Memoria e kombit në një vëllim me tregime

redaktor

Shënime për librin “Nëndetësja” e Viron Konës

Sejdo Harka

Për krijimtarinë e shkrimtarit Viron Kona, edhe pse është shkruar e diskutuar shumë, përsëri mbetet për të shtuar. Kjo ndodh, jo vetëm se ai është një nga krijuesit më prodhimtarë të kohës, por edhe sepse në çdo libër të ri sjell problematika, këndvështrime dhe vlera të reja për letërsinë e sotshme moderne shqipe. V. Kona ka shkruar mbi 35 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë e të rritur, e, megjithatë, vazhdon të shkruajë e të botojë vazhdimisht libra gjithnjë e më të mirë. Ai është fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës, ndërsa romani i tij “Eh, more Bubulino!”, botuar edhe në suedisht, i vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2006 për fëmijë, është nderuar me çmimin UNICEF-AMC. Krijimtaria e Viron Konës dallohet për një tematikë të gjerë e vlera gjithëkohore, për narracion të ngrohtë dhe gjuhë të pastër, për kthjelltësinë e mendimit dhe figuracion emocional, për karaktere reale dhe konflikte që herë ndjekin rrjedhën e jetës dhe herë atë të fantazisë dhe të trillit të tij krijues. Pas monografisë “Ju dua më shumë se veten!”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit të nderuar Sadulla Zendeli-Daja, ai rishfaqet me librin me tregime “Nëndetësja”.

Titulli i këtij libri është sa i drejtpërdrejtë, aq edhe metaforik, madje është i dukshëm synimi se autori kërkon të zgjojë e ngacmojë tek lexuesi memorien kombëtare. Tregimet e këtij vëllimi lexohen me kënaqësi nga të gjitha moshat, sepse autori, jo vetëm se në themel vendos ngjarje reale të përjetuara nga vetë ai gjatë jetës (një tipar dallues ky i veprave të Viron Konës), por edhe sepse për t’u dhënë këtyre ngjarjeve formë sa më emocionale, ai përdor fantazinë dhe trillin e tij krijues artistik.

Libri çelet me një nga tregimet më të bukura që titullohet “Kamerieri i Ismail Qemalit”. Në qendër të brendisë së këtij tregimi lartësohet figura e ndritur e Ismail Qemalit, burrit të madh të shtetit të parë shqiptar, që ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë. Ai shfaqet para lexuesve si diplomat i madh e burrë shteti, si njeri i ditur, guximtar dhe me forcë të madhe bindëse për diplomacinë botërore dhe shqiptarët. Këtë figurë dhe personalitet të ndritur kombëtar, që e kemi parë e lexuar të portretizuar në këndvështrime nga më të ndryshmet, shkrimtari Kona e ndriçon nëpërmjet një plani mjaft origjinal, nga këndvështrimi i një fëmije, një kamerieri të vogël. Ndonëse nuk e ka kulturën dhe nivelin e duhur të kuptojë në mënyrë të plotë ngjarjet që ndodhnin aso kohe në Shqipëri, ai, nëpërmjet gjuhës së figurshme që përdor Ismail Qemali, merr mesazhe të qarta për gjendjen dhe realitetin ku jeton. Për ta bërë bisedën midis Ismail Qemalit dhe kamerierit të vogël sa më të bukur dhe më emocionale, autori përdor një paralelizëm të bukur figurativ midis zogut të rrëzuar e të mbetur në vetmi, i cili simbolizon shqiptarin e pambrojtur, dhe nga ana tjetër midis lukunisë së qenve (pushtuesve), që lëshohen gjithë egërsi për kafshimin e trojeve tona. Ashtu si zogjtë që luftojnë të mbrojnë folenë dhe shokun e tyre të vogël, ashtu edhe shqiptarët   të bashkuar dhe me guxim e trimëri duhet të luftojnë për mbrojtjen e trojeve. Një mësim i tillë kishte vlerë të madhe për shqiptarët, jo vetëm në ato kushte , kur vendi luftonte për shpalljen e Pavarësisë nga të huajt, por edhe sot e kësaj dite që Shqipëria është e pavarur dhe jeton kohën e demokracisë.

sejdoVend të dukshëm në tematikën   e tregimeve të këtij vëllimi zë dashuria e respekti për prindërit dhe lidhjen midis brezave. Dashuria prindërore nuk është thjesht respekt e dashuri për prindërit dhe të afërmit, por një dashuri universale, për vendlindjen dhe atdheun, për traditat dhe kulturën, për vazhdimësinë e gjakut dhe të gjuhës. Dy nga tregimet më të mira që trajtojnë këtë tematikë janë “Antigona” dhe “Një gotë uzo”.

Përmes tregimit “Eukalipti” Viron Kona përçon mesazhin e përgjegjësisë që duhet të kemi për ruajtjen e memories së kombit dhe përçimin brez pas brezi të kulturës dhe traditave tona më të mira. Për ta sjell këtë mesazh sa më mirë tek lexuesit, autori intrigon metaforikisht me mbjelljen e një eukalipti, nëpërmjet të cilit ofron të gjalla kujtimet dhe emocionet e moshës së fëmijërisë.

Ndjesinë e dhimbjes dhe të protestës qytetare ndaj vandalizmit shkatërrues të traditave, kulturës dhe gjithçkaje të mirë që trashëgojmë nga e kaluara, autori e përjeton edhe në tregimin “Nëndetësja”. Protagonisti kryesorë i këtij tregimi është “Nëndetësja 105”, e cila do të bëhej mollë sherri dhe krenarie në filmin “Ballë për ballë”. Ky “përbindësh” metalik mbante mbi shpinë një luftë sa të ftohtë, aq edhe të tmerrshme. Por, fatkeqësisht, ky simbol guximi e krenarie, që s’u dorëzua para sulmeve grabitqare të kohës, i tjetërsuar në skrap, do të bluhej nga dhëmbët e përflakur të furrnaltës së Metalurgjikut të Elbasanit.

Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë edhe shumë tregime të tjerë të bukur, por në këto shënime u ndalëm kryesisht në ato tregime që e përçojnë drejtpërdrejt kujtesën dhe memorien e kombit, në themel të të cilit qëndron mesazhi universal: “Që një komb të mos vdesë kurrë, në çdo çast duhet të mbajë të ndezur kujtesën për të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhshmen”. Dhe ky mesazh i bukur vlen edhe më shumë sot, kur, fatkeqësisht disa pseudo modernistë, i kanë drejtuar shigjetat helmuese kundër memories, kulturës dhe traditave tona më të mira…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *