Tjetër gafë e Flamurtarit në shtëpi me një kundërshtar për mbijetesë. Pas Tërbunit edhe Bylisi u merr pikë kuqezinjve në Vlorë, duke mbajtur të hapur garën për qëndrimin në Superiore.
Barazimi 0-0 në stadiumin Flamurtari e lë 2 pikë diferencën mes dy skuadrave, me skuadrën e Ramadanit që do të vazhdojë të vuajë presionin e rënies nga Kategoria. Sfida nis me dominimin e vlonjatëve, që i afrohen zonës por nuk janë të qartë në finalizimin e aksioneve.
Në minutën e 21-të tentativa e Telushit nga distanca përfundoi jashtë. Rasti më i pastër u regjistrua në të 40-ën kur Da Silva nuk u koordinua në goditjen me kokë.
Pjesa e parë mbyllet me një pretendim për 11-metërsh të Lacostes, por për Dyrmishin gjithçka ishte e rregullt.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër tentativë të Telushit nga distanca, por nuk surprizohet Frashëri. Në të 58-tën provon Hoxha me një diagonale brenda zonës, por Frashëri bën detyrën duke devijuar në fundore.
Gabon Bruno Telushi në ndërhyrjen ndaj Mucajt, nuk heziton gjyqtari Dyrmishi, i cili i nxjerr kartonin e kuq mesfushorit vlonjat. Protestojnë vlonjatët për këtë vendim të kryesorit, por Dyrmishi nuk bën prapakthehu.
Në superioritet numerik Bylisi merr zemër dhe sheh më shumë nga sulmi, por Lika ka pak punë për të bërë. Në të 67-ën Lushtaku provoi nga distanca, por nuk e shënjestroi si duhet katërkëndëshin e mbrojtur nga Frashëri. Në të 70-tën pretenojnë për 11 metërsh vlonjatet, por Dyrmishi është i vendosur: ndërhyrja e Simic ndaj Da Silvës është jashtë zonës. Ngatërrohet fillimisht kryesori duke i nxjerrë kartonin e verdhë Peposhit, që do të ishte i dyti për të, por pasi konsultohet me anësorin, ndëshkon mbrojtësin serb.
Vihen ekuilibrat numerikë në fushë në të 83-ën, me Simic që merr kartonin e dytë të verdhë për prekje të topit me dorë. Debuton në këtë sezon futbollistik me Flamurtarin Debatik Curri, i cili vjen pas një periudhë të gjatë riaftësimi. Ish-mbrojtësi i Kombëtares i merr vendin Qerkinit.
Asgjë nuk ndodh në minutat e mbetura, me Bylisin që merr një pikë shumë të rëndësishme për objektivin mbijetesë, edhe pse mbetet në zonën e ftohët të renditjes me dy pikë më pak se Flamurtarit.
