Donald Trump vazhdon që të përparojë në garën brenda Partisë Republikane për t’u nominuar si kandidati për zgjedhjet presidenciale.
Tashmë nuk ka më shumë kohë për rivalët e tjerë, të cilët duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të fituar zemrat e anëtarëve të partisë. Në debatin e zhvilluar dje në Majami, pati një përplasje mes senatorit të Floridës, Marco Rubio dhe Trump-it.
I pari kritikoi ashpër kryesuesin e garës Trump dhe deklaratat e tij të fundit se, islami e urren Amerikën. Rubio, që votimin e Floridës të martën e ka më të rëndësishmin, kujtoi se problemi i islamit është radikalizmi, por ai theksoi se shumica e myslimanëve në vend janë krenarë që janë amerikanë. “Presidentët nuk mund të nxjerrin nga goja çfarëdo lloj gjëje që u shkon në mendje. Duhet të mendojnë para se të flasin, sepse ka pasoja”, tha Rubio.
Kurse miliarderi i ripërsëriti qëndrimet mëparshme se, “islami ka një urrejtje të tmerrshme ndaj SHBA-së”. Këtë herë, në debatin mes katër kandidatëve u vu re përballje pa ofendime. Ndërkohë, ish-kandidati republikan për nominimin presidencial, Ben Carson, konfirmoi mbështetjen e tij për ish-rivalin, tashmë pretendenti kryesor për këtë nominim në garën paraprake presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Trump.
Deklaratën ai e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp të mbajtur në Florida, përpara se të zhvillohen zgjedhjet në këtë shtet ditën e sotme. Carson-i është i dyti mes ish-kandidatëve që jep miratimin e tij për manjatin e pasurive të patundshme, pas guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie.
