Vetëm pak kilometra në lindje të Rrëshenit, në të djathtë te aksit të rrugës Rrëshen-Lurë ndodhet shkolla 9-vjeçare Prosek, në njësinë administrative Kthellë të Bashkisë Mirditë.
Godina që hijeshon tërë fshatin në një vend piktoresk, një kodrinë e bukur me një sheshëpamje të gjërë, e pajisur më së miri me orenditë më të nevojshme ,me një bibliotekë të pasur për të gjitha gjinitë e librit për moshat shkollore e më lart, me një terren sportiv pothuajse i kompletuar e funksional do merrej si model e do ta kishin zili simotrat e saja jo vetëm në zonat rurale por edhe në ato urbane.
Një shkollë me një jetë 70 vjecare, që për historinë e saj do ta kishin lakmi të gjitha shkollat e rrethit, për vetë faktin se ka patur fatin që në të, të punojnë mësues dhe drejtues të zotë, të apasionuar e të përkushtuar.
Jeta e saj nisi në sinkron me përpjekjet e “Mësuesit të Popullit” Ndrecë Ndue Gjoka, i cili hapi plot 50 shkolla në Mirditë, ku dora vrastare e atyre që e donin popullin të pashkolluar e vrau në pabesi më 17 shkurt 1946, pra plot 70 vjet më parë.
Erdhi pranvera e vitit 1945 ku me kërkesën e burrave Prosekut dhe këmbënguljen e tyre arritën t’i hapnin dyert e shkollës. Meqë kuadri mësimor ishte shumë i paktë lindi nevoja e tërheqjes së mësuesve nga zonat e tjera të Shqipërisë duke filluar nga Shkodra, Tirana, Durrësi, Vlora e deri nga Gjirokastra.
Ky kolektiv mësuesish ndonëse tani me numër të vogël për arsye të uljes së numrit të nxënësve, dukuri kjo në tërë rrethin, po mendon të përgatitet për të kremtuar 70-vjetorin e saj ndonëse me pak vonesë. Por ç’e do se një ndër ftesat e planifikuara për pjesëmarrësit mbeti në udhë!
Ftesa qe për ish-mësuesin shkodran, drejtuesin e parë të shkollës Prosek të viteve 54-56, Shkëlzen Shkreli. Mbeti në udhë se ky mësues në funddhjetorin e vitit që shkoi u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare duke lënë prapa një përvojë të çmuar në mësim dhe drejtim për sa kohë punoi. Përse Mirdita shkruan për Shkëlzen Shkrelin?!
Shkëlzen Shkreli lindi në Shkodër më 08.09.1936 në një familje intelektuale me prejardhje të theksuar patriotike. Iu krijua mundësia të ndjekë shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Ja si shkruan Shkreli në shënimet e tij në kuadrin e 60-vjetorit të shkollës Prosek.
”Ishte Gushti i vitit 1954 kur nga Seksioni i Arsimit të Qarkut Shkodër më emërojnë për të shërbyer mësues në Rrethin e Mirditës që në atë kohë varej nga Qarku Shkodër. Sapo kisha kryer shkollën e mesme pedagogjike dhe isha vetëm 18 vjeç. Mirdita, në ato vite njihej si rreth tepër i vështirë dhe ne që dilnim për herë të parë nga bankat e shkollës, pa përvojë për punën dhe jetën, nuk e kuptonim se durimi i hidhur e ka frutin e ëmbël. I hidhur për mua ishte emërimi në këtë fshat të largët nga shtëpia, por e ëmbël erdhi jeta gradualisht”.
Me të filluar punë në Prosek ku si drejtor e prezanton ish-shefi i seksionit të arsimit të asaj kohe Zef Ndue Prenga, ai shpejt u ambientua me dashamirësinë dhe mikpritjen e banorëve të këtij fshati, me etjen dhe pasionin për dije të fëmijëve dhe krahas mësueve tjerë mirditorë si Ndue Nikoll Çupi, Mark Bardhi apo kolegut të tij nga Shkodra, Xhevat Shkreli, iu përveshën punës. Në çdo kohë familjarë të ndryshëm të këtij fshati i ftonin mësuesit për darka që të kalonin nje pjesë të kohës duke biseduar për hallet ekonomike.

“Do mbetet në kujtesën time –kujton Shkëlzeni- takimi i parë me Frrok Dodë Krosin, një burrë trupdrejtë i gjatë, tepër bujar e i zgjuar. Me të ardhur ne në Prosek, erdhi tek dhoma jonë ngjitur me shkollën. Pasi u prezantua me ne dhe u njoh me shqetësimet tona, sidomos për kushtet e vështira që në atë kohë ishin të rënduara, pasi shpeshherë detyroheshim të ecnim rreth 2 orë në këmbë për t’u furnizuar me ushqime në Rrëshen, na tha:
-Tek shtëpia ime e keni derën gjithmonë të hapur sa herë të keni dëshirë.
Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fshatarë si Gjok Curgu, Bardhok Zefi, Gjon Frroku, Zef Dodë Krosi, Frrok Gjokë Ndreca, Nikollë Ndrecë Gjoni e të tjerë që jetonin me hallet tona dhe të shkollës, na trajtonin si pjesëtarë të familjes”.
Ja çfarë tregon një ish nxënës i tij, Ndue Frrok Lleshaj, tani mësues në pension:
“Pas vizitës së parë që babai im Frroku kishte bërë tek mësuesit në shtëpinë tonë vinte shpesh drejtori, se me thënë të drejtën i shkonte shumë muhabeti me babain tim. Më kujtohet një bisedë e zhvilluar në prezencën time, në atëkohë në klasën e dytë. Drejtorit i kishte ra në sy nëna ime e dashur që në flakën e pishës apo kandilit na arnonte rrobat që do merrnim për në shkollë. Ne bisedë e sipër, Drejtori iu drejtua babës:
-A t’jua gjej nje makinë qepëse pasi ti paske një familje të madhe (me 30 pjestarë) dhe ke shtatë fëmijë në shkollë?
-Po ku ta gjej more Shkëlzen?- i përgjigjet baba.
Dhe nuk vonoi, drejtori na solli nje makinë qepëse gjermane “Kezinger” që edhe sot e kësaj dite e ruajmë si sytë e ballit dhe tani e kemi emërtuar makina “Shkreli”. E kjo makinë mund të them se është makina qepëse e dytë në Mirditë që ka hyrë në mos e para, e pra një element i kulturës qytetare që në atë kohë ishte një vlerë e madhe. Kjo makinë ka shërbyer jo vetëm për të qepur rrobat e familjes sonë por edhe të mbarë fshatit Prosek e Tarazh”.
Puna e mësuesve filloi t’i japë efektet e veta pozitive. Ata shumë shpejt vunë re se nxënësit e Prosekut jo vetëm ishin arsim dashës por e kishin pasion dhe sportin. Pa kaluar dy muaj nga fillimi i shollës ata rregulluan fushat e futbollit dhe volejbollit. Pra nepermjet tyre u fut në gjak edhe pasioni për volejbollin ku Proseku përherë ka qenë fitues i spartakiadave në shkallë rrethi. Nga Shkelzeni erdhi edhe thënia: “Me kenë Shkodran i ban të tana” dhe me të vërtetë ky mësues dhe drejtues për Prosekun bëri shumë gjëra që edhe sot e kësaj ditë kanë mbetur në kujtesë.
Në kujtimet për 60 vjetorin ai (Shkelzeni) përsëri thekson:
“Në Shtator të vitit 1955 shkolla u kompletua me personel mësimor nga Shkodra dhe Mirdita.Në këtë vit u emëruan edhe mësuesit shkodranë: David Luka,Gjovalin Muzhani, Halit Hebovia, Esat Jegeni, të cilët kishin moshë e përvojë më të madhe se unë. Kam kënaqësinë që mbas 50 vitesh të shoh e takoj vocërrakët e bërë burra, që janë shkolluar e punojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të dalë nga kjo shkollë. Ashtu siç u rritën dhe u shkolluan nxënësit e kësaj shkolle edhe unë që isha drejtor i parë i kësaj shkolle 7- vjecare e më vonë u bë e mesme, i ngjita shkallët e dijes e të profesionit aq të nderuar të mësuesit”.
E me të vërtetë ashtu ndodhi. Dhe Shkelzen Shkreli mësues dhe drejtues në Shkodër. Në vitin 1956 u transferua në rrethin e Shkodrës si drejtues i shkollës Hajmel, deri në vitin 1963 kohë kur shkoi për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Fillimi i vitit shkollor të 1965 do ta priste si drejtues i shkollës së Breglumit, Dugagjin. Ndërsa një vit më vonë , shtator 1966 për të hap dyert një tjeter shkollë e rrethit të Shkodrës ajo e Rezervave të Punës , ku lë gjurmë për 6 vjet me rradhë si drejtues i devotshëm. Janari i vitit 1972 do e gjente përsëri drejtor në shkollën e mesme Mekanike Bujqësore, deri në Janar të vitit 1975 ku përsëri punon në Seksionin e Arsimit Shkodër e më vonë drejtor i shkollës së mesme Bushat. Duke qenë vazhdimisht në postet drejtuese të arsimit, ai e sheh të nevojshme arsimimin e tij, ku ndër të vetmit në atë kohë për një kohë fare të shkurtër mbaroi studimet në profilet Biologji- Kimi dhe më vonë në Histori- Gjeografi.
Në vitin 1979, nga organet e pushtetit të asaj kohe emërohet Komisar special për zonat e prekura nga tërmeti, detyrë të cilën e kreu me perkushtim të lartë.
Puna dhe kontributi i këtij mësuesi pasionant është vlerësuar edhe nga organet më të larta, duke u dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me disa dekorata.
Nuk do ta harroj kurrë kur në fund të takimit në 65-vjetorin e shkollës mori mikrofonin dhe me dy pika loti në faqe tha thënien lapidare të tij, thënie të cilën unë e kam përkthyer në këto vargje:
Më ka thënë e dashura nanë
Nëse Proseku do ju ftojnë
Sikur të ecni dhe rrëshqane
Shkoni biro se ju nderojnë.
Dhe me të vërtetë ato dy pika loti që natyrshëm rrodhën në faqet e mësuesit tashmë 74 vjeçar, sikur e paska ndjerë se do të jetë takimi i tij i fundit me këtë fshat.
Ndonëse, drejtor Shkelzeni tani nuk rron, por do të rrojë vepra që la jo vetëm në Prosek por edhe në Shkodër, prandaj Mirdita e ka për detyrim të shkruaj për të.
*Përgjegjës i sektorit TIK ZA Mirditë
Ish drejtor i Shkollës 9 vjeçare Prosek Mirditë

Rrespekt e nderim per Shkelzenin dhe per gjithe mesuesit e atij brezi. Edhe per ty Gjin.
Shkelzen Shkreli kudo ku ka punuar ne Mirdite, ne Dukagjin, ne Hajmel, ne Bushat, ne Velipoje, ne punen per rindertimin dhe zhdukjen e pasojave te termetit te 1979 dhe ne Shkoder, ka lene gjurmen e dashurise per vendin dhe popullin qe e linden. Ai me zellin dhe energjine per punen tregoi, ndermjet tjerash, se sa i rendesishem eshte edukimi patriotik ne familjen shqiptare. Shkelzeni ka qene edhe nje prind i dashur dhe ka rritur femije qe sot e nderojne kudo ku jane. Falenderoj Diten per kete shkrim te mrekullueshem.
E kan vrar se po perhapte komunizmin se jo per shkollen o Shkelzen Shkreli o komunist.
Në fakt o Mark Mirdita ka pas qenë vatra e antikomunizmit