Zbardhen tetë ndryshimet e statutit të PS-së

Dita

Tetë janë çështjet kryesore që janë ndryshuar në statutin e Partisë Socialiste të miratuar në vitin 1991 dhe të ndryshuar vetëm një herë në vitin 2011.

1. Statuti i ri përcakton si parime themelore: lirinë e mendimit dhe e shprehjes; kolegjialitetin në funksionimin e forumeve drejtuese në të gjitha nivelet; nxitjen e karrierës politike të çdo anëtari të partisë, bazuar në meritë, kontribute por edhe në integritetin ligjor e moral; shmangien e konfliktit të interesave dhe nepotizmit; harmonizimin më i mirë të përvojës së brezave në vite; promovimi e mundësive të barabarta për gratë, vajzat dhe të rinjtë.

2. Rritet roli aktiv i anëtarit të partisë duke e përfshirë atë në vendimmarrje, në diskutime për përzgjedhjen e përfaqësuesve socialist në organet drejtuese të partisë dhe në organet përfaqësuese në qeverisjen qendrore e vendore. Normat e reja parashikojnë krijimin e një sistemi meritash dhe hierarkie në funksionimin e Partisë Socialiste dhe ndërtimin e mekanizmave statutorë për garantimin e meritokracisë.

3. Riorganizohet partia sipas ndarjes së re territoriale. Konkretisht strukturat bazë në nivel vendor janë: i) Organizata Socialiste; ii) Këshilli Socialist i Njësisë Administrative; iii) Asambleja Socialiste e Bashkisë ; iv) Këshilli Koordinues i Qarkut.

4. Ruhet parimi i zgjedhjes së çdo drejtuesi të saj, nga organizata bazë dhe deri te Kryetari i Partisë Socialiste dhe forumet e saj kolegjiale drejtuese. Ndërkohë që normat e reja ripërcaktojnë dhe qartësojnë kompetencat e forumeve drejtuese, për të garantuar një raport më të drejtë midis organeve vendimmarrëse politike dhe ekzekutive, si dhe për të evituar dublimet në vendimmarrjet respektive. Ndryshimet e bëra përcaktojnë mekanizma statutorë që detyrojnë zbatimin e Statutit edhe kur mungojnë vullnetet individuale ose kur këto vullnete janë të pamjaftueshme, forcimin e frymës së llogaridhënies dhe përgjegjësisë në ushtrimin e funksioneve politike dhe organizative.

5. Statuti i ri bën një diferencim në momentet kur partia është në pushtet dhe kur është në opozitë. Në këtë këndvështrim jepen një sërë rregullash lidhur me përbërjen e forumeve në periudhën qeverisëse dhe zgjedhjen e kryetarit të PSSH-së kur partia është në ushtrimin e përgjegjësive të saj qeverisëse dhe kryetari i saj ushtron përgjegjësinë e kryeministrit të vendit.

6. Ndryshimet për herë të parë përcaktojnë parimet e zgjedhjes së përfaqësuesve të partisë në degët e qeverisjes qendrore e vendore; përcaktohet detyrimi për të vlerësuar rastet e mosmbajtjes njëkohësisht prej përfaqësuesve të partisë të më shumë se një detyre qeverisëse me detyrën në parti; parashikohet parimi i shmangies së konfliktit të interesave dhe nepotizmit në zgjedhjen e drejtuesve, përfaqësuesve dhe vendimmarrjet e partisë në të gjitha nivelet; vendosen rregulla të qarta për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për ta bërë procesin e përzgjedhjes shumë më të hapur ndaj anëtarësisë dhe votuesve të partisë; qartësohen rregullat për funksionimin e grupit parlamentar socialist, zgjedhjen e drejtuesve të tij, rolin e përgjegjësinë politike të deputetit në zonën elektorale dhe vlerësimin e performancës së tij në ushtrimin e detyrës etj.

7. Statuti i ri përcakton një sërë normash të reja lidhur me kushtet organizative dhe ligjore që duhet të plotësojë një person për t’u zgjedhur në parti dhe si përfaqësues i saj, kriteret e integritetit moral që duhet të përmbushë,
nevojën për miratimin e Kodit Etik në parti, i cili do të parashikojë kriteret e komunikimit, marrëdhëniet etike, kushtet ligjore dhe standardet e integritetit që duhet të përmbushen nga çdo kandidat si edhe rregullat për vlerësimin e zbatimin e tyre. Statuti i ri parashikon masa ndaluese e penalizuese për përzgjedhjen dhe përfshirjen në strukturat drejtuese të partisë ose në detyrat përfaqësuese politike dhe institucionale, të individëve të dënuar për vepra penale korruptive e kriminale.

8. Skema e re financiare parashikon që kontributet në parti do të përcaktohen në bazë të gjendjes financiare të anëtarëve, ndërsa do të ketë penalizime nëse përdoren burime të paligjshme financiare. Do të bëhet një ndarje e qartë e menaxhimit financiar nga auditimi financiar ndërsa caktohet zgjedhja e Kryefinancierit dhe financierëve në strukturat vendore të partisë si dhe ngritja e Këshillit Mbikëqyrës së financave të partisë me auditues të brendshëm si dhe parashikimi i auditimit ligjor, përmes kontrollit periodik të financave të partisë me auditues të jashtëm, në përputhje me ligjet në fuqi.

Share This Article
1 Comment
  • Hahaha sa bukur qe tallen keta me militantet! Po kreret po tregojne se nuk pyesin fare se cfare eshte shkruar ne rregullat e brendshme. Cdo gje dridhet sipas interesit. I pate votimet se cfare farse e peshtire??? Rama ka alergji nga demokracia ai eshte autokrat dhe satrap me keq se Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *