Përshëndetje DITA! Me një grup pensionistësh dje lexuam letrën e profesor Hanxharit të botuar tek ju. Me gjithë kërkesat për prononcim, nuk reaguam duke pritur ditën e sotme, dhe reagimi erdhi. Kësaj letre iu përgjigj ministri, që po e lexojmë. Këtij grupi i mbushet mendja se letra ia arriti qëllimit pasi në përgjigjen e ministrit deklarohen shumë të vërteta që shumë pensionistë nuk i kishin dëgjuar dhe që janë në favor të shëndetit të tyre. Urojmë që ministri të mos presë sinjalizime, por të ushtrojë autoritetin e tij në vëmendje të kësaj shtrese që është nga fundi i jetës së saj. E vërteta është se kjo shtresë duhet të jetë e organizuar pasi përbëhet nga rreth 650.000 persona dhe thuhet se kanë dhe partinë e tyre, kanë dhe sindikata apo shoqata pensionistësh, por asnjëherë krerët e tyre nuk e kanë ngritur zërin në mbrojtje të interesave të tyre që problemet nuk janë të pakta, siç është rasti për mjekësinë etj. Në letrën e ministrit thuhet se ka dhe ilaçe bashkëpaguese, por kjo ka të bëjë me pensionin që merr pacienti, gjë që ka të bëjë me qeverinë për rritjen e pensionit dhe jo rritje qesharake siç është bërë këto vitet e fundit. Ndaj ju lumtë, si profesorit që sensibilizoi, dhe ministrit që reagoi, por këtë veprim populli e pret dhe nga ministrat e tjerë. Ky ishte vetëm një zë dhe u ngrohi zemrat shumë pensionistëve, por po të ngrihet zëri në mënyrë të organizuar, rezultatet do të jenë më të mëdha. Se është tallës shpërblimi me 2.000 lekë për fund viti kur në shtetet fqinje aplikohet pensioni i trembëdhjetë, e kjo arrihet vetëm në kërkesa të vazhdueshme ndaj qeverisë që kjo shtresë e ka mbështetur e votuar, por në mënyrë të organizuar. Pjetër Bubaj. Përshëndetje!
Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
