Gara po ashpërsohet në të trija fronte

redaktor

Kategoria Superiore nga java në javë po prodhon rezultate të tilla që po e nxehin edhe më shumë garën në këtë pjesë të dytë të sezonit.

Derbi Partizani – Tirana, që shkoi në favor të të kuqve falë golave të Sukajt dhe Fejzullahut, tërhoqi me të drejtë vëmendjen kryesore të javës së 24-t, për vetë antagonizmin dhe rivalitetin historik me dy klubeve të kryeqytetit, ku një pjesë të mirë të spektaklit e dhuruan tifozët në shkallët e “Qemal Stafës”.

Në kampin e kuq suksesi në derbi merr më shumë vlerë për faktin se nuk u lejua një tjetër shkëputje e Skënderbeut, që mund ta vriste garën për titull. Për kampionët e Shqipërisë transferta me Laçin rezultoi si shëtitje, pasi të besuarit e Josës e zgjidhën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme ndeshjen me gola Prognit dhe Salihit.

Nga dështimi i Tiranës përfituan dy ekipet që para kësaj fundjave e ndiqnin nga pas, Teuta dhe Kukësi. “Djemtë e Detit” triumfuan jo me pak vuajtje përballë Bylisit, që rezistoi deri 15 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, për t’u dorëzuar në zhvillimet e një goditjeje dënimi, ku i ndëshkoi Musta.

Në “Reshit Rusi”, Vllaznia dështoi të merrte qoftë një pikë përballë Kukësit, duke i komplikuar edhe më shumë pozitat në fundin e klasifikimit. Emini dhe shkodrani Edon Hasani e bënë të pavlefshëm ekzekutimin perfekt të Endri Vrapit, me nënkampionët e Shqipërisë që mbeten në vendin e pestë, por vetëm 1 pikë larg Tiranës së vendin te katërt, ndërsa Teuta që pozicionohet e treta, ka grumbulluar 3 pikë më shumë. Skuadra e katërt që do të luajë në Europë League sezonin e ardhshëm do të përcaktohet pas një garë të ashpër, ku është e vështirë të përcaktosh një favorit.

Rezultati më surprizë të kësaj jave u shënua në Vlorë, në sfidën mes Flamurtarit dhe Tërbunit, që përfundoi në barazim 1-1. Finalizimi me kokë i Lacostes do të kishte tjetër vlerë nëse mbrojtja e Flamurtarit nuk do të befasohej nga një kundërsulm i shpejtë i skuadrës pukjane, që u përmbyll me golin e Endri Lalës.

Flamurtari që e nisi me bujë pjesën e dytë të sezonin, u kthye shumë shpejt në origjinë, me hijet e mbijetesës që e ndjekin nga pas. Meriton fjalët më të mira Tërbuni, që edhe pse është me një këmbë në Kategorinë e Parë, po e respekton në maksimum kampionatin. Dy barazimet e fundit me Partizani dhe Flamurtarin e vërtetojnë këtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *