Çdo vit autoritetet japoneze heqin duzina trupa të varur nga një pyll i vetëm, por të tjerë mund të qëndrojnë të pazbuluar për vite me radhë. Bimësia është aq e dendur në pyllin Aokigahara, në këmbët e malit Fuji, Japoni, sa është fare e lehtë të gllabërohesh nga gjelbërimi dhe të zhdukesh përgjithmonë.
Në hyrje të pyllit qëndron një tabelë e madhe ku bëhet thirrje kundër vetëvrasjeve:
“Jeta jote është një dhuratë e çmuar nga prindërit e tu. Të lutem, mendo për prindërit, të afërmit, fëmijët. Mos e mbaj gjithçka për vete. Fol me të tjerët për shqetësimet e tua”, – lexohet në tabelë.

Pse kaq shumë njerëz zgjedhin këtë pyll për t’i dhënë fund jetës, mbetet një mister i madh, por mendohet se i pari që e ka nisur këtë rrugë është frymëzuar nga një roman ngjarjet e të cilit vendosen në atë vend.
Tashmë, pylli, që shumë e quajë të magjepsur ka frymëzuar Hollivudin për një film horror ‘The Forest’, me protagoniste aktoren e ‘Game Of Thrones’, Natalie Dormer.

34-vjeçarja interpreton rolin e Sarës, një e re amerikane e cila udhëton për në këtë pyll në kërkim të motrës së saj binjake. Me gjithë tabelat paralajmëruese për të mos u larguar nga rruga, Sara guxon të hyjë në pyll për të zbuluar fatin e motrës, por përballet me zemërimin dhe tmerrin e shpirtrave të të vdekurve.
