“Pena e vjeshtës së artë”, antologjia që përmbledh 71 tregimtarë shqiptarë në një botim

redaktor

Duket se prej vitesh shkrimtarët shqiptarë janë në udhëkryq, ndërsa letërsia e tyre jo. Së fundi me iniciativën e shkrimtarit Vasil Premçi ka dalë në dritë një vëllim antologjik me tregime të titulluar “Pena e vjeshtës së artë”.

Në këtë antologji janë përmbledhur tregimet e 71 autorëve, midis të cilëve Ismail Kadare, Helena Kadare, Nasi Lera, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Blendi Fevziu, Leonard Veizi, Albert Zholi, etj. Promovimi i kësaj antologjie u bë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në ambientet e sallës UNESCO.

Moderatori i këtij aktiviteti, shkrimtari Albert Zholi, tha se tanimë një traditë e re po futet mes shkrimtarëve shqiptarë, botimi antoligjik i tregimit që deri dje ka munguar në treg. Sipas Zholit kjo antologji është si një thirrje ku duhet të dëgjohet dhe zëri i shkrimtarëve, poetëve dhe kritikëve shqiptarë, të cilët prej kohësh kanë mbetur si një komunitet i paorganizuar.

Por menjëherë pas tij drejtori i Muzeut Historik, z. Melsi Labi, i cili mori fjalën tha se dalja në qarkullim e antologjisë me tregime shqiptare është një risi. Ai siguroi shkrimtarët që pikëritsht në ambientet e Muzeut duhet ta ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.

“Nuk mund të mos vë në dukje dhe një këndvështrim të natyrës historike; atë të përfshirjes në këtë përmbledhje me tregime lirike të zgjedhura shqiptare, në njëfarë mënyre edhe historinë e letërsisë shqipe, klasikët tanë, si Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Milto Sotir Gura, Dhimitër Shuteriqi, Migjenin e pavdekshëm, martirin Gjik Kuqali, Kadarënë e ndërkombëtarizuar dhe Dritëroin aq popullor”.

Në fjalën e tij shkrimtari Nasi Lera vlerësoi se tregimi është gjinia më e konsoliduar e letërsisë shqipe. Sipas tij tregimi është një gjini e vështirë që nuk pranon as edhe një fjalë gabim, por në këtë kuadër tregimi shqiptar e ka përballuar me dinjitet për të qenë një vepër e arrirë.

Ndërsa shkrimtari Nasho Jorgaqi në fjalën e tij tha se, “Pena e vjeshtës së artë” u hap rrugën përmbledhjeve të tjera antologjike. Kjo vepër ka një prirje edhe për të zgjuar interesin dhe vëmëndjen e kritikës. Gjatë promovimit folën edhe shkrimtarët Zija Çela, Kiço Blushi e Pandeli Koçi.

Ndërkohë moderatori Zholi lexoi dhe një përshëndetje të shkurtër të Dritëro Agollit, i cili shprehte urimet e tij për publikimin e antologjisë “Pena e vjeshtës së artë”.

Share This Article
4 Comments
  • Do ta bleja me gjithe deshire nje antologji te tille, Por nuk mund te blej Blendi Fevziun per hater te Kadarese, Agollit apo cilitdo tjeter. Fevziu eshte nje pende e thare qe lyhet me pislleqet e politikes berishiane. Eshte me medioker se nje maturant gjimnazi me nota 5.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *