Nëse kreditë me probleme janë ulur ndjeshëm për shkak të ristrukturimit të tyre dhe masave që po merren në këtë drejtim, kreditimi i ekonomisë ka shënuar një tjetër rënie në dhjetor të vitit 2015, duke zbritur në 546.5 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë më pak në raport me muajin e mëparshëm.
Tkurrja ka vijuar dhe në janar, me minus 3.7 miliardë lekë. Viti i kaluar konsiderohet si një vit tepër i dobët për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Huaja ka rënë me bazë mujore për 8 muaj të vitit, ku sipas specialistëve të bankës ka ardhur si rrjedhoje e një sërë faktorësh.
Mungesa e kërkesës nga biznesi, që ka shtyrë planet për investime nga konsumi i ulët si dhe pasiguria e krijuar nga ndryshimet e shpeshta ligjore e presionit të aksionit anti-informalitet, është një nga faktorët kryesorë që kanë ulur kreditimin.
Nga ana tjetër vetë bankat kanë qenë të kujdesshme, pas rritjes së lartë të kredive të pakthyera në afat dhe nuk kanë lehtësuar standardet e kredisë, sidomos për bizneset, ndërsa kanë qenë më të prirura të kreditojnë individët, që kanë dhe nivel më të ulët huash të këqija.
Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-n. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Pas ritmeve të larta të rritjes deri në 2008-n, huaja për ekonominë filloi të reduktohej ndjeshëm pas krizës globale të atij viti, teksa bankat filluan të përballen me pasojat e kredive të pakthyera në afat.
Rritja negative vjetore, që pas 2008-s është shënuar në 2013-n me -1.2% dhe në 2005-n.
