Në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ali Asllanit, (1966-2016)
Nga Nasho Jorgaqi
Më kanë ngelur në kujtesë disa momente për të cilat ai më tregonte me emocion. Kështu, kish një peng të hershëm, që i kish mbetur gozhdë në zemër. Ky ishte udhëtimi deri në Stamboll tok me disa patriotë vlonjatë në vitet ‘20 për të marrë eshtrat e Naim Frashërit. Me gjithë përpjekjet e bëra, s’ia kishin dalë në krye misionit të marrë përsipër. Dhe qe dëshpëruar aq shumë sa nuk ish çmallur dot as me Stambollin, qytetin e rinisë së tij.
E kundërta kish ngjarë kur kish vajtur në Kalabri më 1918, i ftuar nga një mik arbëresh, dhe kish vizituar Maqin dhe Shën Mitrin, vendlindjen dhe kolegjin e De Radës. Duke vënë dorën në gjoks më thoshte: “Ja, këtu e kam, gjithë ç’ndjeva kur shkela në viset e tij. Një bukuri binjake si në anët tona. Po lëre pasandaj, or tungjatjeta, kur dëgjoja tek kuvendonin arbërisht. Më dukej sikur më fliste një mëmë e lashtë arbëreshe, që kohërat e vështira e kishin hedhur përtej detit, por gjuhën s’ia kishin prerë dot. Arbëreshi është rac’ e fortë”. Kjo vizitë i shërbeu ta njihte më mirë poezinë e De Radës, e cila, sado e shkruar në një të folme shumë të hershme, i kish tingëlluar si muzikë. Ndjente frymën e shenjtë të artistit dhe shtonte: “Mbase këtë e kanë ndjerë dhe Lamartini e Hygoi, që e çmuan dhe e nderuan, kur u njohën me vargjet e tij”. Me këtë rast më tregoi që Ismail Qemali kish pasur njohje dhe miqësi me V. Hygoin dhe këtë ia kish treguar vetë ai, kur një mbrëmje shëtisnin buzë detit përtej Ujit të Ftohtë bashkë me L. Gurakuqin e L. Nosin.
Shoqërimi me Ali Asllanin, sado i çuditshëm që mund të duket, kish si bosht bisedat për dashurinë. Kryefjala e tij ishte gjithnjë shprehja “Amore e felicita”. Ai fliste për dashurinë me gjallëri e ngazëllim. Ishte ashik i saj, kish natyrën e zjarrtë të bejtexhinjve, përkushtimin e tyre pas asaj ndjenje, por jo se shkruante si të rinjtë. Sepse, kush i kish lexuar vjershat e tij, e dinte se dashuria ishte tema zotëruese, zemra e gjithë krijimtarisë së tij. Shpirti i digjej përjetësisht nga dashuria. Gjithë kohën fliste për të, tregonte ngjarje, recitonte vargje, orvatej me takt të pyeste e të merrte vesh nga të fshehtat tona, kishte një kureshtje të përvojtur të mësonte diçka nga dashuria e brezit tonë. Në këto raste ai bëhej delikat, herë i menduar e herë shpërthente në dufe, por ngaherë dinjitoz. Gjithë kuptimi i jetës për të ishte dashuria. Jashtë saj, siç thosh ai vetë, vinte shkretëtira. Bukuria e gruas ishte mbi çdo gjë. Ishte Meka e poezisë, Meka e poetëve, pra, më e shenjta gjë e njeriut. Por ky përkushtim i xha Aliut, kjo lidhje e gjithëpushtetshme që ai kish me dashurinë e me bukurinë e gruas, shfaqej në rrethana të caktuara, në disa momente, të cilat vetëm poeti dinte t’i krijonte. Nuk mbaj mend asnjëherë që biseda për dashurinë e për bukurinë e gruas të banalizohej prej tij. Ai dinte ç’thoshte e ç’kërkonte. Ishte sa serioz aq dhe delikat, kur fliste për dashurinë.
Poeti e mbante veten për malësor dhe krenohej që vinte nga malet e Labërisë. Një herë më tha: “Ju fusharakët në dashuri jeni ca qaramanë. Ja, dëgjo këngët e fushës për dashurinë: “Ku më ishe, o shpirt’ o xhan / të prita mbrëmë në stan … aman, aman, aman!” Burri nuk duhet të qahet kurrë, – shtonte, – edhe në dashuri. Biles lipset të tregohet i ashpër. E di, zotrote, si i drejtohet labi të dashurës? “Ku më ishe, moj qen’ e qenit / Të prita te guri i lëmit / Më griu era e shkëmbit!”. Qëne e quan dhe i flet me një inat që rrëfen dashuri!”
Kur sjell ndërmend Ali Asllanin, gjithnjë më del para syve në Klubin e Shkrimtarëve, ulur në kolltuk me atë gotën e vogël përpara duke vështruar përkarshi nga binte dera. Klubi atëherë gjendej pranë Teatrit Popullor. Dhe kjo rrethanë qe fatlume për poetin. Aty vinin kohë pas kohe, sidomos paraditeve, aktoret e teatrit për të pirë kafe e për të pushuar në mes provave. Poeti picërronte sytë dhe mundohej t’i sodiste nga larg dhe nga afër. Dhe ishte një ngazëllim i vërtetë për të, kur i ulej në tavolinë ndonjë nga aktoret që i pëlqente në mënyrë të veçantë. “Eja, më thoshte mua herë pas here, eja të gëzojmë shpirtin. Shih sa pranë e kemi bukurinë”. Dhe unë, që atëherë isha i ri dhe kisha më shumë shanse për t’m’u afruar ndonjë aktore e bukur, ulesha pranë xha Aliut. Atij i bëhej qejfi pa masë, se vërtetë në tavolinën tonë vinin e uleshin aktorë e aktore. Atëherë veçse ta shikoje fytyrën e poetit. Sytë i shkreptinin. Binte gati në një farë ekstaze dhe pastaj shtonte në mënyrën e tij të çiltër “Se ju të rinjve këto guguftutë ju vijnë vetë, kurse ne pleqtë duhet t’i ndjellim duke i pëshpëritur “vidi, vidi pëllumbeshë”. Po vallë, a na dëgjojnë, se zëri ynë s’është më i pari?…”
Ali Asllani, një nga djemtë, Luanin, siç do të më tregonte, e kish shkrimtar, por e kish peng për dy arsye: Së pari, e kish larg, të mërguar prej kohësh në Kanada; së dyti, vërtet kishte arritur të bëhej shkrimtar, por ishte autor romanesh policeske, bile kishte fituar edhe çmime kombëtare. Të atit i vinte shumë mirë për këtë, por kish dëshirë të qe bërë poet dhe të këndonte si në anët e tij. Por ai shkruante në fakt në gjuhë të huaj!
Kujtimi i fundit që kam nga Ali Asllani është një poezi që ma dhuroi para se të zinte shtratin dhe m’u lut që një ditë ta botoja. Nuk e harroj atë takim, kur në një tavolinë të Klubit, tek rrinim përballë, ai ma recitoi më një zë të zvargur. Ishte amaneti i poetit në pak vargje. U drejtohej vajzave: “Gjithë jetën ju ndoqa pas dhe tani që po iki, më ndiqni ju”. Ky është kuptimi, me një thelb tepër njerëzor, pra, kulmi i sinqeritetit. Poeti nuk dinte të shtirej e të pozonte. Ai i qëndronte deri në fund besnik vetes, natyrës së tij, shpirtit poetik që i jepte jetë dhe e mbante gjallë.
Dhe unë ia mbajta fjalën. Ia botova, por jo menjëherë pas vdekjes, se dikush e quajti tepër intime dhe mund të cenonte imazhin e autorit. Ajo u botua, më duket, në pesëvjetorin e vdekjes, në një cep të gazetës “Drita”. Kënaqësia ime ishte e madhe jo vetëm se plotësova një amanet të poetit, por dhe sepse poezia u pëlqye si nga më të çiltrat e shkruara prej tij.
Në vitet që erdhën më pas mallin për poetin dhe mikun tim e kam nxjerrë duke lexuar herë pas here poezitë e tij. Dhe them se nga ato mijëra vargje që ai na ka lënë, nuk janë të pakta ato që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të dhe përftojnë portretin e tij shpirtëror. Madje s’janë të rralla edhe vargjet që tingëllojnë gati si epitafe për veten. Kështu, duke qëmtuar nëpër lirikat e tij, do të pikasja një prej tyre, që ndoshta do t’i shkonte poetit, ashtu e skalitur te koka e gurtë, ku ai fle gjumin e përjetshëm:
Lërmë le, pse doemos
sot a nesër unë do sos,
do të bëhem fije bari
ose plis i një ugari
ose flet’ e një hardhie…
do më nduk një dhëmb dhie…
2
Po u kthehem rishtazi kujtimeve për poetin, po kësaj radhe do të përpiqem të sjell ndër mend e të lidh gjithë ç’më ka treguar për disa momente, që ndoqi krijimtaria e tij. Do të më thosh se ishte rritur në një mjedis fetar. Babai, Asllani, kish qenë teolog me arsim të lartë islam dhe pas vdekjes së tij për të qenë përkujdesur teologë të tjerë, të afërm e miq të të atit, prej të cilëve kish marrë mësime fetare në turqisht, persisht dhe arabisht. Pastaj në Vlorë, ku kish lindur dhe kish ndjekur shkollën e Muradies e qe shoqëruar me shokë të krishterë, kish mësuar dhe greqisht. Ai tregonte me të qeshur se, pasi kish shkruar në gjuhët orientale nga e djathta në të majtë, kish mësuar të shkruante pastaj nga e majta në të djathtë në gjuhën greke e më pas në atë latine. Dhe kjo s’ishte gjë e vogël për atë kohë. Me këtë adoleshenti lab kish kapërcyer gardhin e ngushtë të mjedisit dhe kish dalë në hapësira më të gjera, po të marrim parasysh se pak më vonë kish nisur të lexonte gazeta dhe libra shqip. Duke evokuar ato vite të largëta, ai do të më shpjegonte një ditë se, i gjendur në rrethana që s’i kish pasur në dorë, do të qe një prirje e brendshme ajo që e kish bërë të tërhiqej më shumë nga bukuria e këngëve popullore sesa nga mësimet fetare. E kish tërhequr pa masë kënga labe aq e këndshme dhe e kultivuar në mjedisin e në fisin e tij, në Vajzë, në fshatin e prindërve, po akoma më tepër në Trevllazër, te njerëzit e nënës, ku qe rritur jetim. Një nga dajallarët e tij, Ahmet Memeni, rapsod me emër në gjithë Labërinë e Vlorës, kish ndikuar fort mbi të nipin, që kish një natyrë të ndjeshme e shpirt delikat. Aliu i vogël, para se të thurte vargje, do të mësonte të këndonte, duke iu bashkuar dajës, kur ia merrte këngëve labe nëpër odat e miqve. Dhe vetëm pas kësaj djali i hajthëm i Asllan Sulejmanit nisi të shkruante vargje që, sado e çuditshme të duket, i thuri ato jo në gjuhën amtare, por në turqisht e sidomos në persisht. Dhe kjo ndodhi kur ishte nxënës në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Persishtja aso kohe mbahej dhe ishte në gjithë Orientin gjuha e poezisë. Edhe Naimi, siç dihet, librin e parë poetik “Ëndërrimet” e shkroi në këtë gjuhë. Edhe Aliu kështu veproi, pa e ditur ndoshta se ç’kish ndodhur me poetin e madh. Por për herë të parë botoi vjersha në gjuhën turke në gazeta dhe revista të Stambollit e të Konjës së Anadollit. Po, kur ndjeu në shpirt frymën e lëvizjes kombëtare dhe u bë adhurues e ndjekës i Ismail Qemalit, aty nga vitet e fundit të “Zosimeas”, filloi të vargëzojë në gjuhën amtare. Ishin këto, siç kujtonte poeti, vjersha dashurie dhe trimërie, që ia këndonte shpirti. Sepse “nuk kishte si të ngjante ndryshe, or tungjatjeta, kur unë isha i gatuar me shqipen”. Ndaj në vitet që do të vinin, kur iu desh të jetonte e studionte në vise të huaja, kuvendonte në gjuhën e mëmës përmes vargjeve që thurte sa herë që e zinte malli për vendin e lindjes.
Në fakt, do të qenë ngjarjet që erdhën më pas, siç qenë shpallja e Hyrjetit, kongreset shqiptare e sidomos Shpallja e Pavarësisë që e bënë Ali Asllanin të angazhohej në lëvizjen kombëtare dhe
t’i këndonte zemra për idealet e saj. Dhe zemra tani e përngaherë do të këndonte vetëm shqip. Këtë do ta dëshmonte me vitin 1914, kur i internuar nga italianët në Itali do të shkruante mbi pesëdhjetë vjersha kryesisht me tema patriotike. Por nga bisedat e tij do të dëgjoja jo një herë se poet të “shqipes së zjarrtë që të lë pa mend, or tungjatjeta, më bëri Vlora”. Me këto fjalë kish parasysh ngjarjet e epopesë së saj në 1920, që i përjetoi si kurrë ndonjë ngjarje tjetër. Ato do të qenë ditë e net plot emocione të papërsëritshme, të cilat poeti do t’i përndjente gati si në jerm. Do të ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora”, të cilin vërtet ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por, në fakt, ziente brenda gjoksit të poetit. Kur kujtonte këtë moment, i rrëmbusheshin sytë dhe, sado që mundohej ta fshihte krenarinë, ajo ndihej nga zëri, nga sytë, nga fytyra. Ia njihte meritën e suksesit të madh të këngës muzikës së kompozitorit Thoma Nashi, që u ndodh ato ditë në Vlorë, i ardhur nga Amerika me Bandën e “Vatrës”. Po, kur unë i thashë se “vargjet e zotërisë tënde, xha Ali, janë muzikë më vete, kanë ritëm kryengritës e fjalë barot dhe do të frymëzonin çdo kompozitor”, ai ma mori dorën e ma shtrëngoi fort. Pastaj do të më tregonte se kënga ish kënduar për herë të parë në mitingun e fitores në shtator të 1920-s, mbledhur në Sheshin e Flamurit, ku ai, si kryekatundar (kryetar i Bashkisë) i Vlorës kish mbajtur një fjalim përshëndetës, që ka mbetur i paharruar në kronikën e kohës. Fryma e epopesë së Vlorës do të bëhej verbi kryengritës i gjithë poezisë patriotike të Ali Asllanit në vitet e mëpasme. Ajo do të mbetej pjesë e pandarë e krijimtarisë së tij edhe kur poeti do t’i këndonte aq bukur dashurisë apo do të satirizonte e stigmatizonte të këqijat e botës shqiptare.
Pas tallazeve politike, që kulmuan me epopenë e Vlorës, po që u pasuan më vonë me luftë e grindje mes forcave të kundërta për pushtet, poeti, që punonte në fillim të viteve ‘20 si këshilltar e sekretar i përgjithshëm pranë Kryeministrisë, gjeti një rrugë për t’u shmangur nga kjo atmosferë mbytëse për natyrën e tij të ndjeshme. Kërkoi, siç më thoshte, të hynte në shërbimin diplomatik dhe nuk ia refuzuan. Ministër i Jashtëm asokohe do të ishte Fan Noli, i cili jo vetëm do ta mbështeste, por do ta mirëkuptonte e çmonte si zgjidhjen më të mirë për një poet. Do ta niste punën si Konsull në Trieste, ku do të qëndronte afro tre vjet. Këtu do ta gjenin ngjarjet e 1924-ës, ardhja dhe rrëzimi i Nolit nga pushteti si dhe lëvizja anasjelltas e Zogut. Në janar të 1925-s pati bile dhe një telash, kur Noli, pas disfatës, zbriti në Itali dhe i lypi ndihmë poetit për t’i siguruar vizë atij dhe Luigj Gurakuqit. Ai nuk e refuzoi, përkundrazi pati guximin që të ndërhynte e t’ia siguronte. Ky gjest do t’i kushtonte përkohësisht, sepse do ta kthenin në Tiranë, por Zogu do ta falte poetin, duke e dërguar me detyrën e të Ngarkuarit me punë në Sofje, ku do të qëndronte gati pesë vjet. Në kryeqytetin bullgar ai do të gjente një mjedis të ngrohtë e të qetë, i mirëpritur jo vetëm nga kolonia patriotike shqiptare, por dhe nga rrethet zyrtare e intelektuale. Poeti do ta kujtonte atë kohë me nostalgji sa herë binte fjala, sepse, siç thoshte, gjeti vetveten, iu kthye frymëzimi dhe iu kushtua poezisë si asnjëherë më parë. Edhe pse në dhe të huaj, ai kish me vete botën shqiptare, njerëzit e saj, jetën dhe psikologjinë e tyre, zakonet dhe mentalitetet, të cilat herë pas here i faniteshin në distancë me një forcë joshëse e qartësi të habitshme. Ky, siç e shpjegonte ai, nuk është vetëm malli kur ndodhesh larg atdheut, por një gjendje e veçantë shpirtërore, një përjetim i thellë, që i zgjohet vetëm krijuesit, poetit. Atij i kishin mbetur në mendje ato ditë e net, kur i kish lindur ideja dhe kish nisur t’i përftohej imazhi i një vepre poetike, e cila jo vetëm do t’i kapërcente kufijtë e poezive lirike që kish shkruar deri atëherë, por do të përbënte një vepër të veçantë tregimtare në vargje të poezisë shqipe. Kështu kish ardhur në jetën e tij “Hanko Halla”. I kish ardhur nga brenda dhe nga jashtë vetes, përmes kujtimeve dhe mendimeve, nostalgjisë dhe qesëndisë për njerëz e mjedise, të cilët i ndjente të afërt tani që detyra e kish hedhur larg tyre. Por ishte tamam kjo largësi, ai mjedis i huaj ku ndodhej, që do të ktheheshin në një sfond plot dritë, ku do të gjallonte e lëvizte Hanko Halla, heroina e tij. Për afro tre vjet poeti do të jepte e merrte me të, do të dialogonte me veten, do të evokonte ngjarje dhe momente psikologjike, që zbërthenin karakterin dhe tipin e Hanko Hallës. Kësaj here do t’i linte mënjanë dufet lirike dhe do t’i kthehej humorit e satirës, talljes e qesëndisë për një realitet e mentalitet anakronik, që po perëndonte me vështirësi në shoqërinë shqiptare. Kur bisedonim për Hanko Hallën, poeti nuk do të mënonte të më thoshte se, ashtu siç e kish trajtuar atë, ai ish radhitur në krahun e progresit dhe kjo s’qe meritë e vogël, përderisa i qe kundërvënë e i kish shpallur luftë të vjetrës. “Je treguar dialektik”, i thosha unë, ndërsa ai më vështronte me njëfarë mosbesimi e ma kthente: “Atë nuk e di unë, e dini ju të sotmit”.

Rrespekt shkrimtari i mirenjohuri Nasho Jorgaqi .
Eshte bukur , te flitet per figurat e shquara te ktij vendi ,
sepse ky eshte rrespekti qe i bejme vehtes tone si shqiptare . Ju pershendese.
Shkoj ne Vlore ne qershor te vitit 1974.Ne qender te Vlores,perballe nje berberhane ishin mbledhur njerez.Afrohem dhe lexoj nje Flete- Rrufe sa nje carcaf te nenshkruar nga nje grup oficeresh te revoltuar qe nje mjek i ketij qyteti ishte varrosur me nderime te medha;se ne varrim kishin qene edhe pushtetare te atehershem,se femijet e mjekut ishin ne punera te mira,por biografia e mjekut nuk ishte e mire;kishte ca njolla.Me poshte vazhdonte pergjigja e familjes,ku mesova se mjeku kishte qene edhe sheronjes i partizaneve;Pastaj vazhdonte flete-rrufe n-2,n-3 e me radhe..Kush e beri Vloren kryeqytet te luftes se klasave,sa edhe te vdekurit nga varri te mos gjenin prehje?Vlora e Ismail Qemalit,e Qazim Koculit,e Ali Asllanit u be xhehenem per bijte e saj.Nuk rrinte dobici gjirokastres,nuk i zinte shpirti rehat pa ndezur urat e luftes se klasave..
i nderruar demo
duke uruar qe te mos jesh ndonje “deleted” si kaci islami me lejo te jap nje keshille:
kur behet fjale per nje artikull ne Tirane dhe ti shkon ne Vlore apo Gjirokaster kjo tregon se ke probleme mentale serioze.
sinqerisht,do prisja dhe komente negative per Aliun ose Nashon por ti as i ze ne goje por paske pare nje flete rrufe ne 74′ ne Vlore kur vije per pushimi nga Parisi…
o jalla Demo
I gjori Demo,
i shkreti Demo,
zavalli Demo-
Gjithkush që e shihte atë njeri që udhëtonte me një gomar, ndjente keqardhje. Ishte bërë për t’i qarë hallin.
Edhe e shoqja e tij rrinte e sëkëlldisur. I vinte keq për të. E dinte kush ishte Demoja. Ai kishte luajtur nga fiqiri. Demoja nuk e kuptonte dot, s’kish sesi. Gjezdiste parreshtur vend më vend. Njerëzit e shihnin dhe qeshnin. Demoja thoshte: “Sa shumë më duan mua!” Ai thoshte marrëzira, njerëzit e duartrokisnin. Demoja thoshte: “Gëzohen me mençurinë time!”. Ai mburej me pasurinë që kishte, njerëzit lotonin. Demoja thoshte: “E kanë nga lumturia!” Kudo që shkonte, thoshte të njëjtat fjalë. Njerëzit e shikonin me habi. Demoja thoshte: “Unë do të habit gjithë botën!” “Kur dikush i thoshte se hajvani ku kishte hipur nuk ishte kalë, por gomar, Demoja thoshte: “Mos e besoni, ai është i çmendur, e ka vendin në burg!” Demoja mbeti si një kryevepër folklorike. Bëmat e tij nuk kishin të sosur. Demon shqiptar nuk e gjen dot në asnjë vend të botës.
Edhe Servantesi do të kishte zili Mëngjeseve i hipte gomarit dhe nisej për udhë. “Demoja thoshte:“Kam një kalë me shallë,/ e rrinte Demoja kapardisur,/ e shoqja rrinte sëkëlldisur” I shkreti Demo, i gjori Demo, zavalli Demo, as e shoqja nuk e besonte. Gruaja e tij e dinte që Demoja nuk kishte një kalë me shalë, por një gomar të çalë. I shkreti Demo! Qante gruja e tij për të: si nuk e ndante dot i shkreti Demo se kush ishte gomari dhe kush ishte kali. Donte të çudiste gjithë dynjanë me “kalin” e tij, por gomari i Demos nuk nuk kishte as samar dhe nuk kishtë as litarë. Demoja thoshte: “Kali im i ka të gjitha!“ Njerëzit e shihnin dhe qeshin. Demoja thoshte:“Më kanë zili, në asnjë vend të botës nuk gjen si kali im!“ Sa herë takonte njerëz të njohur e të panjohur, ndalte gomarin dhe niste t’u tregonte: Demoja thoshte: “Kam një palë shtëpi saraje!, – dhe e ngrinte kokën përpjetë, dhe mbahej fodull, dhe mbahej hijerëndë, të gjithë njerëzit kanë pallate, por sarajet e mia janë shumë të larta, ato prekin qiellin, unë llafosem me Zotin! Edhe bota nuk ka parë saraje si të miat!
Demoja ecën përpara, bota e ndjek pas!”. Pastaj godiste gomarin me dhemrat e këmbëve dhe nisej përsëri për udhë. Të gjithë e dinin që Demoja nuk kishte sarjae, por kasolle me kashtë, ç’binte brenda binte jashtë. I gjori Demo! Demoja largohej me gomarin dhe njerëzit e ndiqnin me sy e me keqardhje. Bashkë me gomarin e tij shkonte fshat më fshat. Gomari ecte ngadalë, por atij i dukej sikur ecte me revan. “Fluturon kami im!”,- thoshte Demoja. Njerëzit i kishin ngritur një këngë: “Fshat më fshat gjezdiste, copëra buke mblidhte, të shoqes ia shpinte”. I Shkreti Demo! Për Demon ato nuk ishin copëra buke, por simite të ngrohta që sapo kishin dalë nga furra! Kur zbriste nga gomari, shikonte gjurmën e këmbës që linte mbi baltë.
Thoshte Demoja: “Kam një palë opinga me proqe! Të gjithë njerëzit e shihnin me habi. Është marrosur Demoja apo si?! Këto që ke veshur, i thoshin njerëzit, nuk janë opinga me proqe”, por Demos nuk i mbushej mendja. “Janë me proqe,- thoshte ai, unë kam lënë shumë gjurmë mbi baltë. Ndiqni gjurmët e mia dhe do të gjeni Demon! Kush ndjek gjurmët e mia, shkon larg! Ja shikoni, çfarë gjurme lenë opingat e mia në baltë.
Njerëzit shkonin gjurmën, shikonin dhe Demon, seriozisht e kishte ai, apo u besonte syve vërtetë “Këto nuk janë gjurmë me proqe, por janë kështu, sepse ke vënë lëkurë pe shoshe”, i shpjegonin njerëzit. Po Demoja nuk bindej: “Janë me proqe, sepse nuk e shikoni që kam edhe silahe telatine“. Dhe ikte me gomarin i shkreti Demo.
Edhe fëmijët e dinin që Demoja nuk kishte silahe tealtine, por kishte veshur një lëkurë pe dhije. Si kishte shëtitur vend më vend, shikonte orën për të parë se kur duhej të kthehej në shtëpi.“U ngrys thoshte, po perëndon dielli, por unë kam orë florishte! Njerëzit nuk dinin s’i ta bënin. Ajo nuk ishte orë florishte, por një patkua gomari kishte.
Njerëzit thanë: Një i çmendur një vend çmend. Vendosën t’i këndonin një këngë. Dhe që nga ajo ditë kënga nuk është harruar kurrë, sepse gjithnjë do të ketë një Demo. –
Hej ta lumsha moj parti !