Ishte kënaqësi e veçantë që e takova sërish para disa ditësh në Gjenevë, Aleksandër Lambertin (Alexandre Lambert), mikun tim të vjetër me moshë të re, akademikun, profesorin e School for International Training – Switzerland. Pinjoll i një familjeje të madhe aristokrate zvicerane-ruse, që i ka dhënë kulturës evropiane personalitete të shquara në shumë fusha.
Në vijim të projekteve të panumërt që koncepton dhe drejton, këtë verë ai do të paraqesë një program të ri me temë “Food Security and Nutrition”. Aleksandri jep disa lëndë të marrëdhënieve ndëkombëtare dhe kryen detyra të ndryshme, si ad hoc, ashtu edhe honorifike, pranë institucionesh të tjera të rëndësishme, si Webster University, në Gjenevë; Geneva School of Diplomacy and International Relations (GSD), University of Business and International Studies (UBIS), në Gjenevë; Academic Director, Geneva Institute of Geopolitical Affairs Association of World Learning in Switzerland / SIT Study Abroad etj.
Rreshtimi i veprave madhore të këtij personaliteti, përfshi ato të gjeostrategjisë globale dhe të çështjeve ushtarake, në fushën e sigurisë ndërkombëtare, mbi organizatat botërore dhe kontrollin demokratik të forcave të armatosura, do të zinte faqe të tëra. Këtë mund ta bënim, por ndruaj se do të lëndohej modestia proverbiale e autorit të tyre.
Prekës, emocionues është shqetësimi i tij për hallet e Shqipërisë, shtetin e vogël të Evropës, në trevat e tkurrura padrejtësisht të të cilit u zhvilluan pothuajse të gjitha luftrat e Kontinentit Plak në shekullin XX.
Përjashtim bëjnë vetëm Lufta Turko-Greke dhe Lufta Civile e Spanjës, të cilat vetëm për shkaqe gjeostrategjike, nuk mund të zhvilloheshin në Shqipëri, se ndryshe edhe në këto raste nuk do të na kishin kursyer. Aleksandër Lamberti kujton shpeditat ndëshkimore të Turgut Pashës në fund të dhjetëvjetshit të parë të shekullit XX me masakrat kundër shqiptarëve, luftrat ballkanike, Luftën e Vlorës, pushtimin fashist italian të vendit tonë, Luftën Italo-Greke, qëndresën ndaj pushtuesit nazist, Luftën Italo-Jugosllave, mbylljen e shekullit dhe të mijëvjetshit të kaluar me Luftën e Kosovës në treva të banuara qysh në kohë të lashta nga shqiptarët. Ai thekson se qoftë vetëm Lufta e Vlorës e vitit 1920 dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shoqëruan me sakrifica aq të shumta, do të mjaftonin që ta bënin me të drejtë popullin tonë të ndjehet krenar para botës mbarë.
Si gjithmonë, edhe para disa ditësh u shtruam në një kuvend, që zgjati me orë të tëra, duke u ndërprerë heraherës për pak çaste nga kafetë. Tema: “Çështja shqiptare”. Qysh në fillim, kokëploti Aleksandër vuri në dukje me humor: “Duhet quajtur ‘çështja shqiptare’ apo ‘paradoksi shqiptar’?” Si historian, sintagmën ‘çështje’ nuk e pëlqen ngaqë i sjell ndërmend një nga episodet më të zymta të historisë bashkëkohore: ‘çështjen hebreje’, që u sajua nga imagjinata e çartur naziste. Por ngurron ta përdorë edhe termin ‘paradoks’ sepse, sipas tij, në të vërtetë ka një numur jo të pakët paradoksesh që lidhen me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Si rrjedhojë, arrin në përfundimin që termi frëng ‘malaise’ (e keqja, mosndjerja mirë, gjendja e vështirë apo turqizma siklet) mund ta përshkruante në mënyrë më të nuancuar gjendjen e sotme dhe historinë e një kombi të keqnjohur ose të njohur jo sa dhe si duhet nga studiuesit e qytetarët evropianë, përfshi ata zviceranë.
Dihet se në rrafsh historik e kulturor “dukuria shqiptare” është pa të dytë përsa i përket kontributit të kombit tonë edhe në ngjizjen e qytetërimit perëndimor. Për Lambertin është e domosdoshme të shpjegohet përse një nga kombet më të hershëm, pra yni, që e ka zanafillën në një nga popullsitë më të vjetra indo-evropiane, që ka jetuar pandërprerje gjatë 5000 vjetësh, për një kohë tepër të gjatë nuk mundi të ndërtojë një strukturë shtetërore të vetin. Është fjala për një komb që flet e shkruan një nga tri gjuhët kombëtare unike në Evropë (krahas greqishtes e armenishtes) dhe me një trashëgimi qytetëruese fare pak të njohur përtej kufijve etno-nacionalë shqiptarë. Bëhet fjalë për një komb dhe për një qytetërim ilir gjithaq të lashtë dhe fqinj me atë të grekëve. Ilirët bënë emër në Gadishullin e Evropës Juglindore qysh në kohën e Perandorisë Romake e deri në atë të Perandorisë Otomane, duke nxjerrë nga gjiri i tyre shumë perandorë për Perandorinë Romake të Perëndimit e për atë të Lindjes (Bizantin), por edhe vezirë e funksionarë të tjerë të lartë të administratës osmane.
Ushtria e Pirros (nga i cili e merr emrin krahina historike e Epirit, zonë gjeografike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë së sotme), ishte plot me ilirë dhe thuhet që e ëma e Aleksandrit të Madh fliste ilirisht. Taxh Mahalli ka shumë të ngjarë të jetë vepra e një arkitekti me prejardhje shqiptare, Nënë Tereza gjithashtu. Shumë papë të Romës kanë pasur rrënjë ilire, ndërsa Kisha Katolike e ka cilësuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun atlet të Krishterimit, mburojë çerekshekullore të tij. Dhe, më në fund, mercenarët zviceranë u mundën në Marinjan nga kavaleria veneciane, – aleatja e mbretit të Francës, Franciskut I, – që përbëhej kryekëput nga shqiptarët.
Lamberti “ndjehet keq” ngaqë Evropa jo rrallë bën sikur harron që shqiptarët, para se shumica e tyre të konvertoheshin në fenë islame, patën organizuar numurin më të madh të kryengritjeve kundër otomanëve, më shumë se popujt e tjerë të pushtuar nga Perandoria Osmane, përfshi grekët e serbët. Ai përmend faktin që brenda vetëm një dite në fshatin Borsh të Sarandës otomanët ndëshkuan barbarisht 6000 luftëtarë shqiptarë, duke ua prerë këmbët e duart. Lamberti ve në dukje: “Nëse serbët krenohen me beteja të humbura, si misteriozja e Fushës së Mëllenjave, në Kosovë, në shekullin XIV, radhët e luftëtarëve, madje edhe të komandantëve që kacafyteshin me trupat otomane, shumica përfaqësoheshin nga ilirët e popullsisë vendëse. Dhe nëse sllavët mburren me bujë se kanë mbërritur në Ballkan rreth 7 shekuj më parë, shqiptarët janë në këto treva qysh prej 50 shekujsh!”. Më tej ai shton: “Por më e rëndësishme është të kuptojmë se shkaku kryesor i konvertimit konfesional për shqiptarët nuk ka qenë zgjedhja e fesë, por, duke mos pasur shtet të tyrin, ata vepruan ashtu me bindje se po ruanin identitetin dhe trashëgiminë kombëtare. Kjo bëri të mundur që, për shqiptarët, ndryshe nga grekët dhe serbët, feja, pra ndrrimi i saj, të mos jetë pjesë përbërëse e identitetit kombëtar”.
Ky interpretim është në unison me thënien e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në emër të shqiptarizmit, rilindësit bënë thirrje për unitet mbarëkombëtar. Në një kohë që ne nuk i vumë rëndësi fesë (Zoti është vetëm një, sidoqë ta quash apo t’i falesh Atij!), ruajtëm gjuhën – sinonimin e kombit, pati ndonjë popull në rajonin tonë që këmbënguli për të mos e ndryshuar fenë, por humbi gjuhën, pra identitetin kombëtar.
Po përse nuk përmenden sa duhet shqiptarët në Evropë? Këtë Lamberti e cilëson një tjetër të keqe në historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë: krijimi i shtetit-komb (shtetit kombëtar), pra modern, ndodhi tepër vonë, vetëm në fillimshekullin XX. Kjo vonesë e ndërlikoi më tej gjendjen e shqiptarëve gjatë qindvjetshit të kaluar. Një tjetër aspekt të pashembullt për hartën politike të Evropës e përbën fakti që gjysma e popullsisë shqiptare jeton jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sidomos në Kosovë, por edhe në Maqedoni e në Malin e Zi.
I vetmi shtet – komb që përjetoi një gjendje të ngjashme në shekullin XX është Hungaria ku rreth 40% e popullsisë autoktone banon jashtë kufijve qysh kur palët fituese të Luftës së Parë Botërore hoqën vijat e demarkacionit. Dhe mjerisht e keqja erdhi papritur me Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, sepse ishin të panumurta shoqatat greke, më shpesh ato që dolën nga gjiri i diasporës me banim në SHBA, që erdhën në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve, për të vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e kombit shqiptar. Në arkivat e Gjenevës Lamberti ka gjetur dokumente që dëshmojnë propagandën antishqiptare, ksenofobe dhe raciste, e cila, ndër të tjera, i quan shqiptarët “më të ulët se qentë”. Por, siç dihet, më e rënda për mbijetesën e një shteti shqiptar asnjanës e veprues, është fakti që fill paskëtaj asnjanësia e tij u dhunua në mënyrë flagrante.
Edhe pse më pas Shqipëria iu bashkua qëndresës së partizanëve kundër pushtimit fashist e nazist, sërish e dyndën fatkeqësitë, mbasi u braktis nga Aleatët pas lufte. Këta të fundit “harruan” edhe që Shqipëria ishte e vetmja që me vetëflijim u doli në mbrojtje hebrenjve që jetonin në trevat e saj.
Por si për të përforcuar keqndjerjen shqiptare duhet të mbajmë para së gjithash parasysh fatin dhe ecurinë politiko-ekonomike qysh nga Lufta e Ftohtë dhe vendosjen e njërit prej regjimeve komuniste nga më totalitarët. Pa e zmadhuar, Shqipëria komuniste mund të krahasohet me Korenë e Veriut. Krahas stoqeve të armëve të dëmtimit në masë, ajo ndoqi një politikë autarkike dhe vetizolimi jo-ofensiv. Diktatori Enver Hoxha bëri çmos që, duke e mbajtur Shqipërinë jashtë aleancave e traktateve, ta veçonte tërësisht nga pjesa tjetër e planetit, përfshi Evropën dhe Ballkanin. Fillimisht bashkëpunoi me jugosllavët e Titos, pastaj me Moskën e më në fund me Pekinin duke ndërtuar si paranojak 700.000 bunkerë për ta shndërruar Shqipërinë në një fortesë, që duhej harruar nga bota, ngaqë kjo nuk mund të futej dot në të. Numri i bunkerëve ishte shumë më i madh se ai i ushtarëve që Zvicra mundi të mobilizojë në periudhën më të nxehtë të Luftës së Ftohtë. Ndërkohë mungesa e lirive më elementare shoqërohej me terror, gjer edhe në gji të çdo familjeje shqiptare, pjesëtarët e të cilave spiunoheshin ndërsjelltas.
Shqipëria humbi afro 20 vjet për të hyrë në bashkësinë ndërkombëtare dhe në ekonominë e saj. I detyruar nga rrethanat e krijuara në shkallë botërore, regjimi komunist më 1990, pesë vjet pas vdekjes së diktatorit, i dha një numuri shtetasish shqiptarë pasaporta për të udhëtuar jashtë kufijve. Shqipëria ishte atëhere vendi më i varfër dhe më i margjinalizuar i Evropës, më shumë se Moldavia në plan diplomatik; njerëzit nuk ishin të informuar për çka ndodhte në botë. Pasuan eksodet në Itali e Greqi, ku para krizës financiare e fiskale afro 1 milion shqiptarë bënin punë të zezë. Krizat humanitare, rënia e piramidave dhe kolapsi i shtetit më 1997; spastrimi etnik në Kosovë; kolapsi ekonomik në Greqi dhe papunësia e të rinjve në Kosovë çuan në eksodin e dytë të shqiptarëve drejt Evropës Perëndimore; vazhdoi krimi i organizuar, kriminalizimi i emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut që u etiketuan si drug dealers e kështu me radhë.
Në Zvicër u votua kohët e fundit lidhur me dëbimin e menjëhershëm të “kriminelëve të huaj”, sipas nismës së të djathtës populiste, e cila, në fjalimet e saj antiemigrim jo rrallë ngatërron qëllimisht “krimin dhe shqiptarët”, çka e vështirëson fatin e kësaj popullsie, që përfaqëson forcën e dytë migruese në Zvicër, pas asaj portugeze.
Më tej Lamberti shprehet: “Pra, të paktë kanë qenë momentet kur fati ka qenë me shqiptarët, si në vendin e tyre, ashtu edhe jashtë tij. Falë një fuqie të përtejoqeanit, pra Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët rigjetën autonominë dhe dinjitetin relativ në Kontinentin e Vjetër. Për të qenë të qartë, ndërhyrja ushtarake dhe bombardimi i Serbisë nga NATO-ja gjatë konfliktit në Kosovë, kanë qenë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe sidomos Rusia u zemërua jashtë mase me perëndimorët që nuk i lanë ta instrumentalizonte konfliktin dhe të merrte nën kontroll Serbinë, aleate e vjetër e ngushtë e Rusisë në Evropën Qendrore. Në një kohë që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian janë të bindura se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e ligjshme për të shmangur një genocid dhe një krizë marramendëse refugjatësh, amerikanët përfituan për të ngritur një nga bazat ushtarake më të mëdha në Evropë në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, nga e cila janë të afta për të kontrolluar Evropën Qendrore. Pas Bosnjës, ku amerikanët kishin ndërhyrë tashmë, kur evropianët ishin paralizuar ndërsjelltas, dhe ua diktuan paqen (në Dejton), sërish Evropa humbi një pjesë të sovranitetit territorial dhe të pavarësisë politike në shkallë botërore. Nga ana e tyre, rusët, ‘u hakmorën’ për Kosovën duke aneksuar Krimenë.
Me Lambertin ndajmë mendimin se pavarësia e Kosovës, mbrojtja e pakicës shqiptare në Maqedoni me Marrëveshjen e Ohrit (2001), hyrja kohët e fundit e Shqipërisë në NATO dhe aderimi i mundshëm i saj në Bashkimin Evropian, janë shpresëdhënëse për shqiptarët, veçanërisht për brezin e ri paskomunist. Megjithatë gjendja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Ballkan mbetet e brishtë. Papunësia e lartë, korrupsioni i gjithëpranishëm, mungesa e solidaritetit ndër(pan)shqiptar – e keqja vazhdon. Janë të pakët ata që besojnë ende dhe janë me të vërtetë për një “Shqipëri të Madhe”, – ide e ankthshme sidomos për serbët, – ose si e shtrojnë disa atdhetarë shqiptarë: për një “Shqipëri Reale”, që do të përfshinte thjesht popullsitë shqiptare të privuara territorialisht qysh nga krijimi i shtetit shqiptar një shekull e ca më parë”.
Lamberti flet edhe për një avantazh të shqiptarëve që e quan paradoksal kur e krahason me vendet e kombet e tjerë të Evropës: duke qenë populli më i keqtrajtuar politikisht dhe ekonomikisht, shqiptarët e përshfaqin veten si më të fuqishëm në përballimin e kapërcimin e traumatizmave, si recesioni ekonomik dhe kriza financiare-monetare që ka mbërthyer Evropën qysh më 2008, apo një krizë të re migrimesh në Evropë. Lidhur me eksodin e refugjatëve gjatë konfliktit në Kosovë, Shqipëria dëshmoi një mikpritje të papërshkrueshme, pra paradoksalisht vendi më i varfër i Evropës u tregua më zemërgjeri, më i pasuri shpirtërisht! Gjatë historisë së tyre shqiptarët janë shquar edhe herë të tjera për veprime të tilla e, mbi të gjitha, kanë mbajtur marrëdhënie korrekte me fqinjët e me popujt e tjerë; nuk kanë sulmuar vende të tjera, as kanë kryer masakra ndaj tyre. Këto janë gjëra që hasen rrallë në trojet politiko-nacionale të kontinentit plak”.
Në mbyllje të bisedës, Lamberti përmendi gjendjen e shqiptarëve me banim në Zvicër dhe në vende të tjera të Evropës, sidhe valën e re migruese që vjen nga vendet fqinje të saj e veçanërisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika Nënsahariane. Zvicra ka parë episode të tilla “emigrimesh problematike” evropiane, duke filluar me punëtorë italianë në shekullin XIX, dhe me emigrantë turq në vitet 1980. Në atë periudhë shtypi i qytetit zviceran Cyrih e karikaturonte emigrantin stereotip turk si Messerstecher; sot askush nuk e kujton më këtë cilësim pejorativ, sepse të gjithë emigrantët që vijnë nga vende të tjera, me kalimin e kohës natyralizohen dhe bëhen “zviceranët më të mirë”. Sa u përket shqiptarëve, por edhe turqve, mjafton të mbajmë parasysh historinë e tashme të ekipit kombëtar të futbollit zviceran!

O Kopi, o mik,
Pyete nje cike lambertin a i ka lexuar keto artikuj apo nuk eshre gjermanofoles:
http://m.welt.de/politik/ausland/article13481396/Warum-bauen-die-Schweizer-so-viele-Bunker.html
http://www.swissinfo.ch/ger/kein-land-baut-mehr-bunker-als-die-schweiz/7422086
Mjafton te japi ne google “schweiz bunker”. Ne kete menyre le te informohet lamberti se sa bunkere ka ne vendin e tij, nje vend historikisht asnjeanes, pastaj le te numeroje bunkeret e shqiperise.
Po aman e cbehet keshtu. Te gjithe vetem na japin mend a thua skemi ne vete
Si vis pacem, para bellum, thonë latinët, i nderuar mik.
“Si vis pacem, para bellum” thonë latinët, i nderuar mik.
Gazetar pa kulture historike.Emri “Epir” ka ekzistuar mijra vjet para Piros.”Ipiros”eshte fjale greke,sic jane greke edhe te gjitha emrat e qyteteve te vjetra te Shqiperise.Epirotet nuk jane Ilire.Ne jug Iliria ishte deri ne lumen Vjosa(Fjalori encikl.shqiptar,termi Iliria).Po ta lexonte Lambert kete artikull do te tallej me ju.
O zoti Al. Ha., mos i ngatërro punët e shkollës me të konviktit! Këtu nuk bëjmë etimologji. Formulimi (i cili i përket vetë Aleksandër Lambertit!) tingëllon i pasaktë, madje i gabuar, por ideja është që, në fund të fundit, Pirroja është sinonimi i atyre trevave, që u dha emër në histori.
Mos i ngatërro punët e shkollës me të konviktit, o Al. Ha.
Këtu nuk po bëjmë etimologji.
Zoti Hamza, mos i ngatërro punët e shkollës me të konviktit! Këtu nuk po bëjmë etimologji. Formulimi të cilit i referoheni, – i cili i përket vetë Aleksandër Lambertit!, – tingëllon i pasaktë, madje i gabuar, por ideja është që, në fund të fundit, Pirroja, me bëmat e tij, i dha emër asaj treve.
Vigjilenca e një “gjahtari”
Dje, datë 11 mars 2016, në internet, krahas shumë materialeve të tjera, u botua paraprakisht artikulli im me titull: “Si e shoh ‘sikletin’ e Shqipërisë’”, i cili doli të nesërmen, datë 12 mars 2016, në gazetën “Dita”, në rubrikën Kulturë-Personazh (faqet 18 dhe 19). Aty shpalosen mendimet e akademikut të njohur zviceran, mikut të përkushtuar të kombit tonë, Aleksandër Lambert, gjatë një bisede që zhvilluam para ca ditësh në Gjenevë të Zvicrës.
Në këtë material “gjahtari vigjilent” i quajtur Alban Hamzai, ka vënë në shënjestër parafjalën “nga”, e cila duhej vendosur jo aty, por pak më tej, dhe në komentin e vet më vërsulet: “Gazetar pa kulture historike. Emri “Epir” ka ekzistuar mijra vjet para Piros.”Ipiros”eshte fjale greke,sic jane greke edhe te gjitha emrat e qyteteve te vjetra te Shqiperise.Epirotet nuk jane Ilire.Ne jug Iliria ishte deri ne lumen Vjosa(Fjalori encikl.shqiptar,termi Iliria). Po ta lexonte Lambert kete artikull do te tallej me ju”.
Në të vërtetë kam pasur ndërmend të them: “Ushtria e Pirros (i cili e merr emrin nga krahina e Epirit, zonë gjeografike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë së sotme”…, por një lapsus ka bërë që të dalë: “Ushtria e Pirros (nga i cili e merr emrin krahina historike e Epirit, zonë gjeografike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë së sotme)…
Me respekt,
Kopi Kyçyku
Tiranë, 13 mars 2016
Epiri nese ka qene ilir,e vendosin emrat e perbashket Alket,Alketa,Anyl,Anyla;Toponimet e perbashketa: lumi Drino ne Epir,Drin tek iliret Ardjane,Drina,tek iliret Dalmate(sot ne Bosnje),Armet e perbashketa-Perkrenarja dhe mburoja ilire jane te njejte me perkrenaren dhe mburojen epirote.Lidhjet,krushqite,miqesite.Mbreti Pirro i Molloseve kur ishte foshnje u strehua tek mbreti Glauk i Taulanteve Ilire..Qe Epirotet nuk ishin greke e konfirmojne vete historianet GREKE te lashtesise duke nisur nga babai i historise Herodoti,Tuqiditi.;_Pertej gjirit te Ambrakise(gjiri i Prevezes) nuk ka me greke,por shtrihen fiset EPIROTE,qe jane barbare-thote Tuqiditi.Edhe nje fakt kuptimplote:Ne lojrat olimpike panGREKE,qe zhvilloheshin ne Olimpia deri ne shek e III para e.s.nuk pranoheshin EPIROTET,sepse nuk ishin greke,ndersa merrnin pjese atlete nga kolonite greke te Durresit dhe Apolonise. Keshtu mor Hamza grek,shko lexo historine dhe kur te mbaroc,do te kuptosh se EPIROTET i beri greke qirje Fotaqi dhe episkopis Langaraqi ne shek XIX.
Z.Lis Dushku!Lexova pak histori dhe po shkruaj nje pjese.Pas luftes se Trojes,Neoptolemos,djali I Akilit(grek),kishte nje djale me emrin Molosso me Andromaqin.Para se te shkonte ne Sparte,shkoi ne Epir me djalin dhe nje grup te madh njerezish dhe u vendosen aty.Kjo eshte zanafilla dhe emir I fisit epirot te Molosseve.Gjeografi Ptolemeu shkruan:”Arhegonos Ellas Ipeiros”,Aristoteli shkruan:”Ipeiros-Elladha ton arheon”,Prokopios:”Elines eisin,Iepiroti kalumeni”,egziston thenia e lashte:”Orikin iper aian ereidhetai Elladhas arhi”-ne shqip”Greqia fillon qe ne token e Orikumit”.Po ashtu kane shkruar edhe historian te tjere si Apollodhoros,Dhionisios,Alikarnasevs,Frontinos,Pavsanias,Entropos etj.Epirotet kane mare pjese ne Lojrat Olimpike.Edhe dicka:ne ato dhjetra teatro antike te Epirit luheshin drama ne greqisht qe do te thote se populli ate gjuhe dinte.(Di ndonje autor ilir dhe ndonje pjese teatrale ilire?)Mund te shkruaj dhe shume akoma…
Akili ishte biri i Peleut dhe hyjneshes Teti. Tani po flasim per mitologji, se per histori kombesh eshte tjeter muhabet. Duke qene se Akili ishte mirmidon, quhet edhe Akil Pelidi, principata e tyre shtrihej ne Thesali dhe s’kishin pune me Epirin. Kjo e djalit qe quhej Molos i ngjan asaj barcaletes italiane qe qytetin Chikago ne Shba e perkthejne”bej shurren” dhe automatikisht sipas kesaj logjike ndonje italian beri shurren atje dhe i vuri edhe emrin vendit. Me shume gjasa qendra e principates pelide mund te kete marre ose trasheguar emrin Pella(nga Peleu), nga ketu qendra e vjeter i dinastise maqedone qe lulezoi me Filipin dhe Aleksandrin e madh. Herodoti ka thene se mbi lumin Arta ishin territore barbaresh, dmth joelinas. Qe te thuash se pse shikonin thiatro greqisht dmth ishin greke, i bie qe kur une shoh filma braziliane behem brazilian. Pse Amerika Latine flet spanjisht dhe potrugalisht i bie qe jane spanjolle dhe portogeze, e kupton sa qesharake e nxjerr matematika mitologjine?!