Tre mijë studentëve nga Kosova, të cilët kanë përfunduar studimet në universitetet private shqiptare, nuk u njihet diploma në Kosovë. Emisioni investigativ “Fiks Fare” solli mbrëmë një problematikë të studentëve që janë diplomuar në universitetet private në Shqipëri. Kjo diplomë nuk u njihet në Kosovë. 3000 studentë që nga 2010-a kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në ministri dhe në të gjitha institucionet përkatëse për këtë problematikë. Përgjigjja ka qenë se do të bëhet shumë shpejt. Në takimin e fundit të ministrit të Arsimit të Kosovës me ministren e Arsimit të Shqipërisë, më 8 shkurt 2016, u tha se brenda javës do të nisë procesi i njësimit të diplomave. Ministri Bajrami po atë ditë deklaroi: “Ministria e Kosovës është në fund të procesit dhe javën e ardhshme do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave për studentët kosovarë që mbarojnë në institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri”. Ka kaluar më shumë se 1 muaj dhe ende nuk është bërë asgjë. Në fillim të muajit mars 2016, pas deklaratës së zotit Bajramaj, emisioni “Fiks Fare” udhëtoi drejt Kosovës. Përfaqësuesi i studentëve të diplomuar në universitetet private në Shqipëri, Niman Bardhi, shprehet se kanë bërë pa fund kërkesa pranë Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Sipas zotit Bardhi, nga matjet që i është bërë nivelit të arsimit në Kosovë është më i ulëti në rajon. “Ndaj si mund të diskutohet për nivelin e arsimit në Shqipëri?” – shprehet ai.
Për të kuptuar gjendjen reale në Kosovë, kamerat e “Fiksit” hyjnë në Ministrinë e Arsimit në zyrat ku dorëzohen dosjet për njohjen e diplomës. Aty punonjësja tregon se për të gjitha dosjet është kthyer përgjigje negative. Nuk ka dalë asnjë urdhër që të rimerren dosjet dhe rrjedhimisht ky institucion nuk pranon asnjë lloj dokumenti. Pyetjes së “Fiksit” se pse nuk njihen këtu këto diploma, përderisa njihen në vende të tjera, ajo thotë se “kjo është politika e shtetit”. Punonjësja thotë se diplomat e Mitrovicës janë në proces njohjeje, ndërsa të Shqipërisë nuk kanë nisur. Drejtoresha e arsimit të lartë, zyra e së cilës ishte në ministri, tha se ministri erdhi me premtime në ajër, por ende nuk kemi asnjë udhëzim. Ajo shprehet se në mënyrë ligjore nuk ka asnjë udhëzim në bazë të asaj çfarë ka deklaruar ministri në Shqipëri. Ky shqetësim i studentëve kosovarë pasohej edhe nga një tjetër. Universitetet private në Kosovë regjistrojnë në master studentë të diplomuar në Shqipëri edhe pa u njohur diploma e bachelor-it nga ministria. Për ta vërtetuar këtë, gazetarët e “Fiksit” shkuan në një universitet privat në Prishtinë. Aty koordinatori pohon se mund të regjistrohen pa problem me diplomë bachelor-i. “Ne ju japim diplomën e masterit në fund dhe e keni të njohur. Ne kemi shumë studentë të tillë nga Shqipëria”, shprehet ai. Sipas koordinatorit, në momentin që mbaron masterin te ky universitet privat, Ministria e Arsimit nuk kërkon shpjegime se ku e ke mbaruar bachelor-in. Pyetjes së gazetarit të “Fiksit” për njohjen e diplomave të universiteteve private në Shqipëri, ashtu siç edhe vetë kishte deklaruar më parë, ministri Bajrami refuzoi t’i përgjigjej.
