Elis Bakaj dhe Olsi Teqja rikthehen në dispozicion të trajnerit të Tiranës, Ilir Daja.
Dy lojtarët bardheblu janë bashkuar me grupin në seancën stërvitore të ditës së martë pasi u kanë dhënë fund problemeve fizike.
Por pavarësisht rikuperimit, Bakaj duhet të qëndrojë edhe tre javë pushim për shkak të pezullimit me 4 ndeshje nga ana e Komisionit të Disiplinës.
Në komunikatën e publikuar nga klubi kryeqytetas, bëhet me dije se mbrojtësi Dejan Karan vazhdon të ndjekë fazën rehabilituese, ndërsa edhe japonezi Fukui ka munguar në seancën stërvitore për shkak të një dëmtimi në kavilje të pësuar në takimin e fundit kundër Vllaznisë ku Tirana u mund 3-1.
Gjithsesi, për sulmuesin aziatik parashikohet rikthimi i shpejtë në grup dhe rikuperimi për ndeshjen e radhës.
Stërvitjen e diferencuar e ka zhvilluar Ervin Bulku, ndërsa mbrojtësi Muça po vazhdon punën për t’u rikthyer sa më shpejt në grup pas operacionit të kryer në Austri.
Në sfidën e radhës, Tirana pret Kukësin në “Selman Stermasi”, një përballje direkte për zonën Europa League.
Verilindorët renditen në vendin e tretë të klasifikimit me 44 pikë, 4 më shumë se skuadra kryeqytetase.
