Ylli Rakipi: Nuk e di pse Izeti më përmend dhe mua

redaktor

Dy ditë më parë gazetari Ylli Rakipi zhvilloi një intervistë me Jaho Salihin (Mulosmanin). I akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit vuan dënimin “burg përjetë” në qelitë e burgut të Burrelit. Mes të tjerave Rakipi e pyeti Salihin dhe për rrëfimet e Izet Haxhisë duke shprehur habinë pse është përmendur edhe emri i tij në këto denoncime…

 

Më poshtë pjesë nga intervista:

 

Rakipi: Vazhdoni të besoni se ishte një incident vrasja e Azem Hajdarit?

Salihi: Absolutisht po.

 

Rakipi: Nuk më saktësove një gjë. Ju ja lini rastësisë, përmendët një emër kush e nxori Azemin aty. Që erdhi te ju me armë me silenciator. Izet Haxhia ka qenë me ju përpara vrasjes së Azem Hajdarit?

Salihi: Gjatë ditës, por unë s’kam qenë vetëm me Izetin, kam pirë kafe të Piazza, te Nikolino, te klubi i Fidelit, kemi ngrënë drekë në Linzë. Nuk ka qenë diçka e fshehtë.

 

Rakipi: Ju njiheshit me të?

Salihi: Normal, Fatmiri është rritur, e kanë shtëpinë dhjetë minuta larg.

 

Rakipi: Kam lexuar disa gjëra, ai vazhdimisht shkruan dhe flet, jeton në Turqi. Ne folëm për disa momente kur unë kam qenë pranë PD-së dhe Izeti ka qenë njeri aty. Kam lexuar disa gjëra të tij dhe s’më përputhen, më kanë bërë përshtypje. Në disa raste ka thënë pyesni Ylli Rakipin, se di pse e ka thënë dhe nuk e kuptoj, por roli i tij në atë moment, raporti me Azemin ka qenë i vështirë, ju s’keni folur me Izetin atë ditë?

Salihi: Nëse nuk gaboj ata kanë pasur komunikim me njëri-tjetrin. Te Izeti nuk donim të vërtetonim nëse Azemi ishte fajtor.

 

Rakipi: I mungon diçka ngjarjes për t’u quajtur rastësi, qasja e të gjitha gjërave, bashkimi i të gjitha copëzave duket sikur nuk është rastësi, për shembull ju përmendët emra, ku keni qenë kë keni takuar. Për ta bashkuar këtë me Izetin, por ndërkohë duket që dhe ju në bisedë kërkoni t’ja lini rastësisë daljen e Azemit.

Salihi: Ata që e kanë nxjerrë e kanë nxjerrë qëllimisht. Ti the diçka qëparë që veriun dhe Tropojën e kontrollonim ne. S’po them më shumë po komisariatin e Tropojës e kisha në dispozicion, komplet. Diheshe si sillej Azemi, ai silleshe në orën 01:00 të natës tek pullë vetëm. Nëse kishim aq pushtet, unë aq pushtet, Fatmiri aq pushtet nuk kishim mundësi të visheshim si forcat speciale, si forcat e UÇK-së?

 

Rakipi: Të thashë unë isha atë natë aty, unë e njihja kisha miqësi me të. Azem hajdari u nis për të ikur në shtëpi, isha aty dhe jam i qartë në këtë pikë sepse ne i kërkuam të ulej, dikush e ktheu aty.

Salihi: Ka dalë ka pirë kafe me Fatmirën, ka ndenjur para zyrave të PD-së, ka hyrë brenda. Pasi ka dalë ka ardhur te ne. Pse nuk erdhi kur ishte me Fatmirën, pse nuk erdhi kur ishte te lokali i PD-së?

 

Rakipi: Jaho pse mendoni se Berisha e ka thërritur urgjent Azemin për të ardhur në Tiranë, ditën e vrasjes, se ishte në Lushnje? Unë e kam parë Berishën, nuk e kam parë fare të interesuar për tu marrë me Azemin, jam një njeri që kam qenë aty. Izet Haxhia thotë që Berisha e ka tradhëtuar Azemin ditën e ngjarjes.

Salihi: Di të të them këtë që Berisha atë natë e ka ditur që unë isha në makinë me Fatmir Haklajn, këtë ta jap me jetë. E kam dyshuar se e ka ditur edhe përpara, jo një rast kam tre katër raste, njerëzit nuk përtojnë të japin informacone, siç merr informacion ai për mua, për dikë të familjes, jemi tropojanë të dy.

 

Rakipi: Pse nuk folët në gjyq asnjëherë për vrasjen? Keni thënë që u bë një Pazar me dosjen tuaj, përse nuk e thoni?

Salihi: Nuk u bë pazar vetëm me dosjen tonë, u bë pazar me kokën tonë, nuk diskutohet ajo punë. Nëse të gjithë ata persona që kanë lidhje direkt me vrasjen kur u vra Fatmiri ose kur jam plagosur unë, të gjithë kanë marrë shpërblime.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *