Megjithëse është ribotuar mbi 40 herë që nga hera e parë në vitin 1933, megjithëse në Holandë ka forcën e kryeveprës botërore të Prospier Merimes me personazhin korsikan Mateo Falkone dhe përdoret si libër i detyrueshën në të gjitha kategoritë e shkollave holandeze, libri me fabulën shqiptare të gjakmarrjes njihet fare pak, për të mos thënë fare në Shqipëri. Dy botimet e tij, një në Maqedoni në vitin 1993 dhe një tjetër në Shqipëri në vitin 2005 kanë kaluar pa u vënë re, ndoshta edhe për shkak të mungesës së publikimit.Megjithatë do falenderuar përkthyesi Sherafedin Mustafa, që, megjithëse modest, nuk duhet të heshtte për atë “goxha vezë të florinjë” që ka gjetur dhe e ka sjellë te lexuesi shqiptar.
Libri është një roman apo më mirë ta quash novelë, që e merr temën nga jeta shqiptare e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, dhe pikërisht nga ajo çudi shqiptare që i ka lënë gojëhapur të huajt, gjakmarrja. Si duket, autori, meqenëse ka ardhur disa herë në Ballkan, ndoshta ka ndenjur gjatë në Shkodër dhe malësitë e Thethit e të Shoshit, në udhëtimin e tij të njohur në vitin 1933 në Shqipëri, ku e merr shtruar nga Selaniku i Greqisë e deri në Sarajevë, e ka njohur dhe e ka vëzhguar mirë e me kujdes terrenin shqiptar. Merita e autorit qëndron jo vetëm në fabulën interesante, e cila i ngjan shumë asaj të Prospier Merimesë, me Mateo Falkonen, por që këtu Mateo është një 15-vjeçar që merr hak për nderin e familjes, por edhe për përshkrimin me ngjyra të gjalla të jetës së malësorëve shqiptarë, për mjetet artistike që përdor, duke e bërë librin të lexueshëm për të gjithë adoleshentët holandezë që bëjnë një shkollë. Shoqëria e kultivuar ka nevojë për libra të tillë, thotë autori, pasi sjellin frymën e jetës të panjohur dhe të veçantë për perëndimorët. Nuk është libër ekzotik, por pjesë e një të vërtete që u vesh shqiptarëve ato zakone dhe veti që i kanë dhe për të cilat kanë arsye të ndihen krenarë”.
Në vija të përgjithshme ngjarja është kjo: Një udhëtar i huaj, gjeolog, vjen nga një vend evropian dhe akomodohet ditën e parë të mbërritjes në një bujtinë në Shkodër, në derën e së cilës ishte vendosur një patkua kali, që siç mori vesh më vonë ai, ishte shenjë fati. Ndaj dhe libri e ka titullin “Bujtina me patkua”. Aty ai njihet me shegertin e bujtinës, një 15 vjeçar nga malësia e Shoshit. Duke biseduar me të, ai mëson se djaloshi ka ardhur në qytet të fitojë ca para, pasi i duhen për një punë të vetën. Udhëtari duke kërkuar hollësira për rrugën që do të bëjë nëpër male i thotë djaloshit nëse duhej nxjerrë lejë për armët te autoritetet vendore. Djaloshi i thotë se do ta sorollasin kot, ose do të gjenë një mënyrë për t’ia marrë, ndaj e mira është të mos nxjerrë leje, se askush nuk do ta bezdisë apo do t’ia kërkojë. Atë mbrëmje ndërsa udhëtari kthehet nga një shetitje në qytet, vë re se mungonte patkoi në derën e bujtinës. Kur shkon brenda dhe fut dorën në çantën e rrugëtimit, mungonte edhe arma e tij, një pistoletë tetëshe. Duk rëmuar ai gjen në fund të çantës një sasi parash, të cilat i kishte lënë djali në këmbim të pistoletës. Kur shkon të nesërmen në malësitë e Thethit mëson se djali kish vrarë jaranin e nuses së vëllait, që e kishte të shoqin në kurbet në Jugosllavi. Ai kishte ardhur kastile dhe ishte futur në punë në Shkodër për të zënë ca lekë për të blerë një armë, dhe këtë e arriti. Më pas drama thellohet. Një fshatar u tregon xhandarëve vendin ku ishte fshehur djaloshi. Pas një përpjekje të gjatë, djaloshi del nga rrethimi. Të nesërmen ai shkon në pazar në Shkodër dhe vret atë që e spiunoi, si dhe çon edhe patkuan që e kish shkulur atë ditë që kishte ikur nga bujtina. Në fund ai rrethohet nga xhandarët dhe vritet.
Librin e bëjnë interesant jo vetëm subjekti dhe historia rrënqethëse, por përshkrimi me imtësi i zakoneve dhe riteve shqiptare, tradita dhe mënyra e jetësë së tyre. Me të drejtë ai është një libër nga më të lexuarit në Holandë, por mirë është të jetë i tillë edhe në Shqipëri.
Doolaard: “Botimi në shqip, shpërblimi më i madh për mua”
Me rastin e botimit shqip, në vitin 1993, përkthyesi Sherafedin Mustafa i ka marrë këtë prononcim autorit, i cili, fatkeqsisht pas një viti, më 1994, vdiq. Ja si shprehet ai:
“Për një shkrimtar të moshuar, çdo botim i një vepre rinore përbën kënaqësi. Jam në vitin 1993, jam 92-vjeçar, ndërsa librin që keni përpara e kam shkruar pikërisht para gjashtëdhjetë vjetësh. Që nga viti i daljes më 1933, ky libër është botuar gati 40 herë në gjuhën time amtare, dhe përkthyer në gjermanisht, danisht dhe spanjisht. Këto shifra dhe fakte nuk po i përmend nga mendjemadhësia, pasi çdo herë kam qenë i vetëdijshëm, si një pjesë e madhe e suksesit, kanë qenë borxh i temës ekzotike dhe sfondit romantik, që të dy këta të panjohur për Evropën Perëndimore të stërkultivuar. Në të vërtetë e kam pyetur shpesh veten: “A i kam paraqitur mire, vallë, ata malësorë, me shkëlqim shpesh herë të errët para syve, me traditat e tyre të pakuptueshme për ne”.
Përkthimi në gjuhën e atdheut të personazheve të përshkruara, tani m’i largon dyshimet dhe konsideroj këtë si shpërblim të vërtetë”.
A.Den Doolaard Hoenderloo
Holandë, shtator 1993
Kush është Doolaard
Cornelis Johannes Spoelstra, me pseudonimin Doolaard, është një shkrimtar i njohur në Holandë. Ai ka lindur më 7 shkurt të vitit 1901 në qytetin Zvole të Holandës. Që i ri ka punuar në punë të të ndryshme të rënda, por pa u shkëputur nga letësia.Ai i largohet jetës konvencionale dhe i hyn rrugës së hulumtimit. Shkroi poezi dhe prozë në revista të ndryshme letrare. Në vitin 1928 shkon në Francë, ku punon si vreshtar rrushi në provincën e Burgonjës. Më pas ai shkon në Marsejë ku punon si punëtor porti. Në këtë kohë shkruan romanin e parë të tij, “Vjelësit e rrushit” që u prit mjaft mirë në Holandë. Në vitin1933 shkon në Ballkan, në Maqedoni, Jugosllavi, Greqi, Shqipëri. Po këtë vit bën një udhëtim nga Selaniku nëpër gjithë Shqipërinë deri në Mal të Zi e Sarajevë. Me temë ballkanike ka librat “Dasma e shtatë evgjitëve”, ngjarja zhvillohet në Ohër; “Vendi pas shpinës së Perëndisë” përshkruan ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore në Mal të Zi; “Bujtina me patkua”, me ngjarje nga Shkodra dhe malësitë e saj, etj. Ai ishte një njeri energjik dhe i pëlqenin aventurat, ndryshimet dhe udhëtimet. Ka qenë në shumë vende të Evropës, të Azizë, Afrikës etj. Tregimet e tij kanë mahnitur shumë lexues, sidomos të rinjtë. Në mos më shumë, ne, si shqiptarë, na takon të paktën ta njohim për atë vepër interesante që ka shkruar, për shërbimin e madh, duke bërë të njohur me këtë rast shqiptarët në vendin e tij dhe për më tepër, sepse ai, si askush tjetër i huaj, ka shkruar për ta me shpirt e dashuri të thellë.

Duhej lexuar 1/2 e processionit patetik,qe te lexohej titulli i librit,qe kishte cmendur Hollanden,terbuar Francen,leshleshuar Gjermanine,por si gjithmone ka harruar Shqiperine.
dhe si gjithnjë e pamundur që të jepet dhe emri në origjinal!!” De herberg met het hoefijzer”
duhet me lujt kukafshefti për ta gjet!!
profesionalizëm gazekaresk!
E si mund te mburremi me nje zakon kriminal,qe na trtegon para botes se jemi prane NJEREZVE TE EGER dhe se shgteti tek ne nuk ekziston?
Ne se doni te mburreni,tregoni te kunderten e asaj te shkruan shkrimtari holandes:
-“SI ARRITI SOCIALIZMI I ENVER HOXHES TE ZHDUKTE GJAKMARRJEN NE SHQIPERI?”
Ja per kete ka nevoje imazhi i shqiptareve e jo GJAKMARRJA PRIMITIVE qe edhe sot po ben kerdine!!!
Vrejtje me vend !Si mundet ti besh vlersim nje plage aq te madhe kombetare kur sot nuk numurohen vrasjet e hjakut dhe ngujimet e te pafajshmeve deri femij ! Cfar behet keshtu !!!Ai Gjebrea shkon interviston monstren qe vrau nen e bij e ja mbathi ne Amerik ku edhe u martua !! A luhet ,a tregtohet me dhimbjen ???Nese ka dicka te madhe e te mir qe nuk ja mohon dot Enver Hoxhes esht pikerisht ajo qe beri me shuarjen e gjakmarjes e rafshoi kullat e ngujimit ! Holandezet le te lexojn “bukuri”te tilla sepse jan tregime si te Xhek London ne Alask qe terheqin lexusin ne krevatin e ngroht ,por per ne shqiptaret qe ja njohim pasojat dhe e kemi ne der, kte “perbindesh qe troket,” vec rrenqethje e tmer na pushton ! Ne nje Shqiperi ku nuk funksionon drejtesia dhe ajo blihet me para e krimineli e hajduti behet edhe deputet ,ky lloj tregimi “ngacmon”fantazin ,por e keqja esht se shqiptari kerkon ti qendroj besnik zakonit e nuk hakmeret per dhunimin qe ju bejn politikanet ! Shikojn “pemen”e nuk shohin “pyllin” ……..