Dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco do të vizitojnë Tiranë në mesin e javës së ardhshme. Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës ata do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare.
Bisedime do të zhvillohen gjithashtu edhe me delegacionin e përhershëm të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me lider të partive politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Diskutimet do të fokusohen në vecanti në përgatitjen e zgjedhjeve parlametare, progresit të bërë nga Shqipëria përsa i përket kërkesës për marrjen e vendit kandidat në Bashkimin Europian, reformën në autoritetin rregullator të medias dhe çështje të minoritetit.
