Agostinelli: Derbi, ndeshja e jetës

redaktor

Derbi është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, e cilësuar nga tifozët si sfida e jetës. Partizani – Tirana shihet si e tillë edhe nga trajneri i të kuqve, Andrea Agostinelli, që shumë shpejt ka hyrë në përjetimin emocional të një sfide të tillë. 59-vjeçari kërkon të harrojë rezultatin e javës së shkuar duke marrë përgjegjësitë përpara një sfide shumë të rëndësishme.

“Së pari dua të them se jemi përpara ndeshjes më të rëndësishme të sezonit. Është hipokrizi po të themi që derbi vlen vetëm 3 pikë. Kjo është një ndeshje që duhet fituar për njerëzit tanë, lojtarët, drejtuesit dhe tifozët. Do të synojmë suksesin në derbi”, tha tekniku i “demave”, teksa më tej shton: “Partizani ka humbur 4 pikë dhe jo të gjitha për fajin tonë.

Ndeshja e fundit duhet harruar, por 3 barazime dhe 2 fitore tregojnë se diçka na mungon. Jemi në garë me Skënderbeun, e pranoj që kemi bërë hapa fals dhe jemi disi prapa”.

Një ndeshje derbi shpeshherë konsiderohet si sfida për të mos u humbur, pasi dështimi sjell me vete dhe pasoja.

Agostinelli që mori drejtimin e Partizanit në mesin e sezonit, është i vetëdijshëm që derbi është sfida e gjykimit: “Të gjitha skuadrat janë në presion, në aspektin psikologjik një ndeshje derbi nuk ka nevojë të përgatitet nga trajnerët. Derbi është gjykues për të gjithë. Kush e fiton është në qiell, kush e humbet është në gjyq. Unë po e përgatis derbin me përgjegjësi të madhe gjatë javës, ndërsa në ndeshje gjithçka ndahet me lojtarët, pasi janë ata që interpretojnë në fushë”.

Përgatitja e mirë e derbit konsiston edhe në marrëdhëniet e mira brenda klubit. Së fundmi Agostinelli është parë të drekojë me ish-trajnerin Sulejman Starova, ndërsa në stërvitje të diskutojë me sulmuesin Fazlliu.

“Me Starovën kemi një marrëdhënie të mirë, sepse ai është këshilltar i presidentit dhe unë nuk kam patur probleme me të. Është njeri inteligjent dhe nuk e kuptoj përse ne nuk duhet të ulemi bashkë dhe të konsumojmë qoftë edhe një picë?

Ai është një personazh në Shqipëri, ndërsa unë në Itali. Përsa i përket Fazlliut i kam thënë që ndoshta kam gabuar me të, por trajneri punon për Partizanin dhe jo për një lojtar të vetëm. Nëse Fazlliu do të luante minutat që pretendon do të ishte dikush tjetër që do të më kërkonte llogari”, pohoi italiani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *