Një sfidë që vlen sa një sezon. Sot, kampionati shqiptar kulmon me një nga ndeshjet më emocionuese dhe më spektakolare të këtij edicioni.
Në stadiumin “Qemal Stafa” do të vendosen përballë njëra-tjetrës dy skuadrat më të mira të këtij sezoni dhe që më drejtë ndajnë mes tyre dy vendet e para në tabelën e klasifikimit. Luhet Partizani-Skënderbeu sfida më e nxehtë në këto momente në kategorinë Superiore. 4 pikë është diferenca në renditje mes korçarëve që kryesojnë dhe të kuqve që ndjekin nga pas, por në të dy kampet e kanë mëse të qartë se një fitore në këtë ndeshje, përballë rivalit të tyre direkt nuk vlen vetëm tre pikë por plot 6.
Në një vend fqinj me Shqipërinë siç është Italia shumë trajnerë thonë se sulmi kënaq tifozët kurse mbrojtja të jep titujt, dhe këtë gjë e ka mëse të qartë italiani i stolit të Partizanit, Andrea Agostinelli.
Deri tani është sulmi i Skënderbeut me 50 gola të realizuar ai që triumfon pasi në krye të klasfikimit ndodhen pikërisht korçarët, por për të mposhtur kampionët dhe për të shpresuar deri në fund te titulli, trajneri i Partizanit Agostinelli do të kërkojë të niset nga reparti mbrojtjes.
Me vetëm 13 gola të pësuar në 25 ndeshje prapavija e Partizansit është më e mira e Superiores. Pikërisht duke u bazuar te një mbrojtje e fortë që është e vështirë për tu carë nga çdo ekip kundërshtar, 15-herë kampionët do të synojnë t’i vendosin një barrierë, Skënderbeut te Mirel Josës. Statistikat flasin në favor të Partizanit që 16 vitet e fundit kanë fituar 6 kanë barazuar 2 dhe kanë humbur vetëm 2, nga 10 sfidat që kanë zhvilluar në total ndaj korçarëve në kryeqytet.
Partizani gjithashtu do të kërkojë të mbështetet fort te tifozët e tij që priten të jenë të shumtë në numër për të shpresuar te fitimi i titullit kampion që klubit të Kuq i mungon që nga viti i largët 1993. Por në krahun edhe tjetër edhe Skënderbeu synon ta fitojë këtë ndeshje pasi kërkon të sigurojë sa më shpejt titullin e 6-t kampion radhazi që në Korçë mezi po e presin.
Përsa i përket formacioneve mungesat më të mëdha pritet ti ketë Partizani. Të Kuqtë për arsye dëmtimi me shumë gjasa mund të mos kenë të gatshëm dy nga lojtarët e tyre më të mirë pikërisht sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj dhe mesfushorin kosovar Mentor Mazrekaj.
Te Skënderbeu është në dyshim të madh për këtë sfidë Gerhard Progni dhe kjo është një nga arsyet kryesore që trajneri Josa po mendon të aktivizojë tre lojtarë në qendër të mesfushës me Latifin e nigerianin Xhejms Adeniyi në mbështetje të Hamdi Salihit.
