Z Thano! Jemi një grup shokësh që e blejmë dhe e lexojmë me qejf gazetën “Dita” që kur ka dalë. Kohët e fundit, në këtë gazetë të nderuar po gjejnë hapësirë shkrime që nuk i shërbejnë askujt, përveç atyre që kërkojnë përçarjen e kombit shqiptar. Nuk është fjala për ata që e kritikojnë qeverinë. Mirë bëjnë, kritika përmirëson punën. Fjala është tek një farë Pëllumb Kulla. Emrin e ka të bukur. Ka emrin e shpendit simbol të paqes, mirësisë, dashurisë e vëllazërimit të të gjithë njerëzimit. Por ky emër këtij njeriu nuk i shkon.
E fundit, kur shihnim në faqen e parë emrin e Andrea Stefanit gëzoheshim. Por një koment që i bën intervistës së Nexhmije Hoxhës na ka befasuar. Tani pyesim: Po Stefani ç’pati? Ku e ka vrarë samari?
Z Thano! Nuk po bëjmë avokatin as të Nexhmije Hoxhës dhe as të gazetares së nderuar Xhunga, se dhe po të duam ne nuk e bëjmë dot. Por po bëjmë një vërejtje, apo një këshillë. Jemi të sigurt se nuk do ta botoni, por të paktën ne e bëmë atë që menduam se është e mirë edhe për gazetën “Dita”. Na falni për shqetësimin. Nga Ibrahim Biraçi, Hamit Myftari, Ibrahim Kamberi, Vedat Masha, Rexhep Masha.
