Letër e nënshkruar
Bekim Mërkuri
Ne, banorët e pallatit nr. 85, njësia bashkiake nr. 7, jemi shumë të shqetësuar nga batërdia dhe prishja e themeleve e shtyllave të betonit që mbajnë këtë pallat, por si ky ka edhe shumë pallate të tjerë. Si ka mundësi që kati i dytë dhe i parë që janë mbajtësit, të kthehen në dyqane e të mos pyesin për strukturën e ndërtimit të këtij pallati? Jemi të shqetësuar e kemi trokitur në çdo derë të pushtetit lokal këtu në Tiranë, por asnjë veprim. Po sikur një tërmet, sado i vogël që të jetë, pallati rrëzohet dhe familjet do të kenë dëmtime të mëdha. Por rrezikon edhe zhdukja e tyre. Kush do ta mbajë përgjegjësinë e kësaj batërdie? Poshtë nesh ndodhen dhjetëra lokale, secili për hesap të vet, por tymrat e ndotja futen pa të keq në këto familje. Na vjen keq që specialistët e kësaj fushe nuk dalin e të kontrollojnë katet e para, të dyta apo të treta që janë bërë kasaphanë. Kjo të shikohet mirë nga Kryebashkiaku i Tiranës e le të marrë masa parandaluese siç ka parashikuar ndërtimi i tyre për të përballuar lëkundjet sizmike që ndodhin në çdo kohë. Pse u lihet dorë e lirë atyre që prishin me dashje strukturat e pallateve pa marrë parasysh jetën e njerëzve që jetojnë aty? Presim një reagim nga Kryebashkiaku Veliaj.
