Tjetër fitore nën shenjën e Besart Berishës për Melbourne Victory në kampionatin australian. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e avantazhit 0-1 në suksesin me shifrat 0-2 që skuadra e trajnerit Kevin Muscat arriti në transfertën përballë Central Coast Mariners.
Në minutën e 12-të të sfidës 30-vjecari nga Prishtina shfrytëzoi në maksimum një krosim në zonë të mesfushorit të miqëve Ingham dhe me një devijim të lehtë në rrëshkitje e sipër arriti të mposhte portierin vendasve Izzo. Besart Berisha u rikthye kështu te goli pas 3 ndeshjesh shterpësi në kampionatin australian.
Kjo e rrjeta e 15-të sezonale në A-League për bomberin shqiptar i cili ka ende shanse për tu shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit australian edhe pse për momentin rivali i tij i madh në garën për Këpucën e Artë uruguiani Fornaroli numëron 5 gola më shumë.
Për të vulosur fitoren e Melbourne Victory në sfidën ndaj Central Coast Mariners mendoi tuniziani Ben Khalfallah, i cili në minutën e 90-të realizoi edhe golin që coi shifrat në 0-2 pas një tjetër asisti të Ingham. Me këtë sukses Melbourne Victory u ngjit në kuotën e 33 pikëve teksa mban vendin e 5-të pas 22 javëve të zhvilluara gjithsej në A-League të Australisë. Tashmë kualifikimi në fazën play-off është më pranë për skuadrën e Besart Berishës.
