Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pati dje kurajon të përmendë vitin 1997. E zuri në gojë atë vit në kontekstin e një, siç tha ai, beteje të vështirë përballë mazhorancës së kriminalizuar, eksponetët e së cilës po rrahin e dhunojnë njerëzit e opozitës. E përmendi pas mbledhjes së tryezës së aleatëve, të cilët mesa duket “e këshilluan” të vazhdojë këmbënguljen e fortë për zbatimin dekriminalizimit, pasi reforma në drejtësi nuk është dhe aq prioritare.
Lulzim Basha nuk është budalla. Mund të shtiret si i tillë. Mund të jetë i paaftë, t’i mungojnë kapacitetet drejtuese e menaxhuese, fantazia, energjia krijuese në krye të opozitës; mund të jetë pa shtyllë kurrizore dhe xhelatinoz në mohimin sot të asaj që ka pohuar dje (si presioni gjigandesk i tij për Byronë e Hetimit?!), mund të jetë i pamundur në shkëputjen të paktën në perimetër sigurie nga axhenda e mentorit të tij Berisha; ndonjëherë fluturak e sipërfaqësor,… por budalla nuk është. A e përmendi ai vitin 97 për të shpuar me fjalë mazhorancën dhe “elektoratin e majtë”, apo për t’i bërë një rikoshetë të vogël Sali Berishës?
Pse jo, nuk është çudi që ta ketë bërë për të dyja shënjestrat. Më saktë, të majtës t’i përsërisë refrenin zyrtar të PD-së për atë vit si “një periudhë dhune ndaj shtetit” e kësisoj t’i mburret eprorit, “e pe si ua punova”, ndërsa njerëzve të zakonshëm t’ua rikujtojë lidhjen e pazgjidhshme të atij viti të zi me emrin e atij që e shkaktoi, shefit të tij Berisha.
Por nëse e kishte thjesht për konsum ditor politik, a mendon Basha se koha që ka rrjedhur, tashmë 19 vite larg 1997-s, e bën të sigurtë lojën politike me këtë vit? Apo është ky një testim, që në “brain storming” që mund të bëjë ai me disa këshilltarë, të provojë nëse “skandalet e freskëta të kësaj qeverie” e kanë tharë koren e plagëve që shkaktoi viti lemerisës?
Këtë nuk mund ta dimë, por mund të eksplorojmë se si mund ta ketë përjetuar dhe ç’mbresa 97-she mund të ketë njeriu Lulzim Basha. Djaloshi me studime në Holandë, vitin 1997 mund ta ketë parë në televizor. Ajo që ai ka vjelur nga ‘97-ta, nuk janë as sulmet dhe dhuna qeveritare ndaj protestuesve në mitingjet e para, as ndërsimi i ndyrë i “veriorëve kundër jugorëve”, as urdhrat e paligjshëm dhe gjenocidalë të Berishës, as hapjet e përllogaritura të depove të armëve, as vrasjet dhe plumbat e bandave… të gjitha këto, në një kohë kur në Kosovë po grumbulloheshin re gjithnjë e më të zeza për shqiptarët. Maksimumi i gjurmëve nga ky vit në memorien e Lulzim Bashës, mund të jenë paratë e përfituara nga vjehrria e tij, farefis i Vehbi Alimuçajt të VEFA-s dhe menaxherë të kompanisë.
Pra si pakkush shqiptar, Basha ka peshqesh nga ai vit vetëm bereqetin që me siguri e ka ndihmuar, krahas punëve të tij si kamarier, deejay etj, të mbërrijë deri këtu.
Por mund të ketë edhe një arsye tjetër, pse Basha kërkon “të ndezë” diskursin politik e publik me vitin ‘97, (duke bërë që edhe ne ‘të biem’ në këtë grackë). Holandezit të PD-së, por më shumë se atij, vetë Berishës, përgjigjet e komisionit të Venecias ja mbaruan argumentet për zvarritjen e reformës në drejtësi. Fjala vjen, përgjigja për kërkesën e 2/3 të votave në Kuvend për zgjedhjen e hierarkëve të gjyqësorit, sipas Komisionit të Venecias është: “Kjo kërkesë me arsyetimin e moskapjes së gjyqësorit nga politika (e besoni ose jo, këtë merak ka PD), do të prodhojë ngërç të pazgjidhshëm”.
Kapja pas grepit të dekriminalizimit është e vetmja mënyrë për të shtyrë reformën në drejtësi; mundësisht duke hapur debate të tjera dhe kushtëzuar punimet normale parlamentare, por në rast nevoje, edhe përmes bojkotit total. Mjaft që situata të jetë e ndezur, mjaft që zhurma të prodhojë më tepër zhurmë.
Kështu, edhe pse ‘97-ta në kujtimet e Bashës mund të vijë si tufa parash dhe jo si plumba, ai sërish nuk ngurron t’i ngjajë ustait të vet në një përkim të çuditshëm, por jo dhe aq, sa herë vjen puna për të shpikur ngërçe dhe kriza: Gjithmonë kur ka trazime në Prishtinë, dikush kujdeset që t’i kultivojë edhe në Tiranë.
A.Koçiko/DITA

Si shumë përqark i bie, shoku, e s’ta kapim fillin.
Tani, vetëm i zgjuar që s’është ky birbo, se ky ka bërë atë ç’ka i ka thënë e i thotë babai i tij politik. Kështu e kemi tipizuar deri tani LUL BIM Bashin.
Andromeda! Çfare ka ketu per te kapur? Filli duket sheshit: Te bejme rremujen qe beme ne ’97-en. Te turbullojme sa me shume ujin qe te peshkojme sa me lehte ne te. Te ngreme Veriun kunder Jugut. Te rrezojme edhe me shume autoritetin e shqiptareve, ne pergjithesi, ne rajon me qellim qe Europa te mos na pranoje dhe per kete te behet fajtore qeveria aktuale. Synimi i vetem i PD eshte pushteti me çdo kusht. Nuk prish pune se kusuret i heqin varfanjaket e popullit, rendesi te vetme ka qe Saliu te vije ne pushtet, pasi ai nuk mund ta kuptoje dot veten pa kolltukun kryesor dhe lakejte qe i vjne rotull duke iu lepire.
PER LESHANAKUN
Me keto qe thua , ke folur edhe ne emrin tim .FM !