Nuk ka nisur mbarë ky vit për tregtinë. Të dhënat statistikore të Institutit të Statistikave flasin për një eksport në tkurrje, që do të thotë më pak punë nga sipërmarrësit, më pak tregtim me vendet e tjera.
Në vlerë të krahasuar në muajin janar 2016, eksportet e mallrave arritën 16 miliardë lekë, duke u ulur me 7,8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe po ashtu u ulën 8,1% krahasuar me dhjetorin e një viti më parë.
Dhe importi shënoi rënie këtë periudhë. Sipas raportit të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, importet e mallrave në muajin janar të këtij viti arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u ulur me 1,5% në krahasim me janar 2015 dhe 34,6% në krahasim me dhjetor 2015.
INSTAT informon gjithashtu se deficiti tregtar i këtij muaji është 18 miliardë lekë, duke u rritur me 5,0% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Rënia e eksportit duket se ka ardhur më së shumti nga kriza që po kalon industria nxjerrëse.
Grupet kryesore që ndikuan në rënien e eksportit
Ulja vjetore e eksporteve prej 7,8% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,0 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me -6,4 pikë përqindje, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,3 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet “tekstile dhe këpucë” me +6,0 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,0 pikë përqindje, “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,6 pikë përqindje. Ulja vjetore e importeve prej 1,5% është ndikuar kryesisht nga grupet “materiale ndërtimi dhe metale” me -3,5 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me -3,1 pikë përqindje dhe “ushqim, pije duhan” me -0,1 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +1,3 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,5 pikë përqindje.
Tregtia e jashtme
Në muajin janar vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me janarin e vitit 2015 janë Italia me 8,1% dhe Greqia me 17,9%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Kosova me 7,4%, Gjermania me 1,5%, dhe Kina me 36,8%.
Gjatë muajit të parë të vitit, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me janar 2015 janë Italia me 18,3%, Gjermania me 3,1% dhe Polonia me 34,8%.
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Kina me 4,2%, Turqia me 5,6% dhe Greqia me 3,8%. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 67,4% të gjithë tregtisë.
Në janar eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 86,2% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia (42,3%), Kina (7,4%) Greqia (6,4%) dhe Turqia (5,7%).

Po ekonomia nuk ishte ne rritje???? Si tha dhaskali i anglishtes, jemi ne rritje…pale zhgarravitesi i paafte..Si ishte puna me ato vendet e punes qe shqiperia nuk kishte njerez per ti mbushur….QESHARAKE TE PAAFTE!!!!!!!!!