Aplikimi për leje ndërtimi do bëhet ‘online’

redaktor

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë një aktiviteti të zhvilluar ditën e sotme deklaroi se duke filluar nga 1 prilli, aplikimi për lejet e ndërtimit do të bëhet vetëm online.

Veç kësaj, ajo deklaroi se të gjithë qytetarët tashmë do të njoftohen online për të gjitha procedurat dhe për ecurinë e kërkesës së tyre për lejen e ndërtimit.

Sistemi elektronik do të thjeshtojë punën e bashkive në shqyrtimin e lejeve, por nga ana tjetër shton akoma më shumë përgjegjësinë për të gjitha bashkitë dhe institucionet e përfshira në dhënien e lejeve. Sistemi do të monitorohet sa i përket vonesave, do të informojë në kohë reale qytetarin se në cilin institucion ka mbetur praktika e tij, dhe mbi të gjitha do të gjenerojë automatikisht vendimet e miratimit, në rast heshtjeje nga institucionet përgjegjëse.

“Dëshiroj të theksoj edhe një herë, se procesi i dhënies së lejeve nuk është as i bllokuar dhe as i pezulluar dhe se është detyrim ligjor i secilës bashki të pranojë dhe shqyrtohet aplikimet e qytetarëve. Në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (Bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamzë, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushe-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore përkatëse, për territoret administrative bashkiake përpara reformës territoriale”, tha ministrja.

Ky sistem elektronik do të realizojë njëkohësisht parimin e shërbimit me një ndalesë përmes ndërveprimit elektronik të të gjitha institucioneve të përfshira si dhe do të evitojë vonesat në vendimmarrje. Sistemi parashikohet të funksionojë si vijon:

Aplikimi për leje do të kryhet online në portalin e-Albania, ku secili aplikues do të aksesojë me kredencialet e tij.

Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet.

Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile, QKR dhe QKL dhe sapo të jetë e mundur nga ZRPP.

Dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në system.

Gjatë gjithë procesit, aplikuesi do të njoftohet me e-mail lidhur me statusin e aplikimit të tij dhe do të marrë po kështu me e-mail njoftim për të gjitha vendimet që do të merren lidhur me aplikimin e tij;

Pas dërgimit të aplikimit, sistemi do të njoftojë nëpunësit e Bashkisë kompetente ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në rastin e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, në e-mailin e tyre zyrtar, lidhur me faktin se një aplikim është në pritje për shqyrtim në llogarinë e tyre, përmes portalit e-Albania;

Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin, përmes sistemit, edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit;

Në përfundim të procesit, kërkesa bashke me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet për mendim Kryetarit të Bashkisë. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht kërkesën, aplikuesit i kërkohet të vijojë me pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë;

Në fund, pas vërtetimit të pagesës, sistemi gjeneron vendimin përkatës të nënshkruar me firmë elektronike nga Kryetari i Bashkisë dhe vendimi i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale tij në portalin e-albania dhe I njoftohet me e-mail;

Gjithë sistemi do të monitorohet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si kontrollues final automatik i gjithë procesit. Ky sistem parashikohet të fillojë të funksionojë në mënyrë të detyrueshme për të gjithë aplikuesit për leje ndërtimi, duke filluar nga muaji prill.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *