Nuk ka gjë më të çmuar për një komb se sa gjuha amtare, sepse kjo është mushkëria me të cilën ai merr frymë. Përmes shqipes ia dalim mbanë të përshfaqim krejt botën tonë të brendshme, të shprehim atmëmëdhedashurinë, dhe krenarinë që jemi lindur shqiptarë. Vlera e pakrahasueshme e gjuhës amtare shpjegohet me tharmin, hiret e sidomos me aftësinë e saj për të pasqyruar krejt historinë kombëtare, me gëzimet dhe trishtimet e saj, ëndrrat e përmbushura dhe shpresat e pluhuruara nga rrethanat e pafavorshme nëpër të cilat kemi kaluar. Në gjuhën amtare gjendet i gdhendur kujtimi i së kaluarës, i virtyteve tona stërgjyshore, i rrënjëve zanafillore. Gjuha amtare është një thesar që nuk shitet, as blihet, por mund të trashëgohet, të ruhet e të pasurohet me përkushtim. Ajo përbën shansin që kombi ynë të jetë i pranishëm si personalitet në arenën ndërkombëtare, të ekzistojë në shekuj dhe t’u bëjë ballë uraganeve të mundshme të çdo lloji. Mbi të gjitha, ta çmosh, ta duash, ta respektosh gjuhën e të parëve të tu, është detyrë e shenjtë për cilindo nga ne, kudo që ndodhemi.
Nuk duhet të harrojmë që duke lëvruar e mbrojtur gjuhën amtare, pra sinonimin e kombit e të identitetit kombëtar, përmes saj rilindësit shpalosën platformën për liri e pavarësi. Në ecurinë e kombit, gjuha, me misionin thelbësor të komunikimit, të nxitjes dhe të ushqyerjes së qytetërimit, përbën elementin më të rëndësishëm të ngjizjes së unitetit mbarëkombëtar. Më tej akoma: gjuha mishëron vetë qenien e kombit në tërësinë e tij.
Krahas historisë dhe besimit, gjuha ka përligjur dëshirat dhe të drejtat e shqiptarëve, u ka çelur horizonte dhe perspektiva, duke u dhënë luftrave dhe përpjekjeve të tyre fuqinë, këmbënguljen e patosin veçorizues.
Gjuha amtare jo vetëm duhet folur e shkruar, por edhe duhet studiuar qysh kur lindemi e deri kur vdesim. Sepse gjuha, si e tillë, përfaqëson ndoshta dukurinë më komplekse njerëzore dhe njëherazi të evolucionit të natyrës, etapë e epërme e cefalizimit të biosferës së planetit Tokë. Është mëkat kur vemë re që jo pak nga ne e flasin pa ndjenjë përgjegjësie ose, – ca më keq, – e këqyrin me një farë shpërfillje, duke parapëlqyer gjuhët “e mëdha”. Ky qëndrim, ndër të tjera, shkaktohet nga mosnjohja e vlerave të shqipes.
Nga ana tjetër, në një kohë që nuk mburremi dot, – dhe as që duhet të lakmojmë! – me lëshim raketash në hapësirën e lartë apo me armë të sofistikuara të shfarosjes në masë, – kemi të drejtë të ndjehemi krenarë që gjuha jonë, një nga më të hershmet e planetit, është e gjallë, pasurohet e përkryhet parreshtur, jep e merr me simotrat e saj, madje ndihmon në shpjegimin e shumë dukurive që lidhen me zanafillën e historinë e zhvillimit të tyre etj.
Gjuha shqipe ngjan me një nuse të bukur që nuk plaket kurrë, e freskët, e virtytshme, që respekton traditat e kombit, por nuk është aspak fanatike, e vetëmbyllur në guackën e saj. Përkundrazi, gjatë komunikimit të lirshëm, shprehet me maturi e mençuri duke merituar vëmendjen dhe respektin e të gjithëve. Pra është e hapur për gjithçka. Kjo është njëra nga arësyet që interesi për ta njohur dhe për ta mësuar me themel shqipen ka ardhur duke u rritur gjatë kohërave, jo vetëm nga specialistët e lëmit të gjuhësisë, por edhe nga përfaqësuesit e fushave të tjera dhe nga njerëzit e thjeshtë. Rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim luajnë “misionarët” e përkushtuar të saj, ata që e shohin si detyrë të perëndishme, të shenjtë, përhapjen dhe njohjen anekënd të vlerave të shqipes. Emrat e Kristoforidhit e të Naimit i frymëzojnë dhe ua shtojnë forcat dhe entusiazmin për të mos u ndalur për asnjë çast.
Një i tillë është edhe profesori Agron Fico. Qysh më 1958, me të përfunduar Fakultetin e Historisë e të Filologjisë (degën gjuhë-letërsi) në Universitetin Shtetëror të Tiranës, atij iu besua mësimdhënia e shqipes një grupi prej katër gjermanësh; më pas një grupi tjetër koreanësh, kinezësh, mongolësh, çekësh… Të gjithë ishin studentë dhe, me kalimin e kohës, u bënë albanologë e diplomatë të zotë. Ndonjërit, si gjermani Fiedler, tashmë njohës i thellë i shqipes, profesor Agroni i shpjegoi me durim dhe kompetencë, gjashtë muaj me radhë, trajtat e shkurtra të përemrave vetorë dhe “delikatesa” të tjera të kësaj natyre. Edhe punonjësit e Ambasadës së ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë nuk mbetën pa kërkuar ndihmën e kualifikuar të profesor Agronit, falë të cilit përvetësuan bazat e shqipes së folur e të shkruar.
Në periudhën 1961-1965 profesor Agronin e shohim në Universitetin e Pekinit. Aty krijon dhe drejton me autoritet të lartë shkencor katedrën e shqipes, harton metodika dhe tekste mësimore, që do të përdoreshin nga një numur gjithnjë në rritje studentësh të shqipes. Agroni hedh idenë, nxit dhe jep ndihmesë konkrete për fillimin e transmetimeve të emisioneve në gjuhën shqipe nga Radioja e Pekinit. Mirënjohjen ndaj mësimdhënësit të shqipes Agron Fico, ia shprehu përmes intervistës që i dha gazetarit Xhevdet Shehu, të “Dita”-s, kreu i Agjencisë “Hsinhua”, gjatë vizitës që bëri kohët e fundit në vendin tonë.
Më 1992, profesor Agroni jep mësim shqip në Ambasadën e SHBA në Tiranë, zhvillon kurse 1-2 vjeçarë me diplomatë, me pjesëtarë të Korpusit të Paqes etj. Në vitet 1995-2000, këtë “emisar të tre kontinenteve”, e shohim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Miçiganit. Atje shkon si i ftuar. Ngre në këmbë katedrën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në Universitetin Kolumbia, organizon një kurs të posaçëm nëntëmujor me studentë të vitit të tretë në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Për meritat e mëdha në fushë të mësimdhënies së shqipes, por edhe në fusha të tjera të kulturës e të dijes, përfshihet në Enciklopedinë Who’s Who e zgjidhet nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane. Profesor Agroni ka këmbëngulur dhe ka bërë të mundur dërgimin për studime në SHBA të një numuri të madh shqiptarësh.
Profesori Agron Fico ka dhënë për një kohë të gjatë mësim në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Akademinë e Arteve dhe në Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi”. Vital, si gjithmonë, tani është bashkërendues dhe drejtues i katedrës së gjuhës angleze në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, merr pjesë aktive me referate dhe kumtesa në veprimtari shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan e boton materiale publicistike etj.
Në të gjallë të tij, i pavdekshmi Eqrem Çabej pat thënë: “Agron Ficoja është i ri, por ka stofë prej shkencëtari të formuar”. Ndoshta këtë pati parasysh dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit “Eqrem Çabej”, kur, me rastin e dhënies Agron Ficos të titullit “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, u shpreh: “Kemi të bëjmë me një trekëndësh të shqipes: Çabej e përpunoi, Kadareja e shkroi, Ficoja e përhapi nëpër botë”.

Fatkeqësisht, Brezat e rinj,po e VRASIN GJUHËN SHQIPE,por e keqja më e madhe vjen nga Mediat e shkruara apo internetike,gjithashtu nga Politikanët dhe nga Personat publikë të cilët JANË VRASËSIT KRYESORË TË GJUHËS SHQIPE
Shqipja jonë e bukur, e re dhe e vjetër si një muze në buzët e shqiptarëve, duhet mësuar e përcjellë brezave me devotshmëri e krenari kombëtare. Të shkruhet e pastër dhe pa ndikimin e tastjerave kompiuterikë, të cilat, gjithsesi nuk përjashtojnë gërmat “ë” dhe “ç”, po të vritet pak mendja se si e ku t’i “gjesh”.
Pasuria më e madhe që paraardhësit tanë na kanë lënë është gjuha shqipe që flasim dhe shkruajmë. Gjuha jonë është aq e pasur dhe e thellë, me kuptime e nënkuptime, sa s’ka penelë në Botë që mund të pikturojë më mirë një ngjarje, një dukuri, një peisazh natyre, një ndjenjë dashurie apo hidhërimi, të përshkruajë në detaje histori të jetuara apo fantastiko-imagjinare, me një fjalë, gjuha jonë është e pasur dhe e thellë të na zmadhojë sytë e mendjes të shohim e kuptojmë gjithësinë njerzore dhe gjithësinë natyrore.
Pasionin për gjuhën shqipe nuk mund ta kenë vetëm gjuhëtarët profesionistë, por çdo shqiptar. Të përpiqemi që të ndikojmë tek fëmijtë tanë, të cilët, të ndikuar nga gjuhët e huaja, merren pak se aspak me shqipen (fëmijët në emigracion), të ndikuar nga shkurtimet që përdorin në rrjetet sociale apo përtesa për të vendosur germat “ë” dhe “ç”, jo vetëm për të ruajtur shqipen e pastër, por të ndikojmë që ta dashurojnë atë, ta pasurojnë edhe më tej, siç ndodh tek të gjitha gjuhët e moderne me potencial të përbotshëm.
Nga ana tjetër, do doja t’ju kujtoja Rilindasve të sotëm që të ndikojnë në ato vende ku emigracioni i shqiptarëve është i madh, sidomos në Greqi e Itali, që gjuha shqipe të mësohet nga femijët e organizuar në shkollat përkatëse. Është detyrë kushtetuese e Qeverisë për këtë përkujdesje ndaj mijëra e mijëra fëmijë, të cilëve u është mohuar deri tanimë të mësojnë gjuhën amëtare.
Fatos Luta, Itali.
Shqipja jonë e bukur, e re dhe e vjetër si një muze në buzët e shqiptarëve, duhet mësuar e përcjellë brezave me devotshmëri e krenari kombëtare. Të shkruhet e pastër dhe pa ndikimin e tastjerave kompiuterikë, të cilat, gjithsesi nuk përjashtojnë gërmat “ë” dhe “ç”, po të vritet pak mendja se si e ku t’i “gjesh”.
Pasuria më e madhe që paraardhësit tanë na kanë lënë është gjuha shqipe që flasim dhe shkruajmë. Gjuha jonë është aq e pasur dhe e thellë, me kuptime e nënkuptime, sa s’ka penelë në Botë që mund të pikturojë më mirë një ngjarje, një dukuri, një peisazh natyre, një ndjenjë dashurie apo hidhërimi, të përshkruajë në detaje histori të jetuara apo fantastiko-imagjinare, me një fjalë, gjuha jonë është e pasur dhe e thellë të na zmadhojë sytë e mendjes të shohim e kuptojmë gjithësinë njerzore dhe gjithësinë natyrore.
Pasionin për gjuhën shqipe nuk mund ta kenë vetëm gjuhëtarët profesionistë, por çdo shqiptar. Të përpiqemi që të ndikojmë tek fëmijtë tanë, të cilët, të ndikuar nga gjuhët e huaja, merren pak ose aspak me shqipen (fëmijët në emigracion), të ndikuar nga shkurtimet që përdorin në rrjetet sociale apo përtesa për të vendosur germat “ë” dhe “ç”, jo vetëm për të ruajtur shqipen e pastër, por të ndikojmë që ta dashurojnë atë, ta pasurojnë edhe më tej, siç ndodh tek të gjitha gjuhët e moderne me potencial të përbotshëm.
Nga ana tjetër, do doja t’ju kujtoja Rilindasve të sotëm që të ndikojnë në ato vende ku emigracioni i shqiptarëve është i madh, sidomos në Greqi e Itali, që gjuha shqipe të mësohet nga femijët e organizuar në shkollat përkatëse. Është detyrë kushtetuese e Qeverisë për këtë përkujdesje ndaj mijëra e mijëra fëmijë, të cilëve u është mohuar deri tanimë të mësojnë gjuhën amëtare
Fatos Luta, Itali.