Në Krujë, pikërisht në qendër të qytetit, afro 200 metra në verilindje nga monumenti i Skënderbeut ndodhet një godinë tre katëshe e stilit arkitekturor italian, ndërtuar këtu nga italianët para vitit 1939. Vazhdimisht kjo ndërtesë ka funksionuar pas çlirimit të vendit si rezidence shtetërore, zyra institucionesh etj, e mjaft kohë ka qenë edhe redaksia e gazetës lokale “Kastrioti”. Njëra nga zyrat e saj për afro 15 vjet ishte dhe ambient institucional i korrespondentit të radiotelevizionit shqiptar ku jo pa nostalgji e them se kam punuar unë vetë. Çështja që shtroj ka të bëjë me faktin se në asnjë rast dhe nga askush jo vetëm që nuk iu bë ndonjë adaptim strukturës së ndërtesës, për faktin se ruhej edhe si relike arkitekturore e trashëguar nga koha e paraluftës. Ndaj kësaj vlere tregonin kujdes, mirëmbajtje dhe restaurim pa cenuar asgjë nga trashëgimia. Por në vitet e tranzicionit demokratik, nëse do ta quajmë kështu, sidomos tani së fundmi u vu dorë edhe në strukturën e kësaj godine me pretekstin e rregullimit apo përshtatjes së zyrave për institucionin lokal të punësimit. Ndërhyrjet janë bërë në katin e dytë të godinës duke ndryshuar fasadën hyrëse dhe ambientet e saj sipas fantazisë dhe ideve të personave përgjegjës. Kjo sigurisht që ka ngrënë, pa qenë nevoja, fondet e buxhetit të qeverisë pa përmendur përqindjet e tenderimit, nëse është bërë, ato të firmës së ndërtimit që çuditërisht ka ardhur nga fshati i përgjegjësit për të riparuar zyrat në Krujë. Me e keqja është dëmi i bërë në katin e parë, 50 për qind i të cilit pothuajse ka dalë jashtë përdorimit duke i bllokuar dritaret, asfiksuar e mënjanuar ndriçimin për të betonuar plasdarmin e daljes nga dera e improvizuar si portë kryesore e këtij institucioni që tani lidhet drejtpërsëdrejti me trotuarin e këmbësorëve dhe rrugën automobilistike. E si duket ky ka qenë edhe qëllimi i personave që drejtojnë këto zyra për të pasur sa më afër makinat e shtrenjta me të cilat vijnë në punë në Krujë duke udhëtuar nga 2-3 orë në ditë. Nuk dimë se si i ka miratuar fondet financiare për adaptimin e këtyre zyrave dikasteri që i ka në varësi zyrat e punës, por me siguri që një kontroll i detajuar i tyre, i kontrollit të lartë shtetëror po edhe i organeve të prokurorisë do të nxirrte konkluzione më të sakta rreth këtyre shpenzimeve të panevojshme. Së fundmi edhe diçka tjetër. Drejtues e nëpunës të tillë harrojnë se në zyrat e shtetit vetëm ndenjëset kanë të tyret, jo karriget, prandaj çdo shpërdorim i lekut të popullit taksapagues është i pafalshëm.
Letër e nënshkruar,
Përparim Shullazi, Krujë
