Porti i Durrësit, ulet me 20% shkëmbimi tregtar

anazapta

Tremujori i parë i këtij viti ka ardhur me shifra regresive në shkëmbimin tregtar të mallrave të importuara si karburante, cigare dhe pije alkoolike. Kriza ekonomike është reflektuar edhe në një pike nevralgjike të ekonomisë së vendit tonë, siç janë doganat e vendit.

Duke iu referuar të dhënave të një sektori mjaft të rëndësishëm ku bëhen edhe transaksionet më të mëdha të tregtimit nëpërmjet eksport-importit në portin e Durrësit dhe duke iu referuar shifrave të Doganës së Durrësit, e cila zhvillon aktivitetin në territorin e këtij porti, konstatohet se kriza ekonomike e cila po reflektohet dukshëm edhe në vendin tonë, ka ndikuar në uljen e volumit të mallrave të importuara, si: karburante, cigare e pije alkoolike.

Në 3-mujorin e parë të këtij viti është shënuar një rënie në masën 20% të shkëmbimit tregtar të mallrave në portin e Durrësit. Janë disa faktorë që kanë ndikuar në uljen e trendit të të ardhurave, por drejtori i doganës së Durrësit, Jaçe Hysolli, rendit dy shkaqe kryesore, të cilat luajnë dhe rolin vendimtar. Në një prononcim për mediat Hysolli thotë: “Përgjatë 3 muajve të parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, kemi një tkurrje të importit të mallrave.

Dy  janë arsyet që kanë ndikuar në uljen e të ardhurave. Rënia e volumit të importit të karburanteve dhe cigareve, të cilat mbajnë peshën kryesore tek mallrat e importuara. Grumbullimi i mallrave në magazinat e operatorëve ekonomikë përgjatë fundvitit të kaluar ka sjellë si pasojë mosimportimin e produkteve të reja gjatë 3-muajve të parë të këtij viti. Ky është një tjetër faktor që ka ulur ndjeshëm mallrat e importit”.

“Kërkesa e tregut në 3-mujorin e parë të vitit, tregon Hysolli, është gjithmonë në rënie, por në muajt në vazhdim treguesit fiskal do të shënojnë rritje. Krahas rënies së importeve, dogana e Durrësit përgjatë kësaj periudhe e ka ruajtur trendin e të ardhurave mbi mesataren e përcaktuar, kjo falë mallrave të akcizës si kafeja, vera etj, por edhe mallrave të eksportuara, të cilat kanë gjithashtu një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Po në të ardhurat e tjera vihet re se kanë pësuar ulje edhe shumë artikuj të tjerë. Ndërkohe që vihet re se edhe në port në transportin e udhëtarëve nëpërmjet trageteve ka pasur nje ulje te numrit të pasagjerëve.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Autoritetit Portual të Durrësit, ka një rënie të numrit të mjeteve dhe të pasagjereve që udhëtojne me tragete në linjat Durrës-Bari dhe anasjelltas  nëpërmjet portit të Durrësit. Nga të dhënat zyrtare të publikuara konstohet se edhe vitin e kaluar ka pasur rënie të numrit të pasagjerëve. Kjo shifër ka ardhur në zbritje duke e ndjekur nga viti 2011 në vitin pasardhës. Nga 853 748 pasagjerë ka pasur rënie në 798 500.

Transporti i veturave ka pasur rënie nga 185 700 ne 183 200, ndërsa transporti me kamionë ka lëvizur në shifra nga 52 698 ne 51 673. Po kështu ulje ka pësuar edhe transporti me trailera nëpërmjet trageteve që është nga 13 679 në vitin 2011 në 10 904 në vitin 2012. Këto tendenca rënieje që konstatohen nga statistikat, janë karakteristikë me të njëjtin trend edhe për tremujorin e parë dhe të dyte të këtij viti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *