Ndodh thuajse gjithmonë që në respekt të skuadrës që e ka rritur si futbollist, një lojtar të mos festojë kur e dërgon topin në rrjetë, duke e frenuar adrenalinën që të prodhon kënaqësia e golit.
I tillë ishte edhe rasti i Edon Hasanit, që i dha fitoren Kukësin ndaj Vllaznisë, me një goditje të kalibruar fluturimthi nga një distancë e largët, aq sa meritoi edhe duartrokitjet e publikut shkodran, që dallon ndër tifozëritë shqiptare për sjelljen “Fair Play” atëherë kur lojtarët e ekipit kundërshtar e meritojnë.
I njëjti futbollist shkodran u mohoi pikën kuqebluve edhe në përballjen e fazës së dytë të zhvilluar në “Zeqir Ymeri”, pasi shënoi golin e vetëm të sfidës.
Në fakt kjo dramë e Vllaznisë, që ndëshkohet nga “bijtë” e saj është përjetuar edhe në tre takime të tjera të këtij sezoni në Superiore. Nisi me golin e Xhevahir Sukajt në humbjen 1-2 me Partizanin në Pukë në fazën e parë, për të vijuar më pas me dygolëshin e Hamdi Salihit përballë Skënderbeut në Korçë.
Por nuk përfundon më kaq, sepse një tjetër futbollist i rritur në akademinë, Arsid Kruja, realizoi një nga 2 golat e kurbinasve në humbjen 0-2 të Vllaznisë në Laç.
Dikush, në kuptimin figurativ, mund ta etiketojnë si tradhti, por tradhtarët e vërtetë janë ata që kanë patur në dorë fatet e Vllaznisë pa nisur ende sezoni.
Shkaktarët e vërtetë të kësaj drame janë drejtuesit e klubit, të vjetër apo të rinj, që janë treguar të paaftë për t’u krijuar mundësinë lojtarëve më cilësore shkodranë që të japin kontribut për futbollin e qytetit të tyre.
Nëse për Salihin dhe Sukajn ndoshta ka qenë në kufijtë e pamundurës, mosafrimi i Hasanit dhe i Krujës është i pajustifikueshëm.
