Dita e derbit, kryeqyteti nën “ethe”

redaktor
Tifozet e Tiranes, gjate nje dyluftimi me Asion Daja, ne ndeshjen e futbollit, Tirana-Partizani, 0-0, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin "Selman Stermasi, ne Kruje. /r/n/r/nTifozet e Tiranes, during the Albanian Super League football match Tirana vs Partizani, 0-0 at the "Selman Stermasi" stadium in Tirana.

Partizani dhe Tirana do të përplasin sot “brirët” në Qemal Stafa. Skuadrat përgatitën me fanatizëm çdo detaj të ndeshjes. Në sfida të tilla, janë ato që bëjnë diferencën. Lojtarët, por edhe ish-ët e të dyja kampeve vazhdojnë të nxehin përballjen, me shigjetime në distancë, por edhe besim për fitoren. Tifozët janë në ankth.

Për të përgatitur koreografinë më të bukur. Spektakël në tribuna, pa harruar thumbimet për rivalët. Presin me padurim duelin që vlen sa një sezon. Në të gjitha kuptimet. Derbi shërben për të përcaktuar, edhe pse momentalisht, supermacinë në qytet. Një qytet, që si asnjëherë tjetër ndahet në dy pjesë.

Të paktën në letër, Partizani luan në shtëpi. Gjithsesi dihet që në derbi faktori fushë ka peshën më të vogël. Edhe sepse sipas traditës, kur dy skuadrat ndeshen në “Qemal Stafa”, evitohet kufizimi për numrin e tifozëve kundërshtarë.

Në derbi, që është absolutisht sfida më spektakolare e futbollit shqiptar, të gjithë janë të mirëpritur. Për të shijuar një ndeshje që i ka të gjitha: Luftën e fortë, nervin, tensionin, por mbi gjithçka, adrenalinën e jashtëzakonshme, në fushë, në stol dhe në tribuna. Steka e derbit rritet edhe nga objektivat e të dyja skuadrave.

Si Partizani, ashtu edhe Tirana, luajnë në këtë duel direkt një pjesë të sezonit. Të kuqtë për të vazhduar garën për titull me Skënderbeun dhe larguar rrezikun e bardhebluve. Tirana në anën tjetër synon të zvogëlojë diferencën me 10 pikë nga vendi i dytë dhe të konsolidojë pozitat drejt kupave të Europës. Këtë herë barazimi është i ndaluar!

Statistikat favorizojnë Partizanin

Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, është një histori pasioni, dashurie dhe urrejtjeje, që e ka zanafillën me themelimin e skuadrës së Partizanit më 4 shkurt 1946. Kjo e sotmja do të jetë sfida numër 144 mes të kuqve dhe bardhebluve, me bilancin që anon dukshëm nga ana e Partizanit në 143 takimet e mëparshme.

Nga përballja e parë historike e fituar me rezultatin e thellë 8-0 më 30 mars të vitit 1947 nga Partizani, e deri te suksesi 7-3 i Tiranës në vitin 1985, një sfidë që do të mbahet gjithmonë mend nga tifozeritë e të dyja skuadrave për lojën e bukur që u zhvillua.

Të kuqtë përveç fitores më të thellë në një ndeshje derbi asaj 8-0 në 1947-tën, kryesojnë edhe përsa i përket sukseseve të arritura në këtë sfidë. Në 143 takime gjithsej Partizani numëron 59 fitore, 44 ndeshje kanë përfunduar në barazim, ndërsa 40 të tjera kanë shkuar në favor të Tiranës. Edhe golavarazhi është në favor të të kuqve, të cilët kanë realizuar në total 208 gola kundrejt 160 të bardhebluve. Barazimi 2-2 është rezultati që është përsëritur më shumë herë në këtë derbi plot 28 herë nga 44 barazime gjithsej.

Ndeshja e fundit direkte mes Tiranës dhe Partizanit nuk prodhoi asnjë gol, ndërkohë që fitorja e fundit u takon pikërisht të kuqve, ajo në duelin e fazës së parë të këtij kampionati me shifrat 1-0 pas një goli të Xhevahir Sukajt.

Një dueli të tillë kaq spektakolar nuk kishte se si t’i mungonin ish-ët, të cilët janë të shumtë në këtë sfidë. Erando Karabeci, Elis Bakaj, Edvan Bakaj dhe Gjergji Muzaka tashmë lojtarë të Tiranës janë prodhime të akademisë së Partizanit dhe kanë një të kaluar te klub.

Te të kuqtë dy lojtarët e vetëm që dikur kanë mbajtur veshur fanellën bardheblu janë Ditmar Bicaj dhe Renaldo Kalari. Por pavarësisht këtyre të dhënave historia e derbit do të vijojë të shkruhet, me statistikat që janë të destinuara të ndryshojnë. Tirana krenohet me 24 tituj kampionë përkundrejt 15 të Partizanit, por të kuqtë i thumbojnë kundërshtarët me avantazhin në përballjet direkte. Secila palë ka për çfarë të krenohet, ndërsa futbolli shqiptar vijon të ofrojë për të apasionuarit e kësaj loje të bukur një nga sfidat me spektakolare dhe më emocionuese të historisë së tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *