Për të gjithë gardistët që kishin pritur rritjen e rrogave nga 1 janari i këtij viti, muaji i ardhshëm do të jetë edhe afati përfundimtar kur ata do të marrin më tepër lekë në xhepat e tyre.
“Shqip” raporton se pengesa e vetme e mosaplikimit të kësaj shtese është bërë miratimi i disa akteve nënligjore nga Këshilli i Ministrave. Por, me miratimin e tyre, që pritet të ndodhë në prill të këtij viti, do të ndihen efektet e plota, pasi gardistët do të marrin shtesat e rrogave, të llogaritura që nga 1 janari i këtij viti. Pra, efektivët e Gardës së Republikës do të marrin në prill shumën e shtesës që nuk e kanë marrë këta tre muaj. Më konkretisht, referuar burimeve, më tepër shtesë do të përfitojnë punonjësit e rolit bazë dhe vlera monetare e shtesës do të vijë duke u ulur me rritjen e gradës.
Nga ky vendim do të përfitojnë 1400 efektivë të Gardës së Republikës, të cilët këtë vit do të kenë një rritje page mesatarisht rreth 8500 lekë të reja në muaj.
