rëndësishëm është ky sektor”, tha Hoffman.
Ndërsa ministri Klosi e vuri theksin të rëndësia që ka arsimi profesional. Ai tha se ka ende shumë për të bërë, por sipas Klosit, arsimi profesional është një mundësi reale për të gjetur një punë të mirë.
“Kemi realizuar një projekt të vështirë me shumë pikëpyetje edhe me shumë hezitim, por kemi një projekt të mirë më gjermanët.
Ditën që do të shkelni në tokën gjermane do të keni dyshin e rrogës sime dhe jam shumë i gëzuar që ju jeni futur në një kontratë të rregullt pune dhe më shumë jam i gëzuar se arsimi profesional ka vlerë. Ne kemi shumë probleme me arsimin profesional dhe mënyrën si perceptohet nga shqiptarët.
Kemi punuar fort për transformimin profesional dhe do të bëjmë ndryshime të mëdha”, tha ministri Klosi.
