Në një operacion spektakolar, Policia Federale e Brazilit ka bërë një kontroll në shtëpinë e ish presidentit të Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva dhe ka ndaluar Da Silvan për të deklaruar si i dyshuar në përfshirjen në një rrjet korrupsioni në lidhje me kompaninë shtetërore të naftës Petrobras.
Kjo është goditja më e rëndë deri tani kundër ish-presidentit, mbi të cilin janë hedhur dyshime prej kohësh: Për herë të parë prokuroria e ka akuzuar se ka qenë një “nga përfituesit kryesorë” të një mekanizmi të sofistikuar korrupsioni. Rrjeti i dyshuar, që vepronte mes 2004 dhe 2012, thuhet se ka shmangur 10 miliardë reales (3,2 miliardë euro) vetëm nga nafta.
Sipas policisë ekzistojnë prova se fushatat e Partisë së Punëtorëve është financuar nga para të paligjshme. “Ish Presidenti Lula, përveç se ishte lideri i partisë ishte ai që vendosi se kush do të ishin drejtorët e Petrobas dhe ishte një nga përfituesit kryesorë të këtyre ryshfeteve”, thuhet në një komunikatë të Policisë.
Policia gjithashtu kreu kontrolle në selinë e Institutit Lula që drejton ish presidenti, një fermë në Atibaua dhe një apartament në Guarujá. Autoritet dyshojnë se këto dy prona i përkasin në të vërtetë Lulas edhe pse figurojnë në emër të personave të tjerë të lidhur me ish presidentin.
Në operacionin e pagëzuar “Aletheia” që i referohet shprehjes greke që do të thotë “kërkim i së vërtetës” marrin pjesë rreth 200 policë dhe 30 auditë, që përmbushnin urdhrat gjyqësore të São Paulos, Rio de Zhaneiros dhe Bahias.
Efektet e operacionit Aletheia mund të jenë katastrofale për qeverinë dhe për Lula, i cili shpresonte të ishte sërish kandidat për president në 2018.
Familja e tij, në qendër të vëmendjes
Burime policore kanë konfirmuar se është kontrolluar edhe banesa e njërit prej djemve të Lulas, i cili dyshohet se ka kryer disa praktika korruptive me babanë e tij. Sipas Policisë Federale, Lula është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë informacion në këtë fazë të re të operacionit i cili ka përfshirë kompanitë kryesore ashtu dhe politikanët më të mëdhenj të vendit.
Përveç Lulas, objektivat e operacionit janë gruaja e tij, Marisa, dhe fëmijët e tyre Marcos Cláudio, Sandro Luis dhe Fábio Luis dhe vajza e tij Marlene Araujo.
