Trashëgimtari i së keqes

anazapta

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime / Ndër kta vllazën shoq me shoq / Kush e ndan me fjal’e shkrime / Çka natyra vet’ përpoq… – Ndre Mjeda

 

Historia e njerëzimit ka dëshmuar se lufta për pushtet është si një laborator ku testohen dhe dalin në pah karakteret njerëzore.

Jo rrallë kemi dëgjuar të thonë se “politika të prish…”. Kjo nuk është e vërtetë. Marrja me politikë nuk “të prish” por, përkundrazi tregon se, ose je i prishur ose je i shëndoshë moralisht, domethënë je njeri. E thënë shkurt, veprimtaria dhe sjellja politike e individit nxjerr në pah vlerat ose antivlerat e tij, vlerat intelektuale dhe, akoma më shumë vlerat ose antivlerat morale. Nuk është gabim dhe as faj të merresh me politikë dhe të synosh mbërritjen në majat e saj, por nga mënyra e sjelljes, nga ato që thua dhe nga mjetet që përdor për të arritur majat, përcaktohen edhe tiparet kryesore të karakterit të individit politik. Politikanë engjëj nuk ka askund në botë, por çështja është të mos na shiten djajtë për engjëj, keqbërësit si bamirësit tanë, dhunuesit si shpëtimtarët tanë, mashtruesit si udhërrëfyesit tanë.

Këto gjëra m’u kujtuan kur, pak ditë më parë, lexova se si kryetari formal i opozitës kryesore politike shqiptare, Lulzim Basha, për të disatën herë shfaqet jo vetëm në rolin e mashtruesit profesionist por, çfarë është më e dëmshme dhe e rrezikshme, në profesionin e përçarësit kombëtar. Duke ecur besnikërisht në gjurmët e atit të tij shpirtëror dhe politik ai ka marrë përsipër të çojë deri në fund rolin e trashëgimtarit të së keqes më të madhe politike të Shqipërisë së çerekshekullit të fundit. Dhe, midis shumë ngjyrave që përmban e keqja me emrin Sali Berisha, më e zeza, më erëndyra dhe më dëmsjellësja ka qenë dhe mbetet përpjekja e pareshtur për përçarjen e shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për përçarje ideologjike, sepse ai as ka pasur as ka ideologji, as ide dhe as ideale. Bëhet fjalë për përçarjet krahinore, fetare dhe shoqërore.

1Ne nuk mund të kemi dhe as duhet të kemi të njëjtat mendime, pikëpamje dhe vizione për rrugët që duhen ndjekur për ta çuar përpara vendin tonë, por ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes kurrsesi që të mendojmë dhe të besojmë se Shqipëria mund të zhvillohet dhe të përparojë duke ia kundërvënë gjysmën e saj gjysmës tjetër. Dy gjysma që s’e duan njëra-tjetrën, që nuk e respektojnë njëra-tjetrën, që besojnë se gjysma tjetër ia ka me hile, që e urrejnë dhe luftojnë njëra-tjetrën nuk mund të përbëjnë kurrë një njësi të vetme të shëndoshë, të paqme dhe as të përparuar. Ata që përpiqen të triumfojnë dhe sundojnë mbi bazën e kundërvënies dhe nxitjes së dasive dhe urrejtjeve të njërës gjysmë mbi tjetrën, janë jo vetëm armiqtë e së tërës, por edhe të paracaktuar të dështojnë. Të dështojnë në të tashmen dhe të damkosen rëndë në të ardhmen. Mirëpo, e keqja është se sjellja dhe morali i tyre i ndotur nuk kalojnë pa lënë gjurmë dhe pa bërë dëme.

E kam dëgjuar Lulzim Bashën para shumë kohësh t’iu thotë veriorëve se Rama ju urren, t’iu thotë shqiptarëve të bashkësisë myslimane se kryeministri i vendit i pengon qëllimisht në ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, sepse i urren për shkak të përkatësisë fetare. E kam dëgjuar dhe jam çuditur se si nuk doli një bir nëne apo bijë nëne nga “familja e tij politike” që t’i thotë: Ndal! Mos shko deri këtu sepse është më i madh dëmi se përfitimi! Lexova në shtyp se para pak ditëve iu tha disa fshatarëve të zonës së Krujës se qeveria aktuale po ua merr atyre paratë dhe po ia dërgon jugut. Kam dëgjuar edhe shumë mashtrime dhe gjëra të tjera të padenja prej tij. E kam dëgjuar shumë herë të vajtojë gjendjen e keqe ekonomike të atyre që ai dhe qeveria e tij i lanë në atë derexhe dhe qeveria pasardhëse s’ka mundur ende t’ua përmirësojë. Fillimisht jam pataksur se si ia lejon vetes një sjellje të tillë një individ i shkolluar jashtë shtetit, por e kam “mirëkuptuar”, se në çast kam sjellë ndër mend bindjen time se shkolla të jep disa dije në një fushë të caktuar por nuk të bën njeri, e kam “justifikuar” kur kam sjellë ndërmend se majmunët e cirqeve, edhe pse shëtisin nëpër kryeqytetet e gjithë botës, përsëri majmunë mbeten.

Unë e kuptoj se Lulzim Basha është në “hall”. Është në hall sepse është një individ që e kanë vënë në një vend të pamerituar dhe i kanë caktuar si mision të mbërrijë medoemos majat e pushtetit. Jo për të mirën e vendit e të popullit, por për të bërë avokatin dhe gardianin e një grushti njerëzish të inkriminuar ku bën pjesë edhe ai vetë. Dhe i thonë tutorët, por edhe ndërgjegjja e tij e infektuar, se atje duhet të mbërrijë patjetër, me çdo mjet e metodë. Duke qenë i vetëdijshëm se me forma dhe mjete demokratike dhe sadopak të moralshme nuk ka gjasa të çapitet deri në vendmbërritje, atëherë ka zgjedhur rrugën e atit të tij shpirtëror dhe moral. Ai është i vetëdijshëm se po t’iu premtojë shqiptarëve shtet juridik, ata do i kujtojnë shtetin që la pas në 2013. Po t’iu premtojë shqiptarëve luftë kundër korrupsionit dhe abuzimit, shqiptarët do ta pyesin se ku ndodhen 230 milionë euro që “humbën” kur ai ishte ministër komunikacioni. Po t’iu premtojë shqiptarëve mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit kombëtar, ata do i kujtojnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Detit me Greqinë. Po t’iu premtojë zgjedhje të lira e të ndershme, shqiptarët do të sjellin ndërmend grabitjen e bashkisë së Tiranës prej tij në vitin 2011. Nëse guxon t’iu flasë shqiptarëve për tolerancë dhe liri grumbullimi, atëherë ata do sjellin ndërmend vrasjet e njerëzve të pafajshëm në bulevard, fshehjen e provave dhe pengimin e drejtësisë kur ai ishte ministër i Brendshëm. Nëse iu premton shqiptarëve administrim dhe qeverisje efektive të vendit, ata do të buzëqeshin me përçmim pasi do iu kujtohet inkompetenca absolute e tij në drejtimin e bashkisë së Tiranës.

I ndodhur në këto rrethana, ai ka zgjedhur të bëjë edhe përçarësin e popullit shqiptar. Dhe këtu nuk është çështja se po i bie në qafë kryeministrit aktual. E keqja më e madhe është se këto sjellje, këto gënjeshtra, këto pilula me helm japin efekte dëmtuese për një kohë më të gjatë se jetëgjatësia politike e Bashës dhe Ramës. Ashtu si ati i tij politiko-shpirtëror që e ka mbajtur Shqipërinë në ankthin e kaosit për 25 vjet; që, në fillim, por edhe më vonë, iu thoshte shqiptarëve se regjimi i Hoxhës (dhe i atij vetë) e kishte diskriminuar veriun; që mblodhi mercenarë pa mend në veri në 1997 dhe i dërgoi për të luftuar kundër jugut, ashtu edhe Lulzim Basha po sillet dhe po vepron pa mend dhe pa moral në arenën politike për hir të pushtetit personal dhe të grupit që përfaqëson.

E kam pyetur veten shpesh herë se çfarë pushteti kërkon më ky njeri, i cili është provuar thuajse në të gjithë sektorët, fushat dhe nivelet e drejtimit dhe gjithkund ka dështuar. Madje, edhe në fushën për të cilën është diplomuar në Holandë, në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare, ku si Ministër i Jashtëm i ka bërë dëm të madh Shqipërisë që do të duhet kohë për t’u tejkaluar dhe harruar. E vetmja detyrë që ka kryer me sukses ka qenë ajo e faktmbledhësit (hetuesit) për “krimet” që shqiptarët e Kosovës paskëshin kryer ndaj serbëve “paqedashës”. A mendon ky individ se gabimet dhe fajet e tij të kryer gjatë detyrave shtetërore në qeveritë “Berisha” përbëjnë krime dhe se marrja mbi vete e detyrave të tjera në të ardhmen do të mund ta thellojnë shkallën e krimeve dhe të fajësisë së tij ligjore para popullit shqiptar dhe atdheut?

Ndoshta Basha dhe Berisha nuk kanë faj, por fajtorë jemi ne që kërkojmë nder, moral, parimësi dhe sjellje demokratike e atdhetare nga njerëz që sipas ligjit normalisht, moralisht dhe logjikisht duhej të ishin tani pas hekurave të burgut duke u lutur për amnisti dhe jo nëpër tribuna politike duke na dhënë leksione morali, atdhetarizmi, demokracie dhe drejtësie. Ka ardhur koha të përcaktohen fajtorët.

 

Viktor Malaj – DITA

Share This Article
1 Comment
  • PER MUA, NUK KA AS DYSHIMIN ME TE VOGEL , SE LUL BASHA ESHTE EMERUAR NE ATO DETYRA NGA BEOGRADI . JO VETEM KAQ , POR UNE MENDOJ SE NE TE GJITHA TREVAT , (KU BANOJNE SHQIPTARE NE BALLKAN) , SHQIPTARET QEVERISEN NGA BEOGRADI. SIKUR TE MOS MJAFTONTE SALI BERISHOVICI , PER TE CUAR ME TEJ STAFETEN , U GJET NJE I RI ,TEPER NEGATIV , PER T`IA BESUAR KETE PUNE , LULEZIM XHELAL BASHA . NE KOSOVE E KISHIN TE GATSHEM E TE STERPROVUAR ( PAS IBRAHIM RUGOVES ) ISA MUSTAFEN DHE SAS E SA TE TJERE,DUKE ARRITEN DERI TEK HASHIM THACI , NE MAQEDONI VESHTIRE TE KETE NDONJE POLITIKAN SHQIPTAR TE PA LIDHUR ME KETE SHERBIM , KESHTU EDHE NE MAL TE ZI . NE SHQIPERI,NUK BEHET FJALE PER DY E TRE PERSONA , POR NDOSHTA DHE ME QINDRA TE TILLE , PA FOLUR PER HIJENAT E ZEZA TE ASFALISE SE ATHINES , QE JANE SHTRUAR KEMBE KRYQ NE MES TE TIRANES , TASH E 25 VJET RADHE .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *