Partia Socialiste ka informuar trupin diplomatik shqiptar, si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare lidhur me manovrat e paligjshme dhe njëkohësisht të rrezikshme për një proces zgjedhor ligjor e të ndershëm që qeveria është duke bërë nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri i shoqëruar nga eksperti i kësaj fushe, Bledi Çuçi janë takuar sot paradite me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Komisionit Europian, për t’i informuar ata lidhur me ecurinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus mes palëve, por që duket se nuk po ecën në të njëjtën mënyrë edhe gjatë zbatimit praktik të tij.
Pas takimit Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat. “U shpjeguam përfaqësive diplomatike situatën e krijuar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve. Dhamë argumentet tona, të gjithë analizën që kemi bërë dhe që është paraqitur edhe në KQZ, por në mënyrë më të përmbledhur për ta. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, për të kuptuar cili është problemi dhe për të parë çdo të bëjmë më tutje”, është shprehur deputeti socialist.
Partia Socialiste ditët e fundit ka kundërshtuar idenë e ndarjes së mandateve sipas qarqeve për zgjedhjet e ardhme parlamentare nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pas mosarritjes së një konsensusi në KQZ. Më herët në një prononcim publik Sekretari Damian Gjiknuri në Kodin Zgjedhor është parashikuar qartë dhe prerë se mandatet përcaktohen nga KQZ dhe nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013.
