Një 14-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, një ditë më parë në komunën Medicina në provincën e Bolonjës.
Sipas medieve italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.00, kur pas mbarimit të orarit mësimor vajza nën shoqërinë e motrës së saj binjake po kthehej në shtëpi.
Ajo është Arsina Isufi dhe teksa po tentonte të kapërcente rrugën në qendër të qytezës është përplasur nga një makinë e tipit “Opel Combo”, drejtuar nga një shtetase italiane 38-vjeçare, banore e kësaj komune.
Mediet italiane shkruajnë se një helikopter i ndihmës së shpejtë ka transportuar me urgjencë 14-vjeçaren drejt spitalit “Maggiore” të zonës, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Ndërsa babai i Arsinës, Xhafer Isufi, ish-sipërmarrës ndërtimi, aktualisht i papunë ka thënë për mediet lokale se kur ka mbërritur në vendngjarje ka kërkuar që 38-vjecarja, e cila drejtonte automjetin duke shkaktuar vdekjen e së bijës të largohej menjëherë.
“Askush nuk mund ta kuptojë çdo të thotë për një baba të humbasë fëmijën. Nuk ka drejtësi për mua e familjen time”, ka shtuar ai.
Familja shqiptare së bashku me dy vajzat binjake jetonte prej disa vitesh në komunën Medicina, të provincës së Bolonjës.
