Si u shkrua “Hakërrimi”

redaktor

Nga Nasho Jorgaqi

 

Vijon nga numri i kaluar

 

Poeti do të më tregonte se poemën e kish shkruar në Sofje më 1929 dhe i kish dhënë dorën e fundit nga fillimi i viteve ‘30 në Athinë. E kish mbajtur goxha nëpër duar, duke iu kthyer e rikthyer herë pas here. Asnjë vepër nuk i kish nxjerrë punë sa kjo poemë, jo aq nga përmasat, më e gjata që kish shkruar, sesa nga “tema e sëkëlldisur”, siç thoshte, që “hajt të të kuptonin drejtazi, or tungjatjeta!” Kjo ishte arsyeja pse nuk e dërgoi ta botonte në Shqipëri, por e çoi në shtypin e diasporës. E botoi në disa numra në maj të vitit 1932 tek gazeta “Kosova”, që nxirrte Gjergj Bubani në Kostancë. Me këtë rast poeti, siç do ta pohonte dhe vetë, veproi diplomatikisht. Nuk i doli ballazi opinionit publik shqiptar, sidomos atij konservator, i cili në fakt nuk e mirëpriti. Madje dhe të rinjtë do të kërkonin që poeti të tregohej më radikal ndaj një bote e një klase që i kish ikur koha. Poeti i ri Shefqet Musaraj do t’i përgjigjej duke shkruar poemën “Bujku i Hanko Hallës” (Kushtuar zotit A.A.), një “polemikë” poetike dashamirëse, që u botua më 1935. Në fakt “Hanko Halla” erdhi me vonesë në Shqipëri dhe u njoh në rrethe të ngushta, por dhe në këto rrethana ajo u çmua dhe u vlerësua lart. Poeti, ca nga modestia e ca nga pozita zyrtare që kish, nuk bëri ndonjë përpjekje të veçantë për ta botuar në atdhe. Vetëm pas dhjetë vjetësh (1942) ai arriti ta botojë në Tiranë libër më vete tok me dy poemat e tjera. Ajo njohu një ringjallje të vërtetë dhe pati jehonë të madhe, duke u cilësuar si vepra madhore e poetit dhe një nga faqet më të bukura të poezisë shqipe. Xha Aliu do ta përmendte këtë ngjarje, por me shumë kujdes, duke qenë se kish ndodhur në kohën e pushtimit. Njëherë, kur bisedonim në Klubin e Shkrimtarëve, pasi kish kthyer gotën e dytë të konjakut, ai do të më tregonte se asokohe “ishte bërë sebep” “Hanko Halla”, ndoshta më shumë se veprat e tjera, që ai të zgjidhej anëtar i Institutit shqiptar të Studimeve. “Mblidheshim dhe ne poetët atëherë, – më tha. – Nuk kishim klub si ky ku jemi sot, por shkonim e vinim në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe rastiste të lexonim ato që shkruanim. Unë jo një herë kisha thirrur sivëllezërit e mi të pendës dhe ua deklamoja Hankon. Ata më dëgjonin më vëmendje dhe herë-herë gajaseshin. Më vinte mirë, bile shumë mirë. Kjo do të thoshte se nuk më kish shkuar mundi kot”.

Por, sipas poetit, ato qenë kohë të vështira, me halle të mëdha për Shqipërinë. “Na kishin ardhur e na kishin zënë vendin sërish breshkaxhinjtë, – do të më thoshte, duke evokuar atë kohë të largët. – Unë kësaj here nuk isha kryekatundari i Vlorës, që tok me lebërit i kishin treguar grykën e pushkës, por anëtar i Këshillit të Shtetit, një farë senatori, që lëre mos e nga, sa për atë rrogë që na jepte xhymyrieti. Zotrote do të më pyesësh pse e pranova? Unë do të përgjigjem: Aman, të kam rixha, mos më zër në vend të lik. Ishin kohëra shumë të ngatërruara. Çdo gjë që të të them, tani fjalët janë të tepërta. Një gjë është e vërtetë që do të ishte Nacional-Çlirimtarja ajo që na zgjoi nga gjumi ne që e hiqnim veten patriotë të vjetër. Mua më zgjoi e më ngriti në këmbë Perlati, djali i kushëririt tim Rexhep Sulejmanit. Gjaku i tij që hakerrimderdhi atje në Shkodër ishte nga gjaku im. U trondita dhe i thirra mendjes. Ai me shokët e tij po përsërisnin Vlorën e Njëzetës dhe unë kapardisesha në mes të Tiranës. I thirra mëndjes dhe u ngreç e vajta në Vlorë. Më kujtohet si tani, kur kalova nga Sheshi i Flamurit dhe pashë shtyllën e shtizës së Flamurit, që kisha projektuar vetë sa kohë isha kryetar bashkie. Më pikoi në zemër tek pashë varur atë makso flamur me shpatë të Liktorit. Pastaj se si m’u kujtua dita kur dolëm në skelë dhe pritëm trupin e Ismail Qemalit, që italianët e sollën me një fregatë ushtarake më 1919. Shkova unë, si kryetar i Bashkisë që isha, ta merrja në dorëzim arkivolin. Po ç’më panë sytë kur u gjenda përpara tyre dhe e hapën! E kishin mbuluar me flamurin italian. M’u err shikimi dhe gati sa nuk ulurrita. “Jo, – thashë, – babai i shtetit shqiptar nuk merret me këtë flamur, po me flamurin e tij, që ai vetë e ngriti”. Dhe breshkaxhinjtë u detyruan atëherë ta heqin dhe ne e mbuluam pastaj me flamurin tonë. Kështu e zbritëm në breg, ku kish ardhur ta nderonte gjithë Vlora. Kjo ngjarje m’u faneps dhe atë ditë tek kaloja nga sheshi i flamurit. Nuk e desha veten. Nuk më nxinte Vlora. Aq sëkëlldi kisha, sa u hodha e shkova në Vajzë. Atje, nën malet e Gribës, për ditë e net me radhë, e burgosa veten në mes të katër mureve. Ç’mund të bëja unë? Nuk kisha as vërsë e as takat, e akoma më shumë sy e faqe për të luftuar, mor bir. E vetmja gjë e shenjtë që kisha brenda vetes, qe dashuria për vatan dhe ai zemërim farmak ndaj atyre që na kishin zënë vatrat tona, vatrat shqiptare, për të cilat unë kisha kënduar, por që tani s’ishin më tonat. Për të gjitha këto mendohesha dhe vuaja ato ditë në Vajzë, ku kishim rrënjët e fisit tonë. Mendonesha dhe më hipte një tërbim për të gjithë ata miq e kolegë që duke i thënë armikut peqe, i kishin bërë varrin Shqipërisë dhe e kishin çuar kombin në greminë. Të tërë këta qenë maskarenj e zuzarë. Ishte koha e tyre dhe jo e imja. Dhe shpërtheva nëpër vargje zemërimi e hakërrimi. Bile, nën këtë fjalë të fundit e titullova vjershën që më doli nga shpirti i lënduar. Ua këndova miqve të afërt dhe ata e pëlqyen. Pastaj dorazi e morën ata të Nacional-Çlirimtares, shokët e Perlatit, dhe e shtypnë si trakt ilegal, të cilën e kënduan partizanët e populli, pa ditur se kush e kish thurur. U preka pa masë se po kontribuoja dhe unë në luftën që kishte nisur me aq guxim djalëria shqiptare. Më pas shkrova dhe një vjershë drejtpërdrejt për vdekjen e Perlatit, ku pyesja Labërinë dhe Shqipërinë se ku ishte ai dhe ato më përgjigjeshin se “djep kishte Bunën dhe varr ka Rozafatin”. Kështu punët e mia, more bir, në ato kohëra të vështira. Kaq bëra, se kaq munda. Të mundja më shumë, s’e lija pa bërë! Fatin e Shqipërisë e kish marrë në dorë djalëria dhe ajo i doli për zot vatanit. I lumtë, që na zbardhi faqen!”

Gjithë këtë rrëfim, poeti do të ma bënte një pasdreke të vonë vere, në Klubin e Shkrimtarëve, ku pothuajse ishim vetëm. Kish në zërin e tij një lloj pezmi e një lloj pengu, por të përmbajtur dhe të shprehur përmes një qëndrimi dinjitoz. Ndihej në këtë rast burri, ndihej dhe poeti, shpirti i butë e delikat.

Pasoi një pauzë e gjatë, kur tek rrinim në heshtje, poeti futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nga portofoli, me duart që i dridheshin, nxori një letër të palosur në katërsh dhe ma nderi: “Ja, – më tha, “Hakërrima” origjinale që shkrova atëherë. E ke dhe datën, dhe orën”.

U stepa për një çast, sepse nuk e prisja këtë gjest të poetit plak. Por ai, me sa duket, me këtë dëshmi donte të më bindte për antifashizmin e tij të dikurshëm.

3

             Në bisedat e tij, Ali Asllani, për hir të së vërtetës, pak e rrallë do të fliste mbi problemet letrare. Ai nuk shquhej për erudicion, as për ndonjë përgatitje e kulturë të dalluar artistike. Mendimet e tij për letërsinë dhe artin në përgjithësi buronin kryesisht nga përvoja dhe intuita e një krijuesi tepër të ndjeshëm e të hollë. Nga ana tjetër, ai sikur druhej ose më mirë kishte frikë të hynte në problemet e letërsisë, në një kohë kur ato ishin bërë shumë të ngatërruara dhe qenë pleksur keq me politikën. Aq më tepër që ajo kohë nuk ishte koha e tij. Ç’kish për të thënë e ç’mendonte për artin, i kish shprehur e i shprehte në vargje dhe kjo mjaftonte. Ai donte të këndonte dhe jo të predikonte, të jepte mësime e të Perlat_Rexhepibënte teorira. “Punë të diturish, o tungjatjeta” më tha një herë, kur në tavolinë u hap një bisedë për natyrën e poezisë dhe ai rrinte e dëgjonte. Vetëm, para se të ngriheshim, më kujtohen fjalët që shqiptoi gati me gjysmë zëri: “Vjershën nuk e bën metrika, por zemra”. Në takimin tjetër që pasoi, ai si pa kuptuar, do t’i kthehej bisedës së kaluar dhe do të më thoshte me një lloj intimiteti si miku mikut: “Jam i një mendjeje me ju që vjersha të ketë një detyrë shoqërore ose, si thonë të diturit e sotëm të artit, një funksion shoqëror. Këtë, të them të drejtën, më shumë se nga librat e kam mësuar nga jeta. Pra, kështu e kam ndjerë, kështu e kam kuptuar dhe kështu e kam kënduar dhe shprehur. Është e vërtetë që arti duhet të ketë një ideal, jo ashtu kotnasikoti, tralala. Se dhe bilbilin që është shpend, e shtyn diçka, pa këndon. Ja, shiko dhe folklorin, asgjë nuk ka pa kuptim, pa një qëllim e pa një mendim me vlerë. Nuk besoj se gaboj po të them se detyra e poetit është të japë shpirtin e njeriut, një barrë kjo e rëndë që ta kapësh, ta nxjerrësh në dritë e ta thuash me fjalë. Dhe këto, të kenë një domethënie, të tingëllojnë bukur si muzikë. Pa këtë muzikë s’ka poezi. Edhe kur mendimi është i turbullt, por shpirti e ndjen, është muzika e fjalës së poetit.”

Xha Aliu e dinte që unë jepja leksionet e letërsisë së Pavarësisë në Universitet, po asnjëherë nuk më pyeti drejtpërdrejt nëse përmendej ose flitej për të dhe për poezinë e tij. Ç’është e vërteta, në vitet ‘50-60, ai akoma nuk ishte përfshirë në program. Kjo do të ndodhte më vonë, por unë do të flisja për të në panoramën e përgjithshme të poezisë shqipe midis dy luftërave. Dhe një ditë kur i thashë, u ngazëllua i tëri, më shtrëngoi dorën e pëshpëriti i mallëngjyer: “Paç uratën, mor bir” dhe si u mendua një hop shtoi: “Këngës së vërtetë nuk i duhet hyrë në hak”.

Pas këtij oguri të mirë që i dhashë, poeti u afrua më shumë me mua dhe një ditë, kur kishim dalë nga Klubi i Shkrimtarëve dhe po e përcillja, para se të ndaheshim, pasi ktheu kokën prapa, nxori një fletë gazetë nga xhepi dhe ma dha. “Këtu ke të shtypur ca mendime të mijat për vjershësinë, të dhëna në kohë të shkuara e të harruara. Lëçiti, se mbase të hyjnë në punë. Gazeta ku janë shtypur është e ligshtë, po mendimet e mia, them se jo. Të kam rixha, mbaro punë dhe ma kthe. Fute në xhep.”

Gjithë sa tha dhe si i tha, nga fjalët dhe toni i zërit, nga emocioni që e kish mbërthyer dhe vështrimi i shpërqendruar, sikur më zgjoi ndjesinë e një konspiracioni. Vetëm kur u ndamë dhe u gjenda vetëm, nxora nga xhepi atë që më kish dhënë dhe e vështrova ç’ishte. Ishte një fletë e gazetës “Tomori” e vitit 1942, ku qe botuar një intervistë e tij nën titullin “Flet Ali Asllani, rapsod i tokës dhe jetës shqiptare” marrë nga Stefan Morava, pseudonimi i kritikut letrar Stefan Shundi.

E lexova me një frymë sapo shkova në shtëpi dhe mbeta i befasuar. Pastaj iu ktheva rishtazi, kësaj here me laps në dorë. Mbaj mend që mbresa më e fortë që më la ishte fakti që, ndonëse kishin kaluar mbi dy dekada dhe kishin ndodhur përmbysje të mëdha, mendimet e poetit i kishin qëndruar kohës. Asgjë nga ato që kish thënë, nuk ishte zhvleftësuar. Kish disa të vërteta themelore për poezinë dhe artin në përgjithësi, të cilat ai i sillte nga përvoja e tij krijuese, që çuditërisht përkonin me mendimin letrar të kohës së re. Rrethi i problematikës për të cilën shprehej poeti, kish të bënte me disa çështje themelore të misionit dhe funksionit shoqëror të artit. Ai thoshte : “Arti në shërbim të popullit, në shërbim t’atdheut. Vjersha duhet të thotë diçka, të ketë një ideal brenda saj… duhet të dalë nga shpirti i popullit, nga jeta e gjallë. Nuk e ndaj artin në aksioma, kur them këtë; temën më përpara nga të gjitha e ndjen vetë artisti, krijonjësi, por, në vend që të bëjë vetëm për veten e tij, këtë prekje artistike e shfaq dhe ndjenjat e tij i dorëzon në popull”.

Sipas tij, në qoftë se poeti shkruan për vete, atëherë t’i mbajë në sirtar të pabotuara, sepse “arti është art, kur është i zoti të na sjellë në botën e tij, kur na prek, por kjo nuk do të thotë të jetë i pakuptuarshëm ose i thellë dhe i errët me zor”. Bindja e poetit për një funksion shoqëror të artit, arrin deri atje sa të thotë që “Kemi nevojë për një gjuhë që të flasë si numrat (nënvizimi N.J.) në të gjithë njerëzit. Kemi nevojë për një art që të prekë të egrit dhe të qytetëruarit, të kulturuarit dhe injorantët”. Ai kërkon nga arti ideshmëri, qartësi e thjeshtësi dhe duke arsyetuar më tej shprehet: “Artistët e mëdhenj … janë të mërguar nga qielli këtu në tokë, janë dhuratë për gjithë botën. Arti i gjithë botës bashkohet në qëllimin e tij të shenjtë. Dhe që ta kuptojë populli artin, duhet që ky të jetë i thjeshtë…”

Për Ali Asllanin “arti del nga realiteti” dhe atë e bëjnë të tillë artistët, të cilët e kapërcejnë realitetin me frymën dhe intuitën e tyre, duke punuar lëndën e bukur të jetës, “që nuk e shquan dot një njeri i thjeshtë”.

Pyetjes se sa është në gjendje ta kuptojë populli i thjeshtë artin, poeti i përgjigjet duke arsyetuar se “Këtu nuk duhet të flasim për popullin analfabet ose për atë që s’ka hapur kurrë një libër në jetën e tij”. Ai nuk e banalizon funksionin shoqëror të artit, nuk është për një qytetërim të përciptë, por për një qytetërim të qenësishëm dhe të mirëqenë.

Mendimet për artin, për të bukurën, pra, për vlerat estetike në përgjithësi, të cilat i shpreh dhe i bart dhe poezia e tij, poeti i konkretizon me personazhe nga veprat e veta, si figura e Hanko Hallës, por akoma më shumë me atë të vajzës shqiptare, që përfaqëson idealin e bukurisë së vërtetë. Ai e veçon bukurinë e vajzës shqiptare si një vlerë që s’e gjejmë në popujt’ e tjerë, për “ndjenjat e thella tradicionale dhe për cilësitë e gjalla, larg çdo narcizizme evropjane”. Eshtë kjo arsyeja, siç pohon poeti në këngët e tij, që ai i këndon vajzës shqiptare, si dhurata më e madhe e vlerave estetike-shpirtërore kombëtare.

Në gjykimet e Ali Asllanit zënë vend dhe disa mendime për poezinë që lëvrojnë letrarët e rinj të kohës. Ai çmon dëshirën e zjarrtë të tyre për artin, por nuk pajtohet me faktin që një pjesë nga ata “zotrohet nga ndjenja shumë të sëmurta, nga një pesimizmë të pajustifikuar. Jo këto rënkime, këto vuajtje, që nuk mund të jenë veçse elemente të huaja nga rinia. Duhet të largohen, duhet një hov, një dionisiazmë, një gjallëri për të stolisur jetë. T’u qesh buza. Pastaj, do t’ishte më mirë që rinia të vazhdojë të shkruajë, por dhe më shumë të këndojë.”

Me gjithë qëndrimin kritik që mban ndaj kësaj dukurie në letrat e kohës, kjo nuk e pengon të tregohet optimist, kur thotë se “Këto janë një shpresë shumë e madhe për letërsinë tonë” dhe këtë e tregon fakti se “kanë një vepër që tani … të konsideruar”.

Në fund Ali Asllani flet për fushën e tij të krijimtarisë. Ai nuk ka shkruar kurrë prozë dhe ka dyzetë vjet që merret me poezi. Me këtë rast ai i bën vetes autoportretin me fjalët: “Poeti është si guri i strallit. Zjarri i tij nuk mbarohet kurrë. Poeti heq, rënkon, qesh, digjet e djeg, por zjarri i tija nuk mbaron”.

Isha aq i befasuar dhe i prekur nga mendimet e poetit, sa nuk prita takimin e rastit, por shkova posaçërisht në Klubin e Shkrimtarëve, në orën që ai dilte atje dhe e takova. Mezi e mbaja entuziazmin tim rinor, që ato ide, të cilat ai i kish shpalosur në intervistën e tij të hershme, qenë aq aktuale dhe i bënin nder poetit edhe në kohën që jetonim. Ishte kjo një gjë tepër e rëndësishme për rrethanat e atëhershme kur hijet e së kaluarës binin në një farë mënyre mbi të.

Kur u gjenda para tij, tek rrinte ulur në kolltuk, ngriti kokën dhe picërroi sytë. “E dija që më prisje”, i thashë sapo u ula. Ai s’ma ndante shikimin. Ishte sa i emocionuar, aq dhe kureshtar për gjykimin tim, pra për reagimin e brezit të ri, ndaj gjithë ç’kish thënë e shkruar ai në një kohë, kur prej atëherë kish rrjedhur aq ujë e kishin ndodhur aq përmbysje të mëdha. “Zotrote, sikur i ke shkruar sot”, i thashë sinqerisht. “Mos ia bëj qejfin plakut”, ma priti. “Qejfin mund t’jua bëja në qoftë se do të ishte ndonjë poezi, po ato që më ke dhënë janë mendime racionale, të cilat s’kanë të bëjnë me ndjenjat, por me ide e gjykime, për të cilat unë jam i bindur se qëndrojnë sot e gjithë ditën”. Ai heshti dhe mori një pamje të përdëllyer, si të niste ritin e një faljeje. “Paç uratën, ç’të të them, unë i gjori, që më jep gaz në këtë vërsë, kur të mirat të vijnë rrallë e më rrallë”.

Ishte viti 1965, një mot para se poeti të ikte përgjithmonë.

 

Fund

 

Share This Article
6 Comments
  • Ke dy trasta ne dore.Nje traste me kujtime nga fisniket e tradites te urte e kryeunjur,qe perkthenin me norme dhe nje traste me biseda,miqesira kurthe,denoncime pabesira nga versniket e tu te llumit te proletariatit.Gjeni Kadareja,profet Agolli,gjeni Mustafaj,gjeni Diana Culi,..

  • Ju lumte Profesor Nasho. I ben nder ketij vendi me evokimin e te tilla figurash si poeti Ali Asllani. Ju falenderoj per keto shkrime me vlere qe na sjell here pashere.

  • Respekte, profesor,
    Keni ndriçuar nje faqe te ndritur te Poetit Ali Asllani. Kur e mbarova leximin, thashe me vete: “Njerezit e medhenj kane versnike vetem te medhenjte!”
    Tungjatjeta.

  • Shkoi dhe vera me aq buje
    dhe me aq e aq te mira
    plaç moj vere qe per pak uje
    thave lulet me te mira.
    Ali Asllani
    flm z. Jorgaqi qe kujtoni Ali Asllanin, poetin e holle dhe te serte, qe se bashku me Lazgushin dhe Dhimiter Paskon nuk duhej kurrsesi te mbeteshin ne hije ne vitet e socializmit, sepse mund te kishin dhene akoma me shume.

  • Mjaft interesante. Kam nje kerkese per Nasho Jorgaqin. Duke shpresuar se do te lexoje komentet, them se do te ishte ne te mire te fondit te letersise dhe te pasurimit te arkivave per vete jeten e Ali Asllanit, botimi i plote me vete i intervistes qe Aliu i ka dhene Stefan Shundit. Do te ishte nje nder qe Zoti Joraqi do t’i bente historise se letersise shqipetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *