Partia Socialiste ka mbajtur pasditen e kësaj të mërkure një takim me të rinjtë në Tiranë.
Në fjalën e tij, kryetari Edi Rama ka deklaruar se, prania e madhe e të rinjve në këtë event është prova se qeveria e tij po hedh bazat e një shteti të mirëfilltë.
“Nuk ka provë më bindëse për atë çfarë kemi bërë sesa gjithë kjo valë prurjesh në PS. Ne po punojmë fort për të hedhur bazat e një shteti normal që të funksionojë”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur i vetëdijshëm që ka ende të pakënaqur, përfshirë këtu jo pak socialistë, por ka shprehur bindjen se, “e kemi kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur”.
“Balta që hedhin kundërshtarët na inkurajon më shumë. Çdo reformë është një operacion dhe ka dhimbjet e veta, por ne do ta shohim triumfin e reformave dhe për këtë unë jam i bindur”, ka thënë Rama.
Edhe deputeti Pandeli Majko, e cilësoi PS-në si shembullin e demokracisë në Shqipëri. “Anëtarësimet e reja na bëjnë të mblidhemi dhe të festojmë. Sot po dimensionojmë veten për atë që do të vijë edhe nesër. PS është spektakli më i madh i demokracisë në Shqipëri, ku debatohet dhe kundërshtohet”, tha Majko.
