Viti 2015 ka rezultuar i vështirë për prodhimin vendas. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -2,3%.
Uljen më të lartë, sipas raportit, e kanë pasur çmimet e prodhimit në seksionin “ Industri nxjerrëse” me 9,5%. Brenda kësaj industrie vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15,3%.
Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në aktivitetet e Industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 0,3%. Ato që kanë pësuar rritje në këtë periudhë kanë qenë çmimet e prodhimit të produkteve kimike me 5,6%, konfeksionet e veshjeve me 2,7%, produktet e makinerive dhe pajisjeve me 5,1%.
Ndërsa çmimet e prodhimit të rafinerisë dhe nënprodukteve të naftës kanë shënuar ulje me 3,1%.
Ndryshimi tremujor
Në tremujorin e katërt 2015 ndryshimi tremujor i indeksit është -0,4%. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri Nxjerrëse” shënuan ulje me 0,8% krahasuar me tremujorin e tretë 2015. Sa i përket uljes së çmimeve, këtë tendencë e hasim sipas raportit te “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 3,2%. I pandryshuar ka mbetur indeksi i çmimeve të prodhimit të seksionit “Industria përpunuese”, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Pavarësisht se në nivel seksioni indeksi i çmimeve të prodhimit nuk ka ndryshuar, brenda kësaj industrie vihen re rritje dhe ulje të çmimeve të produkteve në aktivitete të veçanta. Çmimet e prodhimit në aktivitetet; “Përpunimi i produkteve ushqimore” kanë shënuar rritje me 0,1%, në aktivitetin “Metalurgjia” çmimet e prodhimit kanë shënuar rritje 1,5%. Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet: “Përpunimi i tekstileve” shënoi ulje me 0,3% dhe “Prodhimi i produkteve minerale jometalikë” shënoi ulje me 0,9%. Çmimet e prodhimit në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave” shënuan ulje me 3,4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në këtë seksion vlen të përmendet ulja e çmimeve të produkteve në aktivitetin e “Grumbullimit, trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve” me 7,5%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 98,3% duke shënuar një rritje me 0,1% krahasuar me tremujorin e tretë 2015.
Vlen të përmendet rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 2,0%. Çmimet e prodhimit për produktet vendase në seksionin “Industri përpunuese” shënuan ulje me 0,3%. Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 102,2% duke shënuar një ulje me 1,0% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionet: “Industri nxjerrëse” kanë shënuar ulje për 2,6% ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve “Industri përpunuese” kanë shënuar rritje me 0,3%.
