Po ndërkaq, tamam në këto vite, pasi është kthyer në Strigar nga Brazili, ai botoi në Kozencë, më 1883, librin “Poezi italisht dhe këngë origjinale” dhe tre vjet më vonë një fletë volante për veten. Në këtë të fundit përfshinte një thirrje drejtuar arbëreshëve të Sicilisë dhe disa vlerësime të njerëzve të shquar të kohës për poezinë e tij. Këto konsiderata të larta i njohin dhe sot në Strigar. Filozofi A. Konti shkroi plot entuziazëm: “Të habitshme këto këngë lufte! Të habitshme mbresat e Shqipërisë! Ja përse, në mes të Italisë, ju e ndjeni veten shqiptar”. Kurse profesori i universitetit A. Kingo shquajti në poezinë e Serembes “rrezet e ndritshme të shpirtit të artistit”, ashtu si erudite Z. Alveo vuri re “ndjenja të ëmbla e delikate … një dashuri të këndshme për atdhe”. Akoma më lart e ngriti poeti I njohur Italian XH. Xanela, i cili u tërhoq aq shumë nga libri i vjershave italisht të Serembes, sa i kërkoi t’ia dërgonte në gjuhën shqipe, sepse “mendimet”, shkruante ai, “janë të një force dhe të një hiri të pakrahasueshëm”. Të njëjtin mendim entuziast shpreh dhe kritiku në zë D. Mikeli kur shkruante se “Na tronditi kjo poezi … që të kujton rapsoditë e virgjëra të bardëve, këngët popullore të sagave …”
Edhe pse kanë kaluar më se njëqind vjet nga koha kur u thanë këto mendime, në Strigar nuk i harrojnë. Ishte një nder i madh, që i bëhej poetit, por dhe vendlindjes së tij. Se ç‘ishte dhe ç‘është tek e fundit Strigari para botës? Një katund i humbur pas maleve të Polinit në Kalabrinë e Sipërme, që zor se e njihte njeri përtej kufijve të krahinës! Dhe, a nuk qe Zefi, i biri i Mikelanxhelo Serembes, ky strigariot, që nuk gjente qetësi as ditë, as natë, që bëri të flasin për të dhe bashkësinë arbëreshe, profesorë të universiteteve të Romës e të Torinos, poetë të shquar e kritikë me zë?
I kujtojmë e flasim e flasim për të gjitha këto dhe vë re se sa mirë u vjen bashkëfshatarëve të tij. Askujt më shumë se sa këtyre u takon nderi i Serembes. Prandaj ndihen krenarë dhe marrin krah kur dëgjojnë fjalët tona dhe kur shohin vëllezërit e ardhur nga Shqipëria t’i bëjnë homazhe kujtimit të poetit.
Dikush shpreh keqardhjen që eshtrat e Zefit nuk prehen në dheun e Strigarit. Vajti e vdiq larg, në fund të botës, dhe mbeti atje përgjithmonë. Kjo është një brengë, po dhe një peng që ka katundi, sepse flitet për të dhe ai s’është aty. Prej kësaj hidhet fjala te mërgimi tragjik. Ai s’ishte as i pari, as i fundit që ikte nga vendlindja. Kishte kohë që kurbeti po e hante Strigarin. Një kurbet tepër i largët, nga më të mundimshmit e më të dhimbshmit. Në Brazil, në San Paolo dhe rrethet e saj ishte ngritur kolonia e madhe e strigariotëve. Atje shkoi edhe Zefi, në mes tyre, sepse një njeri si ai, që thurte vargje tërë kohën dhe mendja e ndezur i fluturonte në shtatë qiej, nuk dinte të punonte për të nxjerrë bukën e gojës. Dhe do të ishin fshatarët e tij dhe miqtë, ata që do ta ndihmonin për të përballuar nevojat e jetesës.
Dëgjojmë se kur shkoi për herë të dytë në Brazil, shëndeti sa vinte e i rëndohej më keq. Miku i tij më i gjindshëm paskësh qenë Kostandin Pozitoja nga Vakarico, një shitës bananesh në San-Paolo. Zefi do t’i çojë Nikolla Naços adresën e Kostandinit kur i dërgon letër nga fundi i jetës. Arbëreshët e Sao Paolos e njihnin poetin dhe e çmonin. Kishin qejf dhe ta dëgjonin kur fliste, sepse, thonë ata, ai fliste bukur dhe akoma më bukur, kur recitonte arbërisht. Tek ata ruhet dhe sot kujtimi i tij, që ka marrë formën e një legjende, duke ardhur deri në Strigar. Poeti u ka mbetur në kujtesë si njeri që nuk rrinte kurrë në një vend, gjithnjë ecte. Ecte kokëvarur, dimër e verë e në çdo kohë e shikoje të mbante nën krah e nëpër xhepa vandakë gazetash e revistash.
Vinçensi, që e njeh mirë jetën e Serembes, tregonte se vitet e fundit sëmundja iu rëndua shumë dhe e bëri edhe më të shqetësuar natyrën e tij të ndjeshme. Në shkurt të vitit 1895 ai gjendet në Nju Jork, ku kërkon të hyjë në rrethet e shoqërisë amerikane, por më kot. Shpreson te vëllezërit Vanderbilldë, por dhe prej atyre s’del gjë dhe detyrohet ta braktisë SHBA-në. Dy vjet më vonë, më 1907, e shohim në Argjentinë. Boton vjershën “Zotit”, ku me gjithë përçartjen mistike që i shkakton sëmundja, mendja s’i ndahet nga fati i atdheut të robëruar dhe përmend Lidhjen e Prizrenit. Dashuria për Shqipërinë nuk do t’i humbasë në çfarëdo situate që të ndodhet, gjithnjë e gjallë e vepruese zotëron në ndërgjegjen e tij. Dhe kjo shihet dhe në vjershën e fundit që njohim, atë të vitit 1898, të cilën e shkroi me rastin e vdekjes së arbëreshit garibaldin Pjetër Irianit. Duket edhe në një letër dërguar të motrës, ku tregon se si e përballon gjendjen e rëndë mendore e fizike. Në vitet që mbetën e shohim nëpër Brazil të endet sa nga Mocaco në San-Jose de Rio Pardo, e prej andej në Sao-Paolo. Është aq i sëmurë mendërisht, sa e quan veten “shenjtor”, bile “kokë të kristianizmit”. Të gjithë arbëreshëve që e njihnin u dhimbsej e tregonin keqardhje, por ç‘mund të bënin!
Gojëdhënat për fundin e poetit
Vjen fjala pastaj të vdekja e poetit. Gojëdhëna e ardhur prej Brazilit nuk tregohet gjithnjë njësoj. Disa thonë se ai vdiq në shtëpinë e profesorit arbëresh Anton Skura në Sao Paolo, por kjo, sipas disa arbëreshëve, ka të ngjarë të mos jetë kështu. Trashëgimtarët e Kostandin Pozitos, që rrojnë sot, tregojnë se Zefi, para se të vdiste, shkoi tek ai në dyqan dhe i mori disa të holla hua. Pas kësaj poeti nuk u duk më. Disa ditë më vonë ai u gjend i vdekur në një nga pazaret e Sao-Paolos, në sheshin Merceto. Thonë se një arbëresh nga Koriliano, që e njihte, vajti e i dha lajmin Kostandinit në dyqan. Kostandini qenka ngritur menjëherë dhe paska shkuar në vendin e fatkeqësisë. Ai e njohu sapo e pa të vdekurin, e mori dhe i bëri gjithë ç‘duheshin për ta varrosur.
Gojëdhëna tjetër, që thotë se Zefi i dha fund jetës duke u mbytur në det, nuk duhet të jetë e vërtetë. E, megjithatë, kur vjen puna për rrethanat konkrete të vdekjes së tij, as ato nuk janë fort të qarta. Një gjë dihet mirë se ai ishte shumë i sëmurë. Edhe nëpër vjersha jo njëherë e përmend vdekjen. Bile, e parandien se do të vdesë larg katundit dhe varri do t’i ngrihet nën një qiparis, i harruar krejt nga bota. Dhe tek flasim për fundin tragjik të poetit, para se të ngrihemi nga gurët e Sheshit, dëgjojmë zërin e një strigarioti të thotë vargjet e tij:
I mjeri ai! Dikur qe shend’ e verë
Kur rrinte në katund plot trimëri
Shkoi përjetë si re, shkoi porsi erë
Dhe tani fle në një vend që nuk e di.
Mbasditja ka bërë firë dhe po bien hijet e para të muzgut. Ne duam të fitojmë kohë sa pa rënë nata, prandaj ndahemi përzemërsisht me burrat te Sheshi dhe zbresim nëpër udhën e kalldrëmtë që ndan katundin e vjetër në mes. Përsëri ngrehina të moçme e shtojca të reja, rrugina pa krye dhe qoshe të gurta, arbëreshë që rrinë para portave e dalin nëpër dritare, përshëndetje të druajtura dhe sy kureshtarë. Fytyra që më bëhen se diku i kam parë. Përbrenda më rri vazhdimisht mbresa se jam mes fisit tonë. Ndjej këtë dhe rishtas më shkon mendja te poezia e Serembes, që na e ka bërë aq të njohur e të afërt katundin e tij.
Vinçensi, tek çapitemi nëpër kalldrëm, vijon të flasë e të tregojë për poetin dhe Strigarin. Diku e ndal hapin dhe bën me dorë:
– Ja, kjo është kisha e lagjes së Serembes, që mban emrin e Shën Palit e të Shën Pjetrit. Veç kësaj, në katund kemi edhe kisha të tjera me emra shenjtorësh të sjellë nga Shqipëria. Mendohej dhe mendohet akoma se duke ruajtur besën e të parëve në dhe të huaj, ruhet edhe identiteti i prejardhjes sonë. Kjo kishë që shikoni, në kohën e poetit, ka qenë njëkohësisht dhe varrezë. Po, varrezë! Arkivolet me të vdekurit i vinin në bodrumin e kishës, nën dyshemenë e saj. Ishte një varrosje makabre, sepse veç të tjerash i gjithë vendi përqark kutërbonte vazhdimisht. Vonë, shumë vonë, u hoq dorë nga ky zakon tepër i çuditshëm, por që brenda e kishte një arsye të fortë. Mos donin me këtë akt t’i mbanin të vdekurit nën çatinë e kishës së tyre dhe të mos i kallnin në dhe të huaj. Edhe nënën e Zefit kështu e varrosën kur vdiq në vitin 1884.
I afrohemi kishës dhe hyjmë brenda. Duket që nuk është e re, por e rindërtuar herë pas here dhe e mbajtur me kujdes. Këtu kupton se për arbëreshin kisha në dhe të huaj është më tepër se altar kulti. Ai donte që dhe në çështje të besës të dallohej nga vendësit, të kishte kishën e vet, shenjtorët e vet, festat e veta e mbi të gjitha, liturgjia të zhvillohej në gjuhën amtare.
Tek sillemi nëpër sallën e zbrazët të kishës, në gjysmë mugëtirë, ndërsa kalojmë para figurave të shenjtorëve, kur bien blana të dritës së qirinjve, na del papritur para syve portreti i Shën Mërisë. Është një nga ato ikona të mëdha, aq e zakonshme nëpër kisha, që tregon madonën me të birin në prehër, duke zbritur nga hapësirat e qiellit. Në këtë çast s’ka si të mos më shkojë mendja menjëherë te Serembeja. Thua të ketë pasur parasysh shenjtoren e kishës së lagjes së tij, me të cilën u miqësua që nga fëmijëria, kur shkroi atë vjershë tanimë të njohur kushtuar Shën Mërisë? A thua të ketë ardhur, ja këtu, para saj i zhgënjyer keqas, të ketë shfryrë me atë mllef të papërmbajtur, siç na e kumton edhe sot vjersha? Sjell në mend fjalët që i drejton asaj, kur i thotë se sa herë ka ardhur tek ajo me lot ndër sy dhe ka grisur gjunjët. Po lotët iu thanë, iu tha dhe gjuha dhe asgjë e mirë s’erdhi prej saj. “Zemrën ia vranë, dhe çdo gjë keq e më keq vajti”. Besa nuk e ndihmoi poetin, nuk e ndihmoi as nëna e Krishtit me atë fytyrë aq të përdëllyer. Atëherë, ç‘të bëjë te kjo jetë, me ditë të helmuara e net të vrara? Edhe kur zemra i shkon tek ajo, madona prapë nuk e afron. Pa dashur, më behet sikur në mes të heshtjes së thellë të sallës së zbrazët vjen jehona e zërit të ngashëryer të poetit:
“Po ti rri larg dhe brenda mua më pret
Dhe në një det plot helm, ja, më mbyt!”
– Është e vërtetë, – thotë Vinçensi kur dalim nga kisha, – se në situata të rënda shpirtërore Zefi iu drejtua Shën Mërisë apo dhe Shën Kozmait e Shën Damjanit, shenjtorëve të katundit tonë. Pati dhe çaste misticizmi, që duhen shpjeguar me sëmundjen, por ai nuk bëri kurrë jetë asketi dhe asnjëherë s’qenë të huaja gëzimet e mbi të gjitha dashuria. Kur lexon poezinë e tij, duket qartë se tërë jetën ai dashuroi. Dhe kjo vihet re nga vjersha “Kangjella e mallit të parë”, që e shkroi kur ishte 14 vjeç. Më vonë Zefi u bë një këngëtar i përvuajtur i dashurisë dhe falë kësaj ndjenje fisnike lindën ato lirika të mrekullueshme me shoqe të rralla.
Ju e keni vënë re se në ka ndjenjë që e bëri poetin të vuajë aq shumë, po dhe që i ngjalli aq ëndrra e dëshira të bukura, ishte dashuria. Veç një dashuri përherë e pafat, gjithnjë e parealizuar, përherë në kërkim të saj. Prandaj ajo s’kishte si të mos kthehej në dramë cfilitëse, që e ndoqi tërë jetën. Por, nga ana tjetër, për këto ndjenja fisnike të poetit është folur e shkruar aq tepër, sa janë krijuar dhe mite. Është krijuar miti sipas të cilit ai deshi vetëm një vajzë dhe për të sakrifikoi çdo gjë. E vërteta është se ai ngaherë ka qenë i dashuruar, por duhet thënë se dashuria e tij si zor t’i jetë blatuar një vajze të vetme. Gojëdhënat e katundit, si dhe vjershat që ka lënë, po t’i vëresh me kujdes e t’i lexosh me këtë sy, tregojnë se ai ra në dashuri jo vetëm një herë. Ai flet për më të bukurën vashë të Strigarit, po i drejtohet dhe zonjës Lule, që me bukurinë dhe këngën e saj magjeps poetin dhe diellin. Po “fytyra e asaj” dhe ajo që Zefi i bën serenatë, po vasha e largët dhe ajo që i ngjalli aq mall në këngë, ç’qenë? A thua të qe një apo qenë disa vasha që ai deshi? Sigurisht, Serembeja ishte artist, bile artist i madh, dhe merita e tij qëndron në atë që ndjenjat e veta të dashurisë i shkriu e i personifikoi në një figurë të përbashkët. Këtë figurë e njohim dhe e çmojmë ne, ndonëse burimet emocionale, ç‘është e vërteta, qenë të ndryshme.
Dihet se ndaj dashurisë poeti ishte tepër i ndjeshëm dhe serioz. Për këtë natyrë të tij flitet e tregohet edhe sot e kësaj dite, veç në një mënyrë që një mendim a fakt kundërshton tjetrin. Është e njohur gojëdhëna që ai shkoi deri në Brazil nga dashuria dhe malli që kishte për një vashë të katundit. Atëherë ç‘do të thoshim për një histori tjetër të po kësaj kohe, që e dëgjon dhe sot nga plakat e Strigarit?
Vinçensi e la pyetjen pa përgjigje dhe zuri të ecë, duke na future në një degëzim rrugice, që zbriste nga krahu i majtë i udhës së kalldrëmtë. Këndej dendësia e portave dhe e shtëpive ishte aq e madhe, sa mezi mund të kalonin dy vetë lirisht. Kishim hyrë në një labirint të vërtetë, në një nga pjesët më të moçme të Strigarit. Këtë e vumë re më mirë kur, pas disa rrotullimesh, papritur dolëm në një shesh të vogël. Në krye të sheshit dukej një shtëpi gjysmë e rrëzuar dhe krejt e braktisur.
Menjëherë u gjendëm të rrethuar nga një tufë fëmijësh dhe fill pas tyre na u afrua një plakë. Ajo, sapo e mori vesh se nga vinim e ç‘ishim, na përqafoi gjithë gaz.
– Kini ardhur të vëreni shtëpinë e Turrilies? – pyeti plaka me një buzëqeshje shpotitëse.
Ne ngritëm supet dhe vështruam nga Vinçensi. Ai, në vend që t’i përgjigjej plakës, na u drejtua ne:
– Kjo është shtëpia ë zonjës Turrilie, e një vejushe të kohës së Serembes, me një histori të njohur në katundin tonë..
Plaka tundte kokën dhe picërronte sytë, gjithmonë me gazin shpotitës në fytyrë.
Tregimi për dashurinë e pafat
– Zefi, kur Turrilia ishte vashë, – zuri të tregojë Vinçensi, – dhe ajo ka qenë një vashë shumë e bukur, bie në dashuri me të. Me sa duket Turrilia nuk e desh dhe kjo histori sikur u la me kaq, sepse Zefi shkoi për në Brazil. Domethënë, në kohën kur gojëdhëna tjetër flet se ai vete në Brazil të kërkojë një vajzë, që e desh aq shumë. Kur kthehet pas një viti, Turrilia jo vetëm ishte martuar, por i kishte vdekur burri dhe kishte mbetur vejushë. Thashethemet e katundit duan të thonë se ajo ishte grua lozonjare dhe u ngrinte mendjen burrave. Zefi, ç‘është e vërteta, e desh seriozisht dhe sapo kthehet i kërkon dorën për martesë, por ajo e refuzon. Atëherë poeti, delikat dhe tepër i ndjeshëm, zemërohet keq dhe i thur një vjershë të mbushur plot mllef e fyerje, e cila mbahet mend edhe sot e kësaj dite në Strigar.
Plaka, që kishte hyrë mes nesh dhe ndiqte tërë sy e vesh bisedën, papritur zuri të recitojë me zërin e saj të zvargur:
E bukura grua që m’u bëre dosë,
e vete e ngardhamosur si vajas,
it shoq ng’u ngri e ti u vure klos,
iku t’më rruxhëdhireç si gëlas.
(E bukura grua që m’u bërë dosë,
sa vjen e zbukurohe si një zuskë,
yt shoq ende s’është ftohur e ti m’u vure klloçkë,
e si glasë m’u katandise.)
Sapo sosi vargun e fundit, plaka na nguli sytë e vegjël si të desh të dinte përshtypjet tona dhe kur ne e falenderuam, ajo vazhdoi:
– I ziu Zef, e desh shumë i gjori, po Turrilia nuk e kishte mendjen tek ai, që rronte me veten dhe ëndërriste tërë kohën me sytë hapur. Ajo fluturonte nga gazet dhe kjo i prishte mendjen burrërisë së katundit.
Dhe duke bërë me dorë nga shtëpia, që kishte përpara, plaka shtoi:
– Këtu te kjo shtëpi e kaloi jetën Turrilia derisa vdiq. Unë kam qenë fëmijë, kur ajo ishte grua plakë. Këtu qëndroi dhe i vajti jeta fill e vetme, si të paguante ato të mëdha mëkate që bëri në të ri të saj. Pas vdekjes nuk la njeri pas dhe shtëpia u shkretua deri sa dalëngadalë nisi të rrëzohet. Mosnjeri nuk hyn aty, veçse kukëzat (qyqet). Përnatë këndon kukëza. Si është kjo dosë jetë! Njëherë e një kohë, nën atë finestër, sa e sa trima vinin e bënin serenatë. I këndonin bukurisë së Turrilies, i lypnin dashurinë…”
Fytyrën e plakës e mbuloi një trishtim i lehtë, që mezi shquhej nga hijet e mbrëmjes. Qëndronim në heshtje dhe soditnim shtëpinë e vejushës gazmore, që poeti, me një mënyrë të vrazhdë, e bëri të paharruar. Ishte akoma ajo dritare në murin e ronitur të katit të dytë. Nga çatia gjysmë e rrëzuar dukeshin trarët e nxirë dhe një mace që kacavirrej nëpër strehë …
Kur morëm të largohemi, mbrëmja kishte rënë, një mbrëmje e butë mesdhetare, ku trazoheshin nëpër të vargjet e poetit, dritat e katundit me puhizën e lehtë që vinte nga deti Jon. Ne çapiteshim të përhumbur nëpër udhëzat e gurta, vërenim strehët e moçme, ngjitnim e zbrisnim shkallët e shesheve dhe ndjenim në shpirt një gaz të trishtuar. E kishim takuar dhe nuk e kishim takuar poetin.
Një tufë dallëndyshesh të vonuara na përmendën. Fluturuan fare ultazi dhe u radhitën mbi strehët e shtëpive, ku zu të binte drita e hënës. Ajo frushkullimë e lehtë krahësh, thua se e ndolli më shumë kohën e largët serembiane!
Vinçensi ndaloi këmbët para një porte të vjetër dhe duke zgjatur dorën nga dallëndyshet tha me zë të pikëlluar:
– Për fat të keq, në ditët tona, nuk është më Strigari i parë. Ai sa vjen e rrudhet. Në vend të njerëzve, nëpër dritare e ballkone, sipër portave dhe nën strehë qëndrojnë dallëndyshet. Tani katundi ka më shumë dallëndyshe se sa njerëz. Nevoja i ka bërë strigariotët të marrin rrugët e botës për bukën e gojës. Vëreni mirë shtëpitë e katundit ditën dhe keni për të kuptuar se pjesa më e madhe e tyre janë të zbrazëta. Të kap mallëngjimi. Rrojnë në to kujtimet e një jete arbëreshe. Dhe mbi të gjitha rron kujtimi i poetit tonë të madh. Sa kohë që ai do t’u flasë strigariotëve, siç u ka folur deri tani, kjo do të thotë se këtu është ende i gjallë shpirti i Arbërit.
Ecim më tej dhe dalim në një nga brigjet e katundit. Ai është si një ballkon i gjerë, vështron nga lindja, por prej aty shohim dritat që shkëlqejnë në të katër anët e horizontit. Shumë prej tyre janë dritat e katundeve arbëreshe. Në krah të majtë xixëllojnë dritat e shtëpive të Maqit e të Shën-Mitrit, kurse më të djathtë, ato të Vakaricos e Mbuzatit. Poshtë, në fushën e Sibarit, llamburisnin si një konstelacion yjesh tokësore Ungro e Shën-Vasili, Firmoza e Spixana. Një dritë e largët regëtin në gjirin e Shkavanisë, sipër ujërave të Jonit. Më këtej, në malet e Polinit, farfurinë si prush Frasnita dhe Ejanina. Përfytyrimi ynë i ndezur afron dhe katundet arbëreshe që nuk duken, por që ne i dimë se ndodhen përtej lumit Krati. Janë anës rrugës që të çon për në Kozencë, Shën-Benedikti, Çirçeta, Piçilja …
Vështrojmë të përhumbur panoramën që kemi përpara, ndërsa dëgjohet zëri i Vinçensit. Zëri i tij tani tingëllon i gjallë, i valëzuar nga një gaz i përmbajtur sa herë përmend emrat e katundeve arbëreshe.
– Kjo është Arbëria jonë e vogël, – thotë ai, si të ketë hapur siparin e një skene madhështore. – Jemi na, gjithë brezat arbëreshë, është gjithë historia jonë, me trup këtu e me rrënjë matanë Jonit. Shkuan pesë shekuj e kapërcyem në të gjashtin e na dimë mirë se kush jemi. E ta dish se kush je, është gjëja më e madhe në jetën e njeriut. Kjo i jep kuptim bashkësisë sonë, kjo bën që dritat e këtyre katundeve arbëreshe të mos shuhen. Dhe Serembja këtë dëshironte kur në një vjershë këndon:
Të shihja të bëheshin të lirë
e të shkëlqenin nën rrezet
e diellit, katundet e qeshur
të Arbërisë sonë, me njerëzit
fatbardhë nëpër shtëpirat!
E ç‘mund të thoshe pas këtyre vargjeve, që treteshin në qetësinë e natës strigariote si një muzikë solemne? Ishin në to dhe dëshira e zjarrtë e poetit, dhe amaneti i të gjithë brezave, dhe urimet tona.
Fund
