Fitorja e ideve ekstremiste në Gjermani nxit reflektim. Reflektim që shkon në disa drejtime, sa ndaj tendencës në rritje të partive ekstremiste thuajse në mbarë Evropën, sa ndaj rolit të munguar të partive tradicionale, po edhe aq ndaj një përgjigje të nevojshme evropiane, në përballje me këtë fenomen.
Edhe pse terreni i partive ekstremiste njeh veçse rritje, ai nuk është një fenomen i shfaqur rishtazi. Evropa është përballur me këtë problematikë që prej viteve ’80. Do të ishte viti 1984, kur Fronti Nacional francez do të zgjeronte territorin e tij elektoral, duke njohur një sukses prej afro 11% përgjatë zgjedhjeve evropiane. Vit pas viti, idetë ekstremiste do të spikasnin thuajse në çdo zgjedhje evropiane, apo edhe rajonale. Fitorja surprizë e UKIP në vitin 2004, fuqizimi i Partisë për Liri në Austri përgjatë vitit 2010, rritja në të njëjtin vit gjatë zgjedhjeve rajonale e Lega Nord, progresi i Partisë për Liri në Austri, avancimi i pandalshëm i Jobik në Hungari, rritja surprizë në vitin 2012 e “Agimit të Artë” në Greqi, Partia për Liri e Wilders në Holandë, rritja e Vlaams Belang në Belgjikë, Partia e Popullit danez në Danimarkë, etj.
Me një strategji të orientuar kryesisht në dy shtylla, ato synojnë si goditjen e elitës politike kombëtare dhe asaj evropiane, por edhe përfaqësimin e zërave të injoruar.
Platforma kryesore bazohet në shënjestrimin e vazhdueshëm të elitës politike, duke e ekspozuar atë si të korruptuar, që vepron tërësisht në përplasje me interesat kombëtare, e paaftë në zgjidhjen e problematikave, se alternativat që ofron nuk sjellin ndryshime konkrete dhe se çështjet reale dhe të prekshme nga qytetarët e këtyre vendeve nuk gjejnë asnjëherë zgjidhje. Strategji që synon të godasë vendimmarrjen e elitave politike, duke tentuar të përputhë shqetësimet e qytetarëve me një tjetër platformë për zgjidhje, dhe duke i mundësuar njëkohësisht shndërrimin në aktorë dhe vendimmarrës politikë. Rruga e zgjedhur është e lehtë dhe e thjeshtë, refuzimin ndaj gjithçkaje: ndaj Evropës, ndaj imigrantëve, ndaj të huajve, ndaj myslimanëve, etj. Jo rastësisht, të gjitha këto parti janë anti-evropiane, duke akuzuar elitat për humbjen e fuqisë dhe rolit kombëtar, dhe se kanë shkëmbyer apo tradhtuar këto interesa, duke braktisur në këtë mënyrë kombin dhe qytetarët e tyre.
Nëpërmjet një mjeti të rëndësishëm psikologjik, imagjinatën, këto parti arrijnë të ofrojnë zgjidhje krejtësisht iluzionare, mbi çështje delikate dhe të rëndësishme. Ato arrijnë të bindin pjesë të rëndësishme të elektoratit, se duke u shkëputur nga BE, fuqia e tyre kombëtare do të rritet deri në atë nivel, sa do t’i shndërrojë ato në një faktor të padiskutueshëm rajonal dhe ndërkombëtar. Duke luajtur mbi të njëjta baza iluzioni, ato arrijnë të krijojnë bindjen se zëri i injoruar i qytetarëve do të jetë tashmë zëri i padiskutueshëm që do të penetrojë në të gjithë politikat vendimmarrëse. Se demokracia e munguar apo e refuzuar nga elitat drejtuese, do të shndërrohet në normë veprimi dhe konsultimi sistematik. Por, ky është edhe një nga momentet më delikatë pasi, një sërë studimesh konfirmojnë se, këtu futemi në terrenin e përdorimit të një karte të rëndësishme psikologjike: Krizën e identitetit! Çka detyron qytetarët, teksa vlerësojnë se zëri i tyre është i shpërfillur dhe i padëgjueshëm në vendimmarrjen e elitave politike, të reagojnë, duke zgjedhur pikërisht forcën politike, që i krijon iluzionin e duhur për rifitimin e identitetit të humbur.
Nuk mund të mohohet fakti se pothuajse në të gjitha vendet, kemi elita politike të shumë kritikuara për distancën tashmë të konfirmuar, që kanë me qytetarët. Partitë tradicionale, prej dekadash nuk arrijnë dot të përmbushin misionet e tyre historike, që lidhen sa me përfshirjen në programet e tyre, të alternativave konkrete për grupe specifike sociale; sa me zbatimin e programeve kuptimplotë dhe gjithëpërfshirës, sidomos ndaj kategorive sociale më në vështirësi dhe të ekspozuara; si edhe konsiderohen të dështuar në mobilizimet aktive politike të elektoratit të tyre.
Një sërë studimesh konfirmojnë faktin se, që prej Luftës së Dytë Botërore, partitë tradicionale kanë njohur tkurrje në përfaqësimin e tyre: Kristian-Demokratët, që mbanin 22% të votave në Evropën Perëndimore, pas luftës, tashmë janë në një nivel prej 12%; Social-Demokratët janë tkurrur nga 32% në 26% përgjatë viteve 2000; Liberalët kanë humbur pak vota, ndërsa vota ndaj Konservatorëve, ka njohur rritje me 8%; Radikalët e majtë në tërësi (duke përfshirë komunistët dhe partitë e ekstremit të majtë) ende përfaqësojnë 10% të elektoratit, njësoj si edhe pas luftës, pavarësisht krizës politike dhe filozofike, që vijoi me rënien e Bllokut Sovjetik. Kriza e përfaqësimit të modelit social, ekzistonte tashmë edhe para daljes në skenë të forcave populiste, duke njohur thellim edhe përgjatë viteve ’70 .
Pra, forcat populiste tashmë e kishin terrenin të gatshëm dhe nuk bënë gjë tjetër veçse penetruan në të.
Dhe kemi një sistem të ndërlidhur pasi sa më shumë që braktisen partitë tradicionale nga elektorati, aq më tepër zgjerohen edhe radhët e partive populiste. Abstenimi ka shtrirë terren vit pas viti në Evropë dhe besimi ndaj partive tradicionale njeh vetëm rënie.
Vota ndaj ekstremistëve në Gjermani, detyrimisht ka një lexim në kontekstin e një krize që ka pushtuar Evropën prej disa kohësh, dhe ku Gjermania po luan rolin kryesor si në marrjen e vazhdueshme të refugjatëve, si në orientimet për zgjidhje politike dhe diplomatike në nivel evropian, po ashtu edhe në proceset interaktivë me aktorë me peshë të rëndësishëm si Turqia.
Në rast se shikojmë kategorizimin e votës që ka shkuar për AfD në Gjermani, sipas të dhënave tashmë të bëra publike, 90% e votuesve të AfD, kanë deklaruar “shqetësim në lidhje me flukset e refugjatëve.”
36% e tyre kanë shprehur një votë proteste dhe zhgënjimi, duke deklaruar se kanë votuar për AfD jo se mbështesin programin e tyre politik, por se janë të tejngopur me partitë tradicionale.
Ndërkohë që suksesin më të madh AfD e ka pasur në mobilizimin e zonës gri, të qytetarëve që kryesisht abstenojnë. Klasa punëtore dhe të papunët kanë qenë gjithashtu segment i rëndësishëm mbështetës. Ndërsa të rinjtë dhe mosha e mesme, janë tërhequr për të votuar AfD, më shumë se sa mosha e vjetër. Në tërësi në votën ndaj AfD, ka spikatur më shumë mbështetja e gjinisë mashkullore, se sa ajo femërore.
Duhet risjellë në vëmendje edhe sondazhi i fundit i EB84, i cili po në të njëjtën linjë me sondazhet që përpiqen të deshifrojnë votën ndaj AfD, nxirrte si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve gjermanë, duke kryesuar mbi çdo problematikë dhe shqetësim tjetër, pikërisht çështjen e imigracionit.
Në thelb, duket se qëndron e njëjta filozofi, që sa herë tentohet të injorohet dhe të shpërfillet zëri i qytetarëve në vendimmarrje të rëndësishme, elitat politike përballen me një rezultat ndëshkues.
Dhe këtu nuk është momenti për të diskutuar, nëse veprimet politike të elitave drejtuese janë të drejta apo jo. Por, problematikat shfaqen tek shkëputja e lidhjes në një komunikim të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm demokratik me qytetarët, ku të përfshihen në mënyrë aktive shpjegime për përfitimet ekonomike, që njeh apo do të njohë vendi në një të ardhme të afërt nga këto vendimmarrje. Me gjykimin se këto vendimmarrje janë të drejta dhe të padiskutueshme, elitat drejtuese, refuzojnë si marrjen seriozisht të partive ekstremiste dhe të fjalimeve të tyre, por gabimisht krijojnë edhe një terren të favorshëm, që ky boshllëk sqarimi, komunikimi dhe bindje e vazhdueshme nëpërmjet logjikës argumentuese, të shfrytëzohet pikërisht nga ky kontingjent ekstremistësh. E njëjta problematikë, konstatohet edhe në nivel evropian. Sa më shumë thellohet hendeku i Evropës, institucioneve dhe politikave të saj, me qytetarët evropianë, aq më tepër rritet edhe suksesi i forcave ekstremiste dhe euroskeptike. Ndoshta ky moment, që shfaqet i ripërsëritur mund të shërbejë, për një ndërgjegjësim edhe në nivel evropian, për të kuptuar rëndësinë e funksionimit të një demokracie, që nuk mund të kuptohet pa lidhjen e ngushtë me qytetarët e saj. Sa herë kjo do të harrohet, “këmbana e ndëshkimit” nuk do të ngurrojë të bjerë, për t’iu kujtuar elitave drejtuese, se edhe të “pafuqishmit” dinë të godasin ! /im.ta/
