REFUGJATËT / Qeveria ngre komisionin e posaçëm, pjesë edhe SHISH

Dita

 Në një kohë që refugjatët sirianë janë në kufi, qeveria miratoi dje krijimin e komisionit kombëtar për azilin dhe refugjatët.

 Ajo që bie në sy është se në përbërje të këtij komisioni do jetë edhe një përfaqësues nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Aktet terroriste në të gjithë Europën, duket se kanë detyruar qeverinë tonë që të rrisë nivelin e sigurisë për kontrollin personave që hyjnë në territorin shqiptar.

Komisioni kryesohet nga Komisioneri Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, i cili do të jetë përfaqësues i kategorisë së lartë drejtuese dhe caktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe përbëhet nga këta anëtarë:  një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme;  një përfaqësues i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;  një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;  një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;  një përfaqësues i Shërbimit Informativ të Shtetit si dhe një përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ky komision do të  asistohet nga një specialist i autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, me detyrën e sekretarit, i cili caktohet nga drejtuesi i këtij autoriteti.  Përpara dhënies së vendimit, Komisioni do të dëgjojë azilkërkuesin, lidhur me pretendimet e tij. Brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së ankimit, komisioni do të duhet të marrë një vendim  të arsyetuar që do t’i dërgohet azilkërkuesit, nëpërmjet autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe është përfundimtar, lidhur me ankimin administrativ.

Ky vendim mund të ankimohet nga azilkërkuesi në gjykatën kompetente për çështjet administrative.

 Vendimet e Komisionit do të marrin më pas edhe vulën e ministrisë përgjegjëse për azilin dhe refugjatët. / DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *