Ngërçi i kësaj jave në punën e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë që janë angazhuar në gjetjen e një kompromisi mes partive shqiptare për ta përmbyllur me sukses në këtë proces.
Dhe për të sqaruar situatën e krijuar pas publikimit të raportit final të Komisionit të Venecias, krerët e këtij institucioni kanë thirrur në një takim kryetarin e Komisionit të Reformës, Fatmir Xhafaj, i cili nga burime brenda mazhorancës mësohet se ka udhëtuar dje për në Venecia, për të zhvilluar takime konsultative me ekspertët europianë që kanë asistuar politikën në draft-opinionet e tyre për këtë reformë.
Ndërkohë, nga të njëjtat burime jozyrtare bëhet me dije se deputeti socialist në këtë udhëtim është shoqëruar edhe nga ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, e cila është aktivizuar gjatë kësaj kohe në negociata mes mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një konsensusi politik për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja kampet lidhur me realizimin e kësaj reforme.
Edhe pse nuk dihet saktësisht qëllimi i kësaj vizite jozyrtare të Xhafajt dhe Vlahutin, mësohet se arsyeja kryesore është konsultimi me ekspertët e Komisionit të Venecias për hartimin e një drafti të ri për reformën i cili të ketë dhe mbështetjen e ekspertëve të Venecias, gjë që do të detyronte opozitën t’i jepte fund refuzimit të saj në këtë proces dhe që do të ishte një garanci për vijimin e punës nga ekspertët që po asistojnë Kuvendin për të rishkruar një draft që do i përafrohej edhe më shumë rekomandimeve të Venecias.
Pas publikimit të raportit të Komisionit të Venecias pak ditë më parë, deri tani vetëm opozita dhe LSI përmes kryetarit të saj, Ilir Meta, janë shprehur pro këtyre rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe për të këtë arsye, PD e LSI kanë propozuar që tashmë të zhvillohet edhe takimi i tryezës politike për të përmbyllur dokumentin përfundimtar të Reformës në Drejtësi me konsensus dhe votimin e në Kuvend.
Por Partia Socialiste është shprehur se nuk është aspak dakord për një tryezë të nivelit të lartë politik për këtë reformë, por thekson se puna pas publikimit të draftit final të opinioneve nga Komisioni i Venecias duhet të vijojë në nivel ekspertësh.

PD+LSI=0.Ato nuk duan ekspertet,por votimin politik siperhere per ti shpetuar ndeshkimit me ze e figure.PS te kerkoi me insistim punen e eksperteve ose kalim ne zgjedhje per ta mundur s’treti LUL-BERISHEN…!