Video: Incident mes truprojave të Haradinajt dhe 4 udhëtarëve, mes tyre dy amerikanë

redaktor

Një video e publikuar së fundmi shfaq dy pjesëtarë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt, në varësi të Policisë së Kosovës, të cilët u drejtojnë pistoletat dy shtetasve shqiptarë dhe dy amerikanë që po udhëtonin në Fushë-Kosovë.

E gjithë skena është xhiruar nga një aparat celular dhe ka ndodhur një vit e gjysmë më parë.

Në të janë përfshirë pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së afërt, të Policisë së Kosovës, të identifikuar si Ramadan Krasniqi dhe Bajram Gashi, që në atë kohë kishin nën mbrojtje kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Siç shikohet edhe nga pamjet filmike, Bajram Gashi, i ka drejtuar pistoletën veturës në të cilën ndodheshin shtetasit Blerim Ramosaj dhe Besnik Tahirukaj dhe dy udhëtarë të tjerë, amerikanë.

Në hyrje të autostradës në Gjurgjicë, civilët po udhëtonin në korsinë e shpejtë.

Prapa tyre vjen me shpejtësi të madhe vetura civile Toyota. Prej xhamit të saj, polici Bajram Gashi nxjerr revolen dhe ia drejton veturës duke paralajmëruar shoferin që ta lirojë aksin e shpejtë.

Kur udhëtarët shohin se dikush po u drejton revolen, thërrasin Policinë dhe i vihen pas veturës civile me të cilën udhëtonin dy policët.

Nisin të xhirojnë ngjarjen dhe komunikimin me stacionin policor në Fushë-Kosovë.

Mirëpo, në hyrje të Fushë-Kosovës në kryqëzimin e autostradës që çon për në Shkup, policët u bllokojnë rrugën udhëtarëve.

Të dy të veshur me rroba civile, nxjerrin armët duke kërkuar nga ta të dalin nga vetura. Fillimisht ata kanë hasur në rezistencë. Atyre nuk u hapet dera e as dritarja derisa të vijë patrulla e policisë nga Stacioni policor i Fushë-Kosovës.

Katër udhëtarët përfshirë shtetasit amerikanë shoqërohen në Stacionin policor në Qendër si të dyshuar.

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Basri Morina kishte dashur që t’u caktonte ndalim policor prej 48 orësh.

Pasi ishte njoftuar Ambasada Amerikane për incidentin, në stacion të Policisë kishte shkuar kryeprokurori, Imer Beka.

“Lirojini njerëzit se nuk ka vepër penale këtu”, kishte thënë ai.

Pasi ishte vendosur që të “dyshuarit të liroheshin”, Policia kishte kërkuar të fshihej incizimi. Personi që kishte incizuar kishte gënjyer se e ka fshirë incizimin. Pas kësaj ishin lënë të lirë.

Në Inspektoratin Policor kanë thënë se hetime nuk janë kryer për shkak se nuk ka pasur elemente të veprës penale – raporton Insajderi.com

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *