Trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop, nuk ka mundur t’i ruajë emocionet, aq më tepër pas një fitoreje të tillë në sekondat e fundit kundër Malagës, 3-2, që ia dha skuadrës së tij kualifikimin për në gjysmëfinalet e Champions League. “A e mendoja përmbysjen e rezultatit? Jo, por nuk i humba shpresat. U mundova të ruaj gjakftohtësinë. Ishte diçka e jashtëzakonshme! E pabesueshme! Mund të pësoja infarkt në zemër në ato momente. Isha thjesht një dëshmitar i të gjithë asaj që ndodhi. Kemi kohë që nuk flemë, por pak rëndësi ka kjo. Duhet të festojmë, pasi për ne është sikur të kemi fituar diçka”, ka theksuar Klop, për të shtuar: “I kërkova Santanës dhe Humelsit të luanin si sulmues qendre dhe të praktikonim lojën me topa të gjatë. Në fakt prisja që nëse ata nuk krijonin raste për shënim, të paktën do të fitonin goditje dënimi në hyrje të zonës. Rezultoi që Santana të bëjë diferencën në luftën në ajër dhe solli dy golat në shtesë. Mund të shkojmë shumë larg, deri në fund…”.
